Opinione

‘Doktorët’ e Perëndimit nuk e shërojnë dot Shqipërinë - Nga Vangjush Saro

Ne Gazetën Telegraf ky opinion është botuar me titullin “Të mos kemi turp nga marrëveshjet”. Titulli i publikimit në Flasshqip është përzgjedhje e redaksisë.

Jemi në një debat të vështirë e në një përplasje të brishtë për shkak të halleve që kemi dhe që janë ndjekur këto ditë më nga afër edhe prej ambasadorëve të Perëndimit. Kur them Perëndimi, term që e përdor herë pas here në shkrimet e mia, kam parasysh ato vende dhe atë hemisferë që ne e kishim ëndërruar gjithë jetën, vlerësuar po ashtu. Perëndimi është bota që ne e shikonim me dylbi në atë kohën tjetër; TV-të dhe radiot e tij i ndiqnim të etur për ndryshim dhe plot shpresë. Perëndimi është ai që, me raste, na “ka dhënë dorën” dukshëm e, me këtë shprehje shumëkuptimëshe kam parasysh ndihmesën e Austrisë për Shpalljen e Pavarësisë, edhe të SHBA-ve, shto pastaj pavarësinë dhe fatin e mirë që i blatuan ato Kosovës në kapërcyell të shekullit. Me Perëndim, kam parasysh, gjithashtu, partnerët tanë kryesorë dhe të gjitha vendet ku shqiptarët emigruan dhe ku shumica e gjetën veten: Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Britani e Madhe, SHBA, Kanada, etj.

Këto ditë, pas një proteste që tregoi pjesërisht ku gjendemi, deputetët e Opozitës kanë deklaruar se do të djegin mandatet. Ambasadorët e Perëndimit thonë: Jo! Po vërtet, a zgjidhet ndonjë punë me bojkot? Vështirë. Mund të bëhemi viktimë e një monotonie pa fryt. Por ndërkohë, jemi e mbetemi në ngërç. Vendi përjeton probleme të konsiderueshme: ekonomike, politike dhe shoqërore. Dhe ne s’mund të themi: Fluturon! Janë të njohura për të gjithë apostrofat e asaj lojës, ku thuhet “Fluturon Gomari? Fluturon!…” Ne kemi përvojë dhe manifestojmë gjithnjë zell në këto “lojëra”. Të parët dhe me medalje për… ushqimin! (Ky, në masë ishte i racionuar.) Por… fluturon gomari? Fluturon! Fishta është armik. Fluturon gomari? Fluturon. Filmat dhe librat e Socializmit duhen djegur. Fluturon Gomari?… Qysh jo!

Këto “lojëra” janë bërë për dekada të tëra në Shqipëri. Vazhduan dhe po vazhdojnë gjatë gjithë tranzicionit. Ishim gati të mblidhnim këtu krejt plehrat e… Perëndimit. Fluturon! Turizmit ia hodhëm, jemi të parët në botë. Fluturon! Do ndërtojmë 300 HEC-e dhe… bashkë me to, edhe mirëqenien. Fluturon!

Tani… po shkoj më tej pa lojëra dhe pa apostrofa e metafora. Papunësia gjatë vitit 2017 ka qenë 13.7 % nga 17.1% në vitin 2015 dhe 15.2 % në vitin 2016. Është një përmirësim i pandjeshëm, më mirë një “nëvendnumëro!” (por që vjen nga koha e qeverisë dhe qeverive të mëparshme). Të dhënat thonë se Shqipëria mban vendin e dytë në Ballkan për humbjet e jetëve të fëmijëve nën pesë vjeç. Si kështu? Kemi folur për mjekësi falas. Sondazhe që vetëm pjesërisht nuk mund të mos besohen, na kujtojnë se 80% e qytetarëve shqiptarë duan të punojnë jashtë vendit. 70% e tenderëve publikë, fitohen nga kompani të krijuara pak muaj apo javë para zhvillimit të tenderit. (Ka denoncuar eksperti opozitar Selami Xhepa; që më tej, shton: Të ndërtosh 2 km rrugë me 40 milionë euro, pasi fatura mund të rritet, këtu problemi është shumë serioz…)

Por ka edhe më. Në të gjitha publikimet e Forumit Ekonomik Botëror, krahas Ballkanit, Shqipëria gjendej në ngjyrat më të “errëta” të paraqitura për ndotjen e mjedisit. E megjithatë, bujë e madhe për HEC-e e ndërtime, që vetëm sens nuk kanë. Dhe më tej: Partia kryesore e Opozitës, disa javë më parë, ankohej se qeveria do të përdorte “2.5 miliardë lekë për vetura e limuzina…” Sipas drejtuesve të LSI-së, 77% e shqiptarëve nuk përballojnë dot shpenzimet e dentistit (!) Po si kështu, vazhdojmë me atë lojën, termat e së cilës nuk jam duke i marrë prapë në këto radhë?

“Doktorë” nga Perëndimi, si gjithnjë, kanë ofruar shërbimet e tyre në këtë situatë të sëmurë. Që të mos ikim nga realiteti dhe nga e vërteta, edhe opozita, gjithashtu po luan keq, tragjikisht keq: “djeg” mandatet dhe veten; grish për të tërhequr zvarrë atë dhe këtë, apo për plumba ballit; bën krahasime monstruoze me… Sirinë, etj. Megjithatë, ajo ka të drejtën të pyesë: “Pse, o “doktorë” të Perëndimit nuk e ngrini zërin kur një kryeministër sillet si despot? Pse nuk kërkoni pak më shumë llogari për gjithë këtë “zhvillim” jo edhe aq bindës?” Kurse qytetarët e thjeshtë mund të shkojnë më tutje: “Pse o “doktorë” treguat aq pak durim e sinqeritet me sëmundje të tilla të rënda, si Gërdeci?

Perëndimi ka edhe ai hallet e veta. (Brexit. Konfliktet e pjesshme Itali-Francë. Teprimet e z. Trump, që nga mënjanimi i kundërshtarëve, deri te muri në kufi me Meksikën, etj.) Le t’i hapim kartat, pra. “Doktorët” e Perëndimit nuk e shërojnë dot sëmundjen e rëndë të këtij vendi, prapambetjen, pa vullnetin e ‘të sëmurit’; shkurt, duhet t’i futemi punës vetë. “Doktorët” do t’i respektojmë, ata janë nga më të mirët, por problemet tona, më së pari, kanë nevojë për veten tonë, për autoterapi, për një pakt. Dhe nuk duhet të kemi turp nga paktet dhe nga marrëveshjet; përkundrazi, e kundërta e tyre është prapambetje.

Në qoftë se nuk u shpreha fare qartë, siç thotë një personazh i Dikensit, fajin, sigurisht, e kam unë… Por nuk do të merrja penën në dorë kurrsesi e të përcillja druajtje a mesazhe dhe të shfaqesha me të gjitha shqetësimet e mia përpara një publiku që nuk do të ndjente si unë./Telegraf

 

Tagged under Vangjush Saro