Opinione

BE-Shqipëri, perceptime dhe realitete - Nga Asllan Hila

Publikuar për herë të parë në gazetën «Shekulli», Mars 2004

 Kur ne fillim te viteve 90 sheshet tona ushtonin nga thirrjet “E duam Shqiperine si gjithe Europa” shqiptaret instiktivisht artikulonin endrren e tyre per nje jete normale ne nje shoqeri te perparuar.  Qe atehere kane rrjedhur shume ujera.  Kemi pare gjendjen tone shpirterore te lekundet nga euforia per t’u bere “europiane” per pak vite, tek zhgenjimi qe mund te na duhen dekada per ta pare ose dhe per mos ta pare endrren realitet.  Per kete kane mjaftuar vetem deklaratat e rradhes nga Brukseli. 

 Nese duam te shpetojme nga makthi i lekundjes midis shpreses dhe zhgenjimit te rradhes ka ardhur koha te bejme disa pyetje qe ndonese te thjeshta mund te na japin pergjigjen se a do ta jetojme ndonjehere endrren tone.  Kur ti jemi pergjigjur pyetjeve ndoshta te çuditur do te gjejme se me mire do te ishte ta shikonim Evropen si projekt se sa si enderr.  Por nje projekt qe nuk duhet ta deshtojme!

Evropa nuk sjell parajsen

Ideja me e perhapur eshte qe kur te hyjme ne Evrope do te jetojme po aq shik sa per shembull anglezet ose gjermanet.  Asgje tjeter nuk eshte me larg realitetit se kjo ide.  Ne aspirojme per nje Evrope ku pasuria (e matur si Prodhimi i Brendshem Bruto per fryme ose PBB/F) midis anetareve eshte mjaft e ndryshme.  Ajo luhatet nga $ 48,900 (Luksemburgu) ne $ 19,100 (Greqia).  Dy vale zgjerimesh te BE do te ndodhin: e para ne 2004 me 10 anetare te rinj (Estoni, Letoni, Lituani, Hungari, Çeki, Sllovaki, Poloni, Slloveni, Malte, Qipro) dhe e dyta ndoshta ne 2007 me Rumanine e Bullgarine.  Dhe ne kete rast do te gjenim nje BE ku kufiri i poshtem i pasurise do te shkonte deri tek $ 6,500 (Bullgaria).  Brenda BE se sotme dinamika ekonomike eshte mjaft e ndryshme midis vendeve te ndryshme.  Per shembull papunesia luhatet nga 3% (Hollanda) ne 11.3% (Spanja).

Siç shihet BE, ose siç e quajme perdite Evropa, eshte nje klub te kamurish dhe jo aq te kamurish.  Qenia anetar nuk te ben automatikisht te pasur.  Ajo qe Evropa garanton eshte thjesht mundesia qe duke qene anetar dhe duke i bere gjerat mire nje dite ta shohesh veten  ne rrjeshtin e anetareve te kamur te klubit.   Duke qene thjesht mundesi nje pyetje lind natyrshem.

Çfare fitojme dhe çfare paguajme per te hyre ne Europe?

Fitojme dy gjera te medha: perkatesine dhe funksionimin. Perkatesisht çertifikohemi se i takojme atij lloji vendesh qe karakteristike te tyre kane demokracine, shtetin e se drejtes dhe ekonomine e tregut. Po ashtu ne kete proces pershtatjeje me rregullat e lojes se klubit si parakusht per anetaresim arrijme te ndertojme nje shtet qe funksionon.  Te mirat e tjera te anetaresimit per Shqiperine mbeten relative dhe po i analizojme:

Ndihma rajonale:  Eshte transferte parash nga vendet e pasura ne vendet qe kane nivel PBB/F me te ulet se 75% e mesatares se BE.   Pothuajse te gjitha vendet e Evropes Lindore qe perfshihen ne valen e pare te zgjerimit kualifikohen per kete ndihme.  Te gjithe do te konkurrojne fort me njeri tjetren kush te marre me shume fonde dhe kur Shqiperia te hyje ne BE jo vetem do te perballoje kete konkurrence por deri atehere dhe legjislacioni mund te kete ndryshuar (BE ka treguar qe eshte nje krijese qe ndryshon per te mbijetuar).

Politika e perbashket bujqesore:  Me tiparin kryesor pagesat direkte fermereve nuk do ti ofrohet plotesisht anetareve te rinj.

Liria e punesimit:  Nuk do tu ofrohet e plote anetareve te rinj ne zgjerimin e 2004, parashikohet nje periudhe kalimtare 7 vjeçare.  Edhe kur te ofrohet, ne nje bote reale, jo legjislative, ka pak mundesi qe t’i jepet puna nje polaku qe konkuron per nje vend te mire pune me nje gjerman, ne nje kompani gjermane, ne Gjermani.  Skenari me i mundshem eshte qe punerat e papreferuara te mbushen me punetore nga Lindja.

A ka bilete falas per ne Evrope?

Fatkeqesisht jo.  Paguajme dhe jo pak.  Le ti rendisim:

Aftesi me e kufizuar vendimmarrese:  Ose ndryshe hidhe vallen sipas DJ (Di Xhej-it) ne Bruksel.   Rreth 50% e ligjeve per vendet antare te EU miratohen ne Bruksel dhe jo gjithmone ligjet e Brukselit i pershtaten realiteteve ku ato zbatohen.  Neser Tirana do te jete me Brukselin ne ato raporte siç eshte pak a shume sot, per shembull, Bashkia e Shkodres me Kryeministrine.  Kete lloj kemishe shtrenguese ne e kemi ndjere qe para anetarsimit.  Per shembull, ne kushtet e Shqiperise me nje shtet te brishte dhe me kriminalitet te larte ne kemi hequr denimin me vdekje kur ka demokraci te mirefillta me shtet te forte qe akoma e aplikojne si SHBA apo Japonia.

Kosto ekonomike: Nga zbatimi i Marreveshjeve te Tregtise se Lire me vendet e rajonit humbim disa nga te ardhurat doganore te meparshme.  E kjo s’eshte pak per nje buxhet ku te ardhurat doganore kane peshe te rendesishme.  Kosto te tjera shtohen nga ligjet e BE per mjedisin.  Sipas Bankes Boterore, zbatimi i plote i ligjeve te mjedisit te BE nga anetaret e rinj te 2004-s do t’u kushtoje ketyre te fundit midis 50-100 miliarde euro gjate viteve 2001-2011.  Mund te shtohen kosto mbi ekonomine nga pershtatja e legjislacionit mbi fuqine punetore.  Tek e fundit do te shtoheshin te gjitha ato kosto qe jane te parashikuara per nje klub te kamurish.

Kur do te hyjme ne klub? 

Veshtire per te gjetur daten e sakte. Per te mos spekulluar dhe fantazuar mund t’i pergjigjemi pyetjes duke perdorur disa kritere dhe duke pare historine e zgjerimit te BE.  Njeri kriter eshte ai i nivelit ekonomik.  Normalisht do te mund te pranohemi kur te kemi PBB/F te pakten sa anetari me PBB/F me te ulet ne BE i 2007 qe eshte Bullgaria.  Duke supozuar nje rritje vjetore ekonomike prej 5%, llogaris qe do te na duhen 10 vjet qe te arrijme kete nivel.  Kriteri tjeter qe perdor ose kriteri krahasues eshte koha nga paraqitja e aplikimit zyrtar per anetaresim deri ne daten e anetaresimit.  Polonia dhe Hungaria paraqiten aplikimin e tyre ne 1994, filluan negociatat per anetaresim ne 1997 dhe do te pranohen ne 2004, pra 10 vjet.  Mund te themi se te pakten po kaq vjet do ti duhen dhe Shqiperise, plus kohen per te perfunduar Marreveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe kohen per te paraqitur aplikimin zyrtar dhe fare mire mund te shkojme ne kufirin e 15 vjeteve. 

Eshte 2004, shtojme 15 vjet dhe te lumtur mund te terheqim nje pasthirrme kenaqesie per Evropianin ose me sakte BE-ianin e ri te 2020.  Veçse jemi akoma tek gjysma e se vertetes.  Edhe pse kriteret e mesiperme mund te realizohen Evropa ka disa parakushte per tu pranuar ne klub.  Themeloret jane demokracia, shteti i se drejtes dhe nje ekonomi tregu funksionale.  Nuk e dime se sa kohe do te duhet qe BE t’i quaje te plotesuara keto parakushte.  Kujtojme se Turqia ka nenshkruar nje marreveshje asocimi me BE ne 1963 ka paraqitur aplikimin zyrtar per antaresim ne 1987 dhe akoma nuk ka filluar negociatat per anetaresim. 

Nje gje eshte e qarte.  Ne rastin me te mire mund te jemi ne BE dikur rreth 2020 dhe ne rastin me te keq Zoti e di se kur.  Meqe kjo eshte nje «valle dyshe» Bruksel-Tirane pyetja per secilin nga «valltaret» eshte çfare mund te bejne ata me shume qe shqiptaret te behen “homos BE-europianus” ne 2020?

A mund te beje me shume Brukseli?

Pergjigja eshte nje po e forte ne disa plane. 

E para te rrise ndihmen ekonomike per Shqiperine.  Dikush mund te thote qe Brukseli ka hedhur miliarda dollare deri tani dhe se “kalit te falur nuk i shihen dhembet”.  Megjithese besoj fort proverbin them se “ne dy kuaj te falur, dhembet krahasohen”.  Per te qene “fair” ose i drejte me Brukselin krahasova dy plane, “Planin Marshall” per rindertimin e Evropes Perendimore dhe ndihmen e BE-se per Evropen Juglindore.  Te dy planet jane te krahasueshme per nga kushtet kur jane zbatuar, dhe nga qellimi.  Jane zbatuar ne kushte te ndryshimeve te medha historike dhe jane perdorur per te konsoliduar demokracine ne vende qe kane dale prej periudhave te veshtira (respektivisht Lufta e Dyte Boterore dhe Komunizmi). 

Per nje periudhe 4 vjecare “Plani Marshall” ofroi nje ndihme qe llogaritet me dollaret e sotem prej minimumi 133 miliarde dollare per 270 milion banore.  Ose afersisht 500 milion dollare per 1 milion banore.  Qe nga viti 1991 deri ne 2003 BE ofroi nje ndihme prej 7 miliarde dollaresh per Evropen Juglindore.  Duke lene jashte llogaritjeve Sllovenine dhe Serbine (per shkak te sanksioneve) per nje periudhe 4 vjeçare kemi nje nivel ndihme prej 2.5 miliarde dollare per 14 milione banore ose afersisht 180 milione dollare per 1 milion banore.  Ne rastin me te mire niveli i ndihmes se BE eshte rreth 3 here me i vogel nga “Plani Marshall”.  Eshte e thjeshte per Brukselin t’i kerkoje Shqiperise zhdukjen e kriminalitetit por varferia ushqen kriminalitetin.  Dhe ky s’eshte fenomen vetem shqiptar.  E gjejme ate madje ne vende qe sot jane antare te BE si psh Italia.  Ka nje arsye pse Mafia dhe Ndrangheta jane kryesisht fenomene te Italise se Jugut.  Arsyeja eshte se Jugu eshte rajoni me i varfer i Italise.  Duke na ndihmuar me shume ekonomikisht Brukseli na jep nje dore qe te mos jemi “djali i keq i lagjes”.

Ne mos paste para Brukseli mund te na ndihmoje duke lehtesuar levizjen e Shqiptareve ne Evrope.  Arsyetimi se heqja e vizave do ta mbyse Evropen me shqiptare nuk ka baze reale.  Nuk kemi pare te gelojne rruget e Evropes me rumune e me bullgare kur atyre ju hoq regjimi i vizave.  Per me teper kush ka dashur te ike nga Shqiperia tashme ka ikur. 

Nese s’ben dot as njeren as tjetren, te pakten te na ofrohet nje date hyrje.  Argumenti i Brukselit se zgjerimi ul mestaren e PBB/F nuk qendron ne rastin e Shqiperise.  Nese pranimi i Spanjes, Portugalise dhe Greqise e uli kete mesatare 6%, nese zgjerimet e 2004 dhe 2007 se bashku do ta ulin kete mesatare rreth 13%, llogaris se pranimi i Shqiperise e ul vetem 0.5%.  Edhe sikur gjithe Europa Juglindore te pranohej llogaris qe ndikimi ndaj mesatares se BE me 27 anetare te sjelle nje ulje prej vetem 4 %.   Brukseli ka plot burokrate qe mund te llogarisin nje date hyrje, qofte edhe te perafert.  Keshtu shqiptaret do te mund te shihnin driten ne fund te tunelit.

A mund te beje me shume Tirana?   

Perseri pergjigja eshte nje po e forte. 

E para eshe plotesimi i parakushteve per aplikim qe jane demokracia, shteti i se drejtes dhe ekonomia e tregut funksionale.   Do te permbushim kriterin e demokracise kur te kemi dhe vullnetin dhe kulturen politike per te realizuar zgjedhje te lira dhe te ndershme. Zor se do te kemi shtet te se drejtes nese 60 vjet pasi u jane marre pronat pronareve te ligjshem dhe 14 vjet pasi kemi patur mundesine per t’ua kthyer, propozojme kthim me çmimin e 1945 (ose te tjera zgjidhje gjysmake)!!!  Do te kemi nje ekonomi tregu funksionale kur secili do te kete mundesi te barabarta per te zhvilluar iniciativen e lire dhe per te konkuruar me te tjeret dhe ku shteti shnderrohet ne garantues te iniciatives se lire.

Nese mendojme se me reforma gjysmake do t’ia hedhim Brukselit genjejme veten.  Kujtojme dhe njehere rastin e Turqise.

Meqe ne rastin me te mire na duhen dhe rreth 15 vjet per t’iu bashkuar Evropes, politika shqiptare e sotme por dhe ajo e neserme duhet te ndryshoje “modus operandi”-n e saj.  Maksima se “Hyrja ne Evrope do te na zgjidhe hallet” nuk qendron sepse pame se Evropa nuk te ben automatikisht te pasur.  Nje tjeter maksime ndoshta eshte me afer te vertetes “Duke zgjidhur hallet mund te hyjme ne Evrope”.  Edhe sikur Evropa te behej zemergjere e te na pranonte ne nje gjendje cope-cope nuk do te ishte nje pozite per t’u lakmuar, pasi anetaret e klubit do te na tregonin me gisht si ate djalin qe bie ere ne korridor te shkolles.   Ne te kundert duke zgjidhur hallet edhe sikur Evropa te mos kete oreks per te na pranuar, do te kemi ndertuar nje shoqeri qe edhe ne mos u quajte BE do te mund te quhej krenarisht demokraci funksionale, ashtu si shume te tjera ne bote.

Ka ardhur koha qe Brukseli dhe Tirana te behen serioze ne ate qe duan te arrijne.  Perndryshe ka mundesi qe ne 2020, pas 30 vjet marredheniesh, t’i japin doren njeri-tjetrit dhe t’i thone “Erdhem, u takuam dhe beme nje vrime ne uje”.