Mbi Magjinë e Zezë !
- Nga: JETA DEDJA
Magjia e zezë është një sistem i tërë besimi i ngritur prej shumë kohësh në mendësinë e një kategorie të caktuar njerëzish. Besimi në vetvete është një forcë e jashtëzakonshme brenda njeriut. Besimi ka aq forcë saqë të ndikojë mënyrën e të menduarit, emocionet dhe ndjenjat. Nëse dikush e beson vërtet me forcë magjinë e zezë ose syrin e keq, dhe nëse dikush që gëzon besueshmëri të lartë u thotë se mund ti shërojë nga magjia, apo mund ti bëjë rukje për të hequr nazarin, ose ti yshtë me kripë e zjarr për të larguar mallkimet, këta me siguri përmes besimit do ndihen të shëruar prej asaj nuskës së varur në qafë apo lëngut të yshtyr që kanë pirë. Prej kohësh njerëzit e kanë shpikur këtë lloj sistemi për ti dhënë shpjegim fenomeneve natyrore, sjelljeve e ngjarjeve jetësore të papëlqyeshme. Ndërsa ata zotërit e magjisë e kanë shfrytëzuar këtë besim për të manipuluar masat përmes frikës nga mallkimet apo magjisë së zesë.
Është e çuditshme dhe fakt besimi te personat që nuk kanë diploma apo certifikata njohurish shkencore, por vetëm ca njohuri bazike të psikologjisë njrëzore të mbledhura nga përvoja. Nuk do doja ti ngatërroja me fenë këta persona, edhe pse shfaqen hera-herës si të lidhur me të. U duhet një mburojë e tillë. Duket sikur njeriu kërkon një të vërtëtë apo shpëtim apo dhe gënjeshtër të artikulohet prej dikujt që nuk i njeh, por i cili të ketë aftësinë dhe pushtetin e deklarimit të absolutes. Absoluten vetëm sharlatanët guxojnë e mund ta artikulojnë dhe hallexhinjtë, shpresëvrarët ose të depresuarit mund ta besojnë. Gjen tenxherja kapakun thuhet në këto raste, por sa vlerë marrin këto dy mjete kur ua servirin gjellën në tavolinë të tjerëve? Helmim përkthehet në një rast, depresion tek një tjetër, skizofrenia diku më tej, dhe në rastin më të mirë fat apo argëtim.
Një nuse e re ka vrarë të vjerrën përmes një lëngu që i dha për të pirë duke e bërë të besonte se lëngu ishte i përgatitur nga një hoxhë dhe do ti shëronte nga syri i keq. Besimi i patundur i të ndjerës tek ekzistenca e aftësive shëruese të lëngut të yshtyr, e çoi drejt fundit tragjik. (nuk po ndalem në elementë të tjerë të veprës)
Kjo ngjarje ndodh në kryeqytetin e një vendi si Shqipëria, ku gëlojnë sharlatanë, si në çdo vend tjetër në botë, të cilët manipulojnë persona me edukim të varfër por me besim të pasur te këta në këmbim të parave. Sigurisht që kulturën e rrëfimit te prifti jo të gjithë e kanë dhe as këshillimin te psikologu jo kushdo e bën. Të futur skutave të periferive apo edhe banesave luksove të qendrave ata sajojnë formula magjike me shkronja të ngjashme me ato arabe me barëra e pije shëruese, trajtuese dhe mrekullibërëse. Ka dhe nga ata që nuk shesin a dhurojnë nuska apo barna, por vetëm motivojnë me fjalë të bukura filxhanësh a letrash tarot duke mbushur me shpresë personat që kërkojnë përgjigje për gjërat që në fakt i dinë apo kanë vendosur tashmë. Nuk e dimë se në c’masë e shkaktojnë dëmin ndër besimtarët që i ndjekin, por dimë se kanë një forcë ndikuese. Lehtësisht ndodh të ushqejnë injorancën dhe të bëhen faktor në instalimin e një çrregullimi psikik apo në rëndimin e gjendjes së shëndetit mendor të klientëve të tyre, sidomos të atyre besnikëve që shkojnë sipas grafikut të përcaktuar.












