Opinione

Ndërkombëtarë, flisni sot, jo nesër! - Nga Ndue Dedaj

Shqipëria është në krizë të thellë politike. Me institucionet e shtetit në rënie e sipër. Nuk përfillet dekreti i Presidentit. KQZ punon me zëvendëskryetar, duke e patur kryetarin në detyrë! Në 26 bashkitë ku është në pushtet opozita, zgjedhjet nuk pranohen. Policia e Shtetit konfrontohet me atë Bashkiake në Shkodër dhe në disa rrethe të  vendit. Digjen materialet zgjedhore.

Flaka, aty-këtu në institucionet ku janë vendosur KZAZ-të, është paralajmërimi se ky zjarr mund të agravojë, përtej pyjeve që digjen çdo verë. Të gjitha këto i shohin dhe zotërinjtë ndërkombëtarë dhe është kjo krizë politike që ata vendosën t’i shtyjnë për në Tetor negociatat e Shqipërisë për në BE, pasi i kishin shtyrë një herë vitin e kaluar, për këtë Qershor. Vendi rrezikon destabilitetin, aktorët këtu nuk ulën për të folur e gjetur zgjidhje, prandaj sytë e të gjithëve drejtohen nga ndërkombëtarët.

Por disa nga ata na thonë mirë e keni, vazhdoni, bëni zgjedhje më 30 Qershor. Disa të tjerë e bëjnë njërin vesh shurdh e njërin sy qorr. A janë ata këtu? A shkelin në terren, për të parë se ç’bëhet? A i ndjekin ekranet televizive dhe mediat e tjera? A e dinë se kjo është një dramë dhe jo një telenovelë, siç përpiqet ndokush ta bëjë qesharake? Një dramë, që duhet ta ndalim të gjithë, të mos ketë fund tragjik.

Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët! As menduar nuk e kishim se puna kishte arritur deri aty, sa të mblidhen në një tryezë me Kryeministrin, disa funksionarë të rëndësishëm të shtetit, ministra dhe deputetë dhe të flisnin me zyrtarë lokalë në Peshkopi, për punë zgjedhjesh, si për një komplot, aq më tepër me një gjuhë të shthurur.

Asgjë demokratike nuk kishte në ato biseda komprometuese, ku sa e lëshon “mikrofonin” njëri e merr tjetri dhe shefi i Qeverisë, i pranishëm aty, hesht, nuk ngrihet me neveri nga ajo tavolinë, që të kujton radiolojën “Liqeni i Vajkalit” apo “Buza e Bredhit”, kundër diversantëve, që në këtë rast të tillë janë kandidatët e opozitës për në pushtetin vendor.

Jo, Kryeministri është “dirigjenti” i asaj fushate elektorale të përfolur jo pak, si dhe i asaj të Durrësit një vit më pas, në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, përndryshe sot nuk do të shfaqej sikur nuk ka ndodhur vijon nga faqja 1 asgjë, në ato ditë të nxehta përgjimesh, duke ia hedhur fajin sa Opozitës, sa “Bild”-it, sa nxjerrjes nga konteksti të atyre dialogëve të degjeneruar. Sigurisht që nuk e kishin shkuar ndërmend se do të dilte dikush t’i përgjonte aferat e tyre elektorale, por ja që në demokraci nuk mund t’i mbyllësh të gjitha shtigjet e kanalet.

Tani po merret vesh se pse Opozita ishte aq e vendosur në rrugën e saj të protestës dhe djegien e mandateve, që shumëkush nga ne e ka qortuar, si dhe për të mos u ulur në tavolinë me zotin Rama.

Ngaqë ajo nuk besonte se e njëjta situatë nuk do të përsëritej dhe në këto zgjedhje të 30 Qershorit. Por tani çështja ka ardhur në një pikë kritike, duhet gjetur një zgjidhje brenda më pak se dhjetë ditëve, që vendi të mos shkojë në përplasje civile. Dekreti i Presidentit si duket është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur krizën me themel. Kryeministri nuk po jep shenja se do të dorëhiqet, çka do të ishte një akt i mirëpritur, çtensionues dhe jo vetëm. Partia Socialiste ka humbur në tymnajën e “Rilindjes”, që është organizata e sendërtuar nga kreu i qeverisë, për ta pasur korin e tij politik.

Nuk shohim ish-funksionarë socialistë me integritet të shprehen në media se çfarë po ndodh me qeverisjen e të majtës. Po shkojmë drejt një rënie të dytë të zgjedhjeve, pas atyre shkatërrimtare të demokracisë të vitit 1996. Gjithkund ndihet frika e një ‘97-te tjetër. Puna është se një lexim të tillë ende nuk e kanë bërë ndërkombëtarët, duke u kapur pas frazash për demokracinë dhe të drejtën e votës, që nuk thonë asgjë në këtë terren të “fortësh”, ku palët nuk lëshojnë pe. Si do të përkthehen përgjimet marramendëse nga Uashingtoni dhe Brukseli?

Ato nuk lënë shteg për diskutim, pasi ata që komplotojnë hapur kundër zgjedhjeve nuk janë funksionarë partiakë të provincës, por drejtues lokalë e rajonalë strukturash shtetërore, deputetë, ministra, kryetarë komisionesh parlamentare etj. Aq më tepër që pazaret elektorale bëhen me njerëz me precedentë penalë, çka ka qenë dhe shkaku i përgjimeve nga Prokuroria.

Ndokush mund të thotë, po a mund të quhet komplot? Si mund të jetë ndryshe, kur eprori në qeveri, deputeti apo drejtori rajonal urdhëron votimin hapur të vartësit dhe familjes së tij, pasi në të kundërtën nuk do të ishte më në punë të hënën? Kësaj i thonë fitore me çdo kusht e me çdo mjet. Në një front me të mirin dhe me të keqin. Problemi është se maskarada vazhdon dhe sot.

Tjetri del e thotë vetë se ka qenë ai që ka folur në përgjime, por problemi ka qenë kështu e ashtu, kurse disa analistë të zellshëm të maxhorancës, demek me petkun e gazetarëve të pavarur, irritohen nëpër studio dhe përpiqen të na mbushin mendjen se janë ca procedura që duhen kaluar… se përgjimet nuk janë provë, por indicie… se do të shprehet Gjykata etj.

Natyrisht, këto le të bëhen dhe duhej të ishin bërë me kohë, ama, asgjë nuk e tjetërson atë zërin e funksionarëve, gjuhën me nuanca të së folurës krahinore, dhe sidomos me zhargonin e rrugës, që është prova më e mirë se kanë qenë ata, në daç në Peshkopi, në daç në Durrës etj.

Kryeministri duket i vendosur në rrugën e tij drejt 30 Qershorit, edhe pse Presidenti i Republikës i ka anuluar ato. Ai tashmë dhe në studio televizive vete me fanellën e 30 Qershorit veshur. Ndërkohë, opozita e ka shpallur verdiktin e saj, nuk i pranon këto zgjedhje dhe deklaron se nuk do t’i lejojë. Përplasja ka dhënë shenjat e para të agresivitetit. Atëherë, sërish ti, si qytetar i shqetësuar maksimalisht, thërret në ndihmë ndërkombëtarët, kumbarët tanë të përjetshëm, ambasadorët e “Fuqive të Mëdha”, të Amerikës, BE-së, OSBE/ODHIR-it, pse jo dhe të tjerë, që ta vlerësojnë seriozisht kolapsin zgjedhor në Shqipëri dhe të ndërhyjnë një orë e më parë. Ndoshta presin që këtë ta bëjnë nesër, por atëherë do të jetë vonë, teksa i vetmi “ambasador” që po e thotë fjalën e tij sot është “Bild”-i.

Zotërinj Ambasadorë! Ju nuk do të kishit lejuar që në vendet nga vini, në vitin 2019, të zhvilloheshin zgjedhje pa opozitën, rrjedhimisht, pa garë! Kurse këtu, maxhoranca “konkuron” me askushin dhe me askënd!!! Nëse nuk e keni ndaluar këtë farsë zgjedhore kur nisi, ndërhyni tani, pasi një 30 Qershor me përplasje mes votuesish dhe jovotuesish, me “molotov”, do të ishte dhe dështimi Juaj.

Burimi: Panorama