Opinione

“Teleskopia” gjeopolitike - Nga Klodi Stralla

 Klodi Stralla

Shpesh, jo vetëm në shkencë por edhe në fusha të tjera, për ta njohur më gjerë e më thellë një individ apo një ngjarje, rekomandohet ta vrojtojmë atë herë nga larg e herë nga afër, si të thuash të përdorim si mjet vrojtimi ‘teleskopin’ dhe ‘mikroskopin’, kuptohet figurativisht. Kësaj here do të përdor ‘teleskopin’ duke e parë Shqipërinë tonë nga larg, nga jashtë saj.

Nëntëmbëdhjetë ditë pas rënies të Murit të Berlinit (tetor 1989) guvernatori i Deutsche Bank, Alfred Herrhausen, u gjend i vrarë. U tha se këtë akt e bënë terroristët ndonëse ata nuk u gjetën kurrë. Herrhausen, që gëzonte një popullaritet dhe ndikim të madh në ekonominë europiane, ishte përkrahës i Strategjisë të kooperimit Lindje-Perëndim, me objektivin për të rikonstruktuar dhe rigjallëruar ekonomitë e falimentuara të Lindjes komuniste, përfshi edhe Rusinë. Ai ish shprehur hapur, publikisht, kundra politikave të FMN-së për Lindjen, veçanërisht kundra të ashtuquajturës “Terapi shoku”, me mbyllje masive të çdo aktiviteti prodhues ekzistues dhe blerjes të çdo gjëje nga importi, shoqëruar kjo edhe me eksode masive të popullsive vendase, duke i hapur rrugë oligarkëve tregëtarë të importit që, në bashkëpunim me ish-nomenklaturën e vjetër komuniste, të zbatonin pikërisht një strategji të tillë. Ne shqiptarët, veçanërisht, patëm rastin të provojmë, si nga hera, versionin më të keq të këtij orientimi ekonomik shkatërrues. 
‘Mesazhi’ që u dha përmes vrasjes të Herrhausen-it ishte i qartë: Të pengohej me çdo kusht krijimi i një hapësire ekonomike nga Atlantiku në Urale, që ish edhe objektivi strategjik i politikës anglo-amerikane për Europën e pas Murit të Berlinit.

Dalja e Britanisë nga BE-ja, qoftë edhe pa marrëveshje (pezullimi i Parlamentit në shtator edhe me miratimin e Mbretëreshës), krijimi i hapësirës ekonomike transatlatike, SHBA-Kanada-Britani (deklaruar nga Trump) dhe riformatimi i NATO-s (spostimi i saj drejt Lindjes), bëhen për t’iu kundërvënë supremacisë ekonomike të Gjermanisë në BE, sidomos moslejimin e një bashkëpunimi më të gjerë midis saj dhe Rusisë. Kjo është arsyeja pse ekziston ende NATO që, siç po shihet, do të spostohet nga qendra e Europës në lindje, duke krijuar një “kordon sanitar’ midis Gjermanisë dhe Rusisë - nga Finlanda, në Vendet balltike, në Poloni dhe deri tek shtetet e Ballkanit perëndimor. Ajo (NATO) duhet të vijojë të njëjtin mision që kur se u krijua: Të mbajë amerikanët brenda (Europës), rusët jashtë saj dhe gjermanët “të gjunjëzuar”. Në këtë kuadër duhen parë përkëdheljet e sedrës franceze për madhështi (Makron lideri i Europës) dhe mbështeja për vendet lindore ish-komuniste që ndjejnë kërcenimin e dy gjigantëve (rusëve dhe gjermanëve) që i kanë shtrënguar si në morsë.

Ku jemi ne shqiptarët në këtë “Lojë” të madhe gjeopolitike? Druhem (qofsha i gabuar) se ka gjasa që hapësira shqipfolëse të përdoret nga anglo-amerikanët si burim ‘ngacmimesh’ për Europën, si dispeçeri narkotikësh, vendstrehim klandestinësh, pastrim parash etj, dhe, nëse do të ndodhë kjo, pasojat do të jenë të dhimbshme: shpopullim masiv, narko-shtet, regjim autoritar, rikthim tek metodat e ish PPSH-së, braktisje nga BE - shenja të shumta që po i vërejmë që tani, duke filluar me njoftimin se Matthew Palmer caktohet si përfaqësues fuqiplotë DASH për Ballkanin Perëndimor.