Opinione

Në Shqipëri, partitë nuk prodhojnë demokraci dhe as ide politike

Nga: Afrim Krasniqi

Sistemi aktual partiak dhe ai përfaqësues që buron nga ndryshimet kushtetuese 2008 janë burimi kryesor i krizës së sotme dhe krizave periodike politike.

Partitë tona kanë mbi pushtet, sa shpeshherë e kemi të vështirë të gjejmë pikë ndarëse midis partive dhe shtetit, koncept që duhet ta kishim lënë pas që në fillim të viteve ’90-të.

Tani është koha që qartësisht të bëjmë ndarjen midis partive dhe shtetit, të investojmë në forcimin e institucioneve dhe dobësimin kushtetues të liderëve partiakë, të kalojmë sovranitetin nga klientelat e kryetarëve tek shumica qytetare si mundësi që më pas sistemi partiak e përfaqësues të bëhen më të hapura, më konkuruese dhe më efektive.

Reformimi i ligjit të partive politike dhe sistemit zgjedhor, për t’i përshtatur partitë me tri parimet e nenit 9 të Kushtetutës, – organizim demokratik, ndarje nga shteti dhe transparencë financiare, – dhe për ta kthyer sistemin përfaqësues në sistem real konkurues me legjitimitet direkt qytetar, – mjaftojnë këto që kriza aktuale të zgjidhet dhe krizat e ardhshme të parandalohen.

Çfarë do t‘u themi pas 30 vitesh brezave të rinj për krizën e sotme dhe krizat periodike të tranzicionit? Që ishin gabime historike, që ishin tërësisht të evitueshme, që patëm politikanë që menduan vetëm për veten dhe jo për vendin, që patëm ca elita të korruptuara, që ishin grindje luksi dhe klientelash, që ca njerëz na morën peng përfaqësimin dhe të drejtat, që humbëm vite shanse integrimi e zhvillimi për shkak të konfliktit politik e të personalizuar midis 3-4 emrave? Natyrisht këtë do ua themi sepse kjo është një pjesë e përgjigjes së saktë. Nëse kryeministri e partia e tij, opozita dhe oborri i saj, do ta gjykonin të sotmen me sytë e pas 30 viteve, zgjidhja do arrihej për 5 minuta. Për sa kohë kjo nuk ndodh, për sa kohë partitë nuk prodhojnë demokraci dhe as ide politike, për sa kohë vendimet e mëdha janë të personalizuara, është e vështirë të pritet zgjidhje e qëndrueshme dhe reale....