Opinione

Jane Fonda apo Donald Trump? - Nga Arben Kallamata

Nëse dikush do të më pyesë se kush përfaqëson më shumë Amerikën, Jane Fonda apo Trump unë do t’i përgjigjesha pa hezitim Fonda.

Nuk ka të bëjë me parapëlqimet politike. Nuk ka të bëjë fare me faktin që Jane Fonda është arrestuar dje në Washington DC duke protestuar për mjedisin. Nuk ka të bëjë as me bëlbëzimet dhe politkat anti-sociale, çoroditëse, agresive, raciste të Presidentit Donald Trump.

Ka të bëjë me mënyrën se si unë jam mësuar ta shoh Amerikën që në fëmijëri, me llojin e Amerikës që unë dhe përgjithësisht njerëzit që kam pasur rreth meje kemi pasur si vizion dhe si ideal në rini; me domethënien që kishte Amerika për botëkuptimin tonë.

I lindur e i rritur në vitet e diktaturës, për mua dhe shokët e mij Amerika ishte ai vezullimi i largët dhe shpresëdhënës i hënës, që e shihnim, e ëndërronim, e dëshironim, por që nuk mendonim dot kurrë se do ta kapnim. Unë dhe një pjesë e madhe e brezit tim e kaluam rininë duke dëgjuar fshehtazi rokun e viteve 60të - 70të, duke parë me zë të ulët dhe me figurë të paqartë filmat e asaj periudhe. Për ne ideali i Amerikës ishin lëvizjet e mëdha shoqërore të atyre viteve, ishin hipitë, ishin flokëgjatët dhe fundshkurtrat, ishin pikërisht ata njerëz që protestonin luftën në Vietnam, kërkonin barazi shoqërore për të gjithë, ata që përplasnin me forcë dhe thyenin tabutë e establishmentit.

Ne ishim me Woodstock-un, nuk ishim me akademitë ushtarake. Ne ishim me Muhamet Aliun, nuk ishim me Niksonin. Ne ishim me Joan Baez, me Bob Dylan, me Jimmy Hendrix, me Janis Joplin, me Bono dhe Cher, me James Brown dhe me Tomin e The Who; nuk ishim as me General Electric, as me Ford Motor Company, as me Wall-Street, as me korporatat gjigande, të cilave nuk ua dinim emrat dhe nuk na interesonin. Ne ishim të varfër por nuk ëndërronim pasuri. Ne ishim nën diktaturë dhe ëndërronim lirinë. Na gëzonte fushata kundër konservatorizmit e fundit të viteve gjashtëdhjetë, ndërkohë që na goditi rëndë lufta kundër liberalizmit, dënimi i Festivalit të 11-të, i Njollave të Murme, i çdo shenje progresive, liberale që kishte filluar të çfaqej në atë vend pikërisht nën këtë ndikim. 

Për ata që s’e njohin dhe që e shohin sot si një 81 vjeçare që kundërshton idhullin e konservatorizmit, miliarderin Donald Trump, Jane Fonda është aktore, aktiviste shoqërore dhe modele amerikane, që ka fituar veç të tjerash edhe dy çmime Akademike, dy çmime BAFTA, gjashtë çmime Golden Globe, një Emmy. Ushtrimet e saj aerobike të përmbledhura në videon Jane Fonda’s Workout që dolën në shitje në 1982 u bënë videokaseta më e shitur në Shtetet e Bashkuara dhe ndikuan në lindjen e një lëvizjeje të tërë ushtrimesh fizike në shtëpi që vazhdon edhe sot.

Jane Fonda ka qënë veprimtare për të Drejtat Shoqërore dhe kundërshtare e vendosur e Luftës në Vietnam. Ajo mbetet ikonë e lëvizjes feministe jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën. Fonda i është përkushtuar punës për t’i bërë viktimat e dhunës seksuale të ndërgjegjshme se ‘përdhunimi nuk është faji i tyre’.

Një pjesë të mirë të veprimtarisë së saj shoqërore e zë lufta për të drejtat e popullsisë Vendase Amerikane. Ajo ka qënë aktive kundër Luftës në Irak dhe vazhdon të protestojë energjikisht për çështjet e ndryshimit të klimës.

Prandaj midis Amerikës së Jane Fondës dhe Amerikës së Donald Trumpit unë anoj pa hezitim, pa u menduar , instiktivisht dhe tërëqënësisht nga e para.