Opinione

Eshtrat e Mit’hat Frashërit dhe lufta e stërzgjatur

Nga: Çapajev Gjokutaj

Ke lajthitur rëndë, more djalë! Arrin e thua se kontributet e Mit’hat Frashërit eklipsojnë tradhëtinë e tij gjatë Luftës. Gjykimi yt më kujton atë meselenë: Merre, e ke vajzë të mirë; edhe të ndershme e ke, vetëm se ka mbetur një çikë shtatzanë.

Kështu më vërsulet një veteran i moshuar, mik i tim ungji. Dhe pastaj shton se tradhëtia është faj që shkatërron çdo vlerë a meritë. Kontributet e Mit’hat beut, thotë veterani, të kujtojnë proverbin ‘gjalpë i mirë në lëkurë qeni’. Gjë e shpënë dëm, s’ka njeri që e vë në gojë, se gjalpë është, por kutërbon.

Si të mos mjaftonte qortimi i veteranit dhe mikut të shtëpisë, vjen dhe sms-ja e Lilos. Kësaj here ua ke hipur shkarpave, më vërsulet. Dolëm më të zgjuar se francezët ne! E lexove? Macroni deklaroi se do bënte homazhe për marshallin Petain. Njëqindvjetorin e L1B kremtojmë, tha. E Petain i meriton homazhet, ishte një nga heronjtë më të shquar të saj. Kështu tha Macron në mëngjes, por në darkë u tërhoq me bisht në shalë, se iu turrën francezët dhe ia bënë rrupi-supi: bashkëpunimi me pushtuesin është kolerë e shkuar kolerës, gropos çdo vlerë e çdo kontribut.

2.

S’e kam të lehtë t’i mbush mendjen veteranit. Mosha dhe formimi që ka e shtyjnë nga absolutizimet dhe nuk e lenë të merret me detaje e nuanca. Por prirja për ta prerë lisin e historisë me një sopatë s’është as e re, as e rrallë. Ne, shqiptarët e sotëm, përfshirë dhe historianët, nuk bëhemi dot bashkë në çështjen ishte apo s’ishte Mit’hat Frashëri bashkëpunëtor i nazistëve.

Në rrafsh juridik, Mit’hat beun vështirë se mund ta shpallësh fajtor. S’është gjetur asnjë dokument i firmosur prej tij, që të dëshmojë marrëveshje apo edhe koordinim me pushtuesit. Ka qenë e qartë që në krye të herës se u qendroi larg posteve dhe ofiqeve në qeveritë kuislinge.

Por në rrafsh moral e politik rezulton i përlyer. Shumë krerë të Ballit Kombëtar, formacionit politik që ai themeloi dhe udhëhoqi, qeverisën si kuislingë. Disa nga çetat balliste, sidomos në operacionet e dimrit dhe të qershorit, dolën krahas nazistëve për të luftuar partizanët. Pavarësisht se këto çeta nuk ishin ushtri e njësuar dhe shpesh vepronin më kokë të tyre, Mit’hat Frashëri, si kryetar politik i këtij formacioni, nuk i shpëton dot përgjegjësisë.

Të mundohesh t’i justifikosh këto lajthitje e faje me luftën kundër komunizmit, siç bëjnë disa, do të thotë ta shohësh historinë aposteriori, ta shpjegosh një aktualitet si pasojë e shkaqeve që nuk janë shfaqur akoma.

Në atë periudhë nuk pati burrë me mend dhe forcë politike me integritet, që të rreshtohej krah nazifashistëve për të luftuar komunizmin. Ky model buronte nga bashkëpunimi mes kapitalistëve angloamerikanë dhe komunistëve rusë, pavarësisht se të nesërmen e kasapanës botërore do të ndesheshin dhemb për dhemb në Luftën e Ftohtë.

Parë në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, gabimi i rëndë politik i Mit’hatit me shokë ishte strategjia ‘të mos nxitohemi, të mos e shkatërrojmë vendin, të presim e të shohim’. Gjatë luftës kjo strategji i detyroi anglezët që gjithë përkrahjen t’ia jepnin Frontit Nacionalçlirimtar.

Pas lufte shovinistët fqinjë bënë çmos t’i mbushnin mendjen bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët kishin qënë të rreshtuar me palën e humbur. Po qe se strategjia ‘të mos nxitohemi’ do të ishte ndjekur dhe nga nacionalçlirimtarja, mund të kishte ndodhur ajo që trembte Konicën, Nolin e të tjerë në agun e luftës: vënia në rrezik i tërësisë territoriale të vendit.

Gjithsesi, meritat atdhetare dhe ato kulturore të Mit’hat Frashërit, fryt i një jete të tërë, janë të shumta dhe vështirë se eklipsohen nga lajthitjet e tij gjatë L2B. Për më tepër se i shikojmë nga larg, gati 70 vjet pas vdekjes dhe tre çerek shekulli pas përfundimit të luftës. Kur e sheh nga larg edhe tragjedia pushon së qeni tronditëse, tha filozofi.

3.

Sa për Lilon, doja t’i thoshja se as Mit’hati është si Petain-i dhe as Shqipëria është si Franca.

Petain-i kryesoi një qeveri kukull që bashkëpunoi me nazistët, ua bëri më të lehtë pushtimin dhe mbajtjen nën kontroll të hapësirave franceze. Veç kësaj personalisht nënshkroi e zbatoi dekretin për deportimin e hebrejve. Kemi të bëjmë me një kriminel lufte, njeri nga përgjegjësit kryesorë për vdekjen e rreth 70 mijë hebrejve.

Jo vetëm kaq. Ndër argumentat që u përdorën për të kundërshtuar homazhet për Petain-nin ishte një vendim i gjykatës supreme të Francës. Si guxon ti, i thanë kundërshtarët Macronit, të dalësh kundër gjykatës. Paçka se vendimi ishte marrë treçerek shekulli më parë.

E këtu vijmë tek argumenti se Shqipëria s’është si Franca. Kemi një shtet të ri, vetëm njëqind vjeçar. Si të mos mjaftonte kjo, i kemi ngritur dhe rrëzuar institucionet çdo dy-tri dekada, si të ishin kalaja e Rozafës. Nuk kemi ndjekur rrugën e vazhdimësisë, por atë të shkatërrimit me degë e me rrënjë dhe të fillimit nga zero.

Shteti dhe institucionet janë vetëm njera anë. Ndryshimi tjetër lidhet me faktin se Franca ka mbi dy shekuj që ka kaluar nga një shoqëri tradicionale, në një bashkësi moderne. Si e tillë, ndëshkimet ndaj kriminelëve të luftës i bëri mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe jo duke diskriminuar edhe të afërmit e pasardhësit.

Në këtë kontekst kundërshtimi i homazheve për Petain-in me shokë ishte një akt i pastër moral: dënimi i tradhtisë. Si i tillë bashkoi shumicën e francezëve.

Ndarja e shqiptarëve në dy grupe, pro dhe kundër sjelljes së eshtrave të Mit’hat Frashërit nuk është akt moral, por politik. Falë luftës së klasave dhe politikës së biografive erdhëm në ditët e sotme si shoqëri e ndarë dhe e përçarë. Ballistët dhe partizanët u ndeshën me njeri-tjetrin për disa muaj, por lufta duket se nuk ka mbaruar akoma. Dhe nuk bëhet aq për ideale sa për hakmarrje e përjashtim të njerës apo tjetrës palës.

Është thenë e rithënë se na duhet një strategji e gjithpranuar për pajtimin kombëtar. Kjo është temë e gjerë dhe shumë e ndërlikuar. Gjithsesi, në kuadrin e këtyre shënimeve mund të themi vetëm një gjë: ndarjet dhe përçarjet për të shkuarën dëshmojnë se, në disa aspekte, tribalja dominon modernen.

Harrojmë mësimin që vjen nga përvoja e vendeve të zhvilluara: çelësat e begatisë së një populli nuk janë përçarja dhe përjashtimi, por gjithëpërfshirja e temperuar në instrumenta të tillë si starti i barabartë, meritokracia, konkurrenca, venia e lidhjeve të interesit mbi lidhjet e gjakut, të klanit etj.

Prirja për të mbetur në të shkuarën, për të ecur përpara me kokën pas dhe duke u grindur, të sjell në mend konstatimin e Lumo Skëndos një shekull më parë: “Dami ma i math i ka ardhur Shqipërisë nga e meta jetike e të qënit i qepurë në ide, në vetija, në zakone dhe në vese të vjetra... Kjo konservatorizmë ka influencuar jetën tonë morale si dhe materiale, na ka lënë pas e na ka mbajtur të huaj në lëvizjen e përbotëshme të qytetërimit...”

Tagged under Çapajev Gjokutaj