Opinione

Endrit Mullisi: Shqipërisë i duhet një ‘kataklizmë’ si ajo e Noes, që të fshijë këdo që ka ndyrë duart

3 milion e gjysëm votues pashë tek ERTV. Nuk di se ku janë fshehur 1 milion se të gjithë po thonë që 2.5 milion shqiptarë janë brenda kufijve. Gjithmonë mendoj me hamendje se për kë parti voton emri im gjatë këtyre 10 viteve që jam larguar. Mbaj mend që sa herë votoja, shikoja në listë që im vëlla kishte votuar përpara meje. Habitesha sesi ai kodosh vinte nga vendi evropian ku jetonte, votonte dhe ikte pa na takuar. Kështu si janë bërë gjërat aty, mirë do të ishte që askush të mos vente të votonte, jo për të mbështetur PD dhe plehrat e tjera, por për të treguar që nuk duam askënd.

Për njerëz si puna ime, largimi nga Shqipëria përfundimisht i ka dhënë kartonin e kuq të gjitha partive politike. Nuk vë me faj apo në pozitë askënd që është në Shqipëri sot dhe mendon ndryshe nga unë. Të gjithë nuk futen tek e njejta derë në të njejtën kohë. Dhe unë vite më parë me shumë pozitivitet prisja që gjërat të bëhen si duhet dhe i kam paragjykuar kritikët siç po bëj unë sot. Por ndoshta mendoj që protesta e vërtetë qytetare e popullatës është që të bojkotojnë jo vetëm këto zgjedhje, por dhe të tjerat ku ngjyrat blu apo pink futen në lojë.

Kush ka mundësi për t'u larguar nga Shqipëria po e bën. Pse kemi frikë atëherë që të themi "le të largohemi nga lista e zgjedhësve". Nderi që duhet të kem si qytetar për të votuar është kthyer në turp sepse ata që qeverisin si në Tiranë apo rrethe, janë aty për shkak të votave të njerëzve të sinqertë si ju. Nuk besoj që ka kaq shumë partizanë të partive sa të mbushin 3.5 milionshin, pra ndoshta një abstenim popullor ndaj komplet kastës politike mund të japë një mesazh ndryshe.

E di që po ëndërroj me sy hapur, por më lini të ëndërroj. Ndoshta i duhet Shqipërisë një kataklizmë si ajo e Noes që të fshijë këdo që ka ndyrë duart dhe zemren. Ndoshta "kur thika prek fëmijën e faraonit", mund ta lerë kjo kastë faraonike popullin e skllavëruar shqiptar të lirë. Deri më tani jam lutur dhe kam dëshiruar të mirën e të gjithëve, por s'mund të rri pa e shprehur dëshirën që të shoh cilindo që e ka sjellë Shqipërinë dhe shqiptarët në gjendjen e sotme, të thyer dhe të përulur, dhe ndoshta me gjithë pasurinë që ka grumbulluar padrejtesisht t'u ikë para syve pa mundur ti bëjnë asgjë. Ndoshta....