Opinione

Dëgjoni zoti Kryeministër!

Nga: Lis Bukuroca

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është sjellë ndaj Serbisë si fajtore, thua se u kishim pushtuar territore. Negociatat ndihmuan atë të kthehet në arenën ndërkombëtare, të larë dhe shpëlarë. Ajo, jo vetëm se pengon njohjet, por lufton edhe për çnjohje. Megjithëkëtë, kryetari i Kosovës, ka pranuar dështimet, me lehtësi më të madhe, se sa përjetohen humbjet në ndeshjet sportive. Edhe tani, ai shprehu dëshirën e tij për të vazhduar me negociatat, thua se nuk kishte ndodhur gjë. Ai shkon dhe shëtit, udhëton dhe fotografohet, por humbjet që ia shkakton Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe që i financon Kosova, i konsideron sukses dhe ngul këmbë të vazhdohet tutje me të vjetrën! Me kërkesën e tij për të vazhduar bisedimet, dëshiron të paraqitet pacifist, të shfaqë veten si të pa alternativë para Perëndimit dhe kështu, të inkasojë imunitetin e përjetshëm.

Nejse, të lëmë Hashimin anash, por çfarë duhet të bëni tani Ju? Ju duhet të ndaloni turrin e kryetarit dhe vazhdimin e negociatave, pa u kthyer mbetjet e më shumë se tremijë vetave, që janë varrosur nëpër Serbi. Jo vetëm kthimin, por edhe mbikëqyrjen e zhvarrimeve nga ekspertë kosovarë dhe perëndimorë, për të parë se në çfarë gjendje janë varrosur dhe, a janë djegur ose gjymtuar.

Zoti Kryeministër, nuk gjenden nëpër Serbi nëpër gropa të përbashkëta mbi tremijë lepuj, por mbi tremijë qytetarë të Kosovës, të afërmit e të cilëve, Serbia i konsideron ligjërisht akoma të vetët. Pas zhvarrimit, nëse nuk mundet jashtë, atëherë me avokat ndërkombëtarë, të hidhet shteti serb në Gjykatën për Krime të Rënda në Beograd. Pse mu aty? Sepse ajo konsideron Kosovën akoma territor të vetin. Ajo mund të arsyetohet për vrasjen e njerëzve të armatosur, por le të përgjigjet për masakrimin e fëmijëve dhe civilëve.

Paralelisht me kthimin e mbetjeve, le të vazhdojnë negociatat. Çdo familje e dëmtuar, ka të drejtën themelore, humane, të varrosë me dinjitet të afërmit e vet. Serbisë nuk duhet lejuar të mbajë si sekret shtetëror varret e atij populli, të cilin e urren. Kjo urrejtje, mund të lexohet sot nëpër mediat serbe, por edhe tek artikulimet e politikanëve serbë! Shpërfillja e asaj zezone dhe shëlbimi i Serbisë, jo vetëm se dëmton sedrën dhe dinjitetin kolektiv shqiptar, por rehabiliton nxënësit e Millosheviqit, që kanë pushtetin në Serbi dhe që po luftojnë për të rifituar atë që ka humbur ai.

E dyta: nëse nuk mundet jashtë, të hidhet në Gjykatën për Krime të Rënda në Beograd shteti serb për dhunimin e njëzetmijë grave shqiptare. Negociata le të vazhdojnë paralelisht, por gjatë kësaj kohe, do të këndellet edhe opinioni publik serb duke parë veprat e shtetit të vet. Ashtu si u përball Gjermania me krimet e Hitlerit, duhet të përballet edhe Serbia me tragjeditë e shkaktuar nga shteti i Millosheviqit.

Asnjë shtet mik, nuk mund të thërrasë për vazhdimin e negociatave, duke kërkuar të hiqet dorë nga kthimi i mbetjeve, që si kufoma, i ka kidnapuar shteti i Milloseviqit, por si eshtra, i sekuestron shteti i Vuçiqit dhe Daçiqit. Ky i fundit pa dyshim një ish shqiptar me mbiemrin e dikurshëm Daci, si edhe gjeli tjetër mbi pleh, që rrah gjoks, Lajiçi, Lajiçi!

Ai shtet pra, të hidhet në gjykatë, jo vetëm për vrasje, por edhe kidnapimin e të vdekurve! Kjo është vepër çnjerëzore, makabre!

Nga Serbia të kërkohet dëmshpërblim edhe për 100.000 shtëpi të djegura, të rrënuara dhe për më shumë se 13.000 të vrarë.

Se kryetari nuk po bën negociata për interesa nacionale, tregon edhe gjuha ofenduese pas taksave në mediat serbe. Te b92, që vlerësohet si më e moderuar, Qeveria e Kosovës, quhet e ashtuquajtura Qeveri e Përkohshme. Kjo flet qartë për projektet serbe dhe për iluzionet e (H)hashimit.

Zoti Kryeministër, tani keni mundësinë historike të riktheni nderin e Kosovës dhe të ringrini shtetin, që gjendet përdhe. Kryetari i Kuvendit njeh njerëzit e korruptuar prandaj urdhëroni bastisjen e shtëpive të tyre dhe kushdo që nuk është në gjendje të arsyetojë pasurinë, t’i sekuestrohet. Këta janë kolona e pestë, që punojnë në favor të Serbisë, sepse me pasion rrënojnë interesat nacionale. Urdhëroni bastisjen e shtëpive të të gjithë politikanëve dhe le të sekuestrohen kartelat bankare, sepse në bazë të tyre, do të mësojë prokuroria, ku do të kërkojnë ata nesër azil. Nëse Prokuroria Speciale nuk e bën, atëherë shtetit nuk i duhet! Shpërbëjeni atë dhe të gjitha prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë, sepse ato po shërbejnë, për të shfajësuar kriminelë të të gjitha llojeve.

Meqenëse populli tundohej nga çmimet, atëherë një leksion i nevojitet edhe diasporës: kushdo që kthehet në Kosovë nëpër Serbi, të paguajë 1,000 euro në arkën e shtetit të Kosovës.

Nëse Serbia dëshiron të integrohet në BE, atëherë duhet të kthejë mbetjet e njerëzve që i ka vrarë. Nuk është trup të kërkohen me këmbëngulje. Ne nuk kemi urrejtje ndaj popullit serb, por shteti serb urren popullin shqiptar!

Ne kërkojmë ndihmë për t’i shpëtuar trysnisë dhe projekteve ruso-serbe. Nëse Serbia synon të përmirësojë raportet me Kosovën, atëherë duhet të përgjigjet për krimet e veta! Marrëdhëniet nuk ndërtohen duke përbuzur fqinjin. Me mosdorëzimin e eshtrave, Serbia tallet me kombin shqiptar. Dhe, nuk duhet bërë asnjë lëshim ndaj Europës, derisa nuk ka anuluar vizat, që i pat premtuar se do ta bënte pas marrëveshjes me Malin e Zi!

Në histori hyhet ose vertikalisht, ose horizontalisht. Ose me dinjitet, ose pa të!