Opinione

Diaspora si mbushëse sallash-Nga Petrit Kuçana

Nga: Petrit Kuçana

Gati e pabesueshme ka qenë shifra e publikuar nga qeveria shqiptare për të ashtuquajturin samit i Dytë i diasporës. Shuma prej 66 milionësh mbetet enigma e pazgjidhshme e “çfarë”-ve dhe pafundësisë së “Pse”-ve. Në kufijtë e çmendurisë mbetet shpërndarja e shifrave, ku 120 milionë lekë kushton mbrëmja gala e mbase shumëkush mund të pyesë se sa mund të kushtonte kjo mbrëmje në Londër, në New York apo gjetiu, pa përfshirë 12 milionë lekët për regjinë. (Kush na qenka ky regjisor more aman?! ERTV?). Ja sa lehtë bëhen paratë në Shqipërinë tonë!… 

Mbase ka qenë stepja e parë për çdo mërgimtar, edhe ata më skeptikët, kur shikojnë lundrimin e shifrave që nuk gjejnë justifikim, aq më tepër për ata që ishin pjesëmarrës në samitin e parë. Shumë prej tyre refuzuan në mënyrë kategorike, të jenë pjese e kësaj farse, madje nuk dëshironin në asnjë moment që të shërbenin si instrument, që jo thjesht dikush të pasurohej nga taksapaguesit shqiptarë, por të mos ishin pjese e dekorit, që duket ka një qëllim të vetëm. Kryeministrin e do edhe diaspora, që sallat ishin të mbushura plot, etj etj.

Po çfarë ka ndodhur vërtet që nga samiti i parë? Edhe socialistët apo rilindasit më të thekshëm nuk mund të gjejnë ndonjë “bëmë” të qeverisë për diasporën, që sipas ministrit Majko përbën jo më pak se gjysmën e kombit. Tre herë u shty samiti i dytë dhe sërish nuk duket që ka asgjë esenciale, përveç folklorizmit që po na e lidhka me 2 Marsin e Skënderbeut…

Katër panele që do diskutokan? Po sikur kjo të bëhej online? “Në samitin e parë u pamë me njëri- tjetrin” deklaroi Majko pa mundur të shqiptojë ndonjë arritje, vendim, përveçse duke se gjithçka është ngatërruar më keq. Se ku e kanë gjetur një ide për “15 komisarë” nga diaspora, pra jo të zgjedhur, por të komanduar, me gjithë nuancën që përpiqen t’u japin si të vetë-ofruar. Zgjedhja e këtyre ka bërë që diaspora të përçahet dhe kjo duket nëpër rrjetet sociale gjithandej shikon debatet “kush jam unë e kush je ti” e deri tek akuzat për “të përzgjedhur” me precedentë penalë. Por kjo duket se nuk i bën përshtypje Tiranës zyrtare, që ka vendosur t’i shkojë deri në fund idesë së saj, për të larë duart me diasporën. Më e pakta që mund të bëhej është t’i hidhej një sy Kosovës, qasjen që shteti i ri ka ndaj Diasporës, apo së paku të konsultoheshin me Germin, ku janë përfshirë qindra specialistë nga fusha të ndryshme dhe kanë bë një punë të lavdërueshme), një OJF që për nga aktivitetet dhe kreativiteti e lë Ministrinë e Majkos dhe gjithë qeverinë shqiptare, me gisht në gojë.  Po pse të mos ishte Kosova shembull, ndonëse me vendim qeverie “Diasporat shqiptare”, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë ditë zyrtare të ndryshme, por kjo mbetet thjeshtësisht e parëndësishme kur shikon gjithçkanë tjetër. 

Në ditët e para kur u vendos për Samitin e Dytë dhe kur u publikuan shifrat astronomike, thuajse askush nuk denjoi që të regjistrohej në web-in e ofruar.  Me një vrull të paparë u angazhuan struktura te ministrisë dhe qeverisë, ashtu si ambasadat apo degët e PS-së në diasporë për të bërë të pamundurën që “samiti të dalë me sukses”. Sukses konsiderohet mbushja e sallave. Edhe dërgimi i ftesave formale nuk ndryshoi asgjë në pritshmërinë e tyre, derisa i personalizuar, me emër dhe mbiemër. Të gjithë pjesëmarrësit e Samitit të Parë, ua gjetën adresat elektronike dhe për herë të parë u komunikua me ta, nëpërmjet kësaj ftese që synonte t’i prekte në pikën më të ndjeshme, ftesë që ua ka drejtuar drejtpërdrejt Ministri Pandeli Majko. Gëluan rrjetet sociale tek shumë mërgimtarë që me mburrje dhe krenari dëshironin të shfaqnin epërsinë e tyre, (duke publikuar ftesën në rrjetet sociale) pasi i ka ftuar personalisht Majkua…Përveç tyre janë edhe ftesat që u dërguan nga sugjerimet e Ambasadave apo përfaqësuesve të PS-së. Një aksion qesharak që për një pjesë të mirë të diasporës s’ka logjikë, madje mbetet në kufijtë e tragji-komikes. Diaspora do të shërbejë thjesht si mbushëse sallash dhe ky na qenka tregues i suksesit? Ndonjë foto me kryeministrin patjetër do të ishte e pëlqyeshme për shumë pjesëmarrës, ashtu siç mund të jetë rrjeshtimi në radhën e sallë-mbushësve.  Pra kështu do të kryhet Samiti i Dytë dhe pakkush do të kujtohet se këta sallë-mbushës do të vijnë nga Rinasi, Aeroporti që po ua merr shpirtin çdo ditë, sa herë mendojnë kthimin në mëmëdhe, Aeroporti që u ri-dha me koncesion dhe që kompania ka përfituar (vetëm) 84 milionë euro mbi fitimin e parashikuar, aeroporti ku nuk guxojmë të përmendim linjat me kosto të ulur dhe qeveria hesht dhe zvarritet nëpër pandalshmërinë e skandaleve që shpërthejnë.

Qeveria nuk ka një “defter” që të tregojë se sa është numri i këtyre shqiptarëve të larguar, e ndonëse po rritet brezi i tretë e më shumë, nuk dinë se ku janë të shpërndarë si zogjtë e korbit, dhe që nga samiti i parë apo edhe më herët nuk ka një strategji sesi do të bëhet i mundur regjistrimi i diasporës. Apo do mjaftohen me ata sallë-mbushës?

Por qeveria ka një meritë, të vetme. Shtimi i numrit të diasporës, që mendohet në pesë vitet e fundit shkon deri në ½ milioni dhe kjo shifër vazhdon të rritet e rritet dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për të menduar pak më ndryshe, sesi të paktën të ndalojë kjo hemorragji. Përkundrazi kështu qeveriset më lehtë, më qetë.

Asnjë strategji për thithjen e investimeve të diasporës, apo e trurit. Vetëm në Britaninë e Madhe kemi mbi 40 doktorë shkencash PHD që pjesa më e madhe kurrë nuk janë ftuar qoftë edhe nga përfaqësuesit e shtetit, ambasada, pasi duket se shihen si “rrezik vdekjeje” për qeverisjen, për fasadën…

Për të ardhur tek më kryesorja. As përkitazi nuk flitet për të drejtën e votës, pra për votën në vendet ku jetojnë, siç e ka çdo vend përveç Shqipërisë dhe nuk do të duhej shumë që të merrnin pak mësim nga Kosova, apo nga Maqedonia (vetëm tre ministra diaspore në Ballkan janë shqiptarë).

A do të munden emigrantët shqiptarë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në vendet ku jetojnë, siç votojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të shumicës dërrmuese të vendeve të Evropës dhe më gjerë?  Një Jo e madhe qëndron stoike. E kush mund të gjejë ndonjë fill optimizmi jo thjesht nga samiti, por nga qasja ndaj diasporës. E Majko mbetet e keqja më e vogël, natyrisht..

Burimi: thealbanian.co.uk