Opinione

Retorika teatrale e Ohrit dhe debati mes Kosovës e Shqipërisë - Nga Afrim Krasniqi

Inciativa e Ohrit

Mendoj se është një përpjekje e tyre për të fituar vëmendje në kancelaritë perëndimore pas vendimit refuzues të BE ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Ideja e bashkëpunimit rajonal midis vendeve në Ballkan dhe e “rënies” së mureve ndarës, përfshirë edhe ato të lëvizjes së lirë dhe shkëmbimit të mallrave, tingëllon ide trendy në Bruksel, Berlin e Paris, ndaj takimi i Ohrit u shfrytëzua në funksion të këtij qëllimi. Dështimi i BE për të mbajtur premtimet në raport me zgjerimin dhe impakti negativ që pritet të ketë dobësimi i rolit të tij në Ballkanin Perëndimor, i ka krijuar hapësirë nismave të tilla të integrimit rajonal, të cilat gjithsesi nuk arrijnë dot të zëvendësojnë dhe as të konkurrojnë procesin e integrimit europian. Pas nismës së procesit të Berlinit bashkëpunimi rajonal është konsideruar proces i nevojshëm dhe me interes shumëplanësh, megjithëse impakti i tij mbetet simbolik. Prania e BE dhe projekti i zgjerimit të tij drejt Ballkanit Perëndimor mbeten jetike për rajonin edhe në kontekstin e kapaciteteve reale për ndryshim në standardet ekonomike, sociale dhe politike.

Efektet e idesë së mini-Shengenit

Nuk është hera e parë që ndërmerren nisma të tilla lokale. Prej fillimit të viteve 2000 ka pasur nisma të njëjta për zonë ekonomike ballkanike apo për zonë të lirë të lëvizjes, nisma që kanë dështuar. Nisma më e fundit nuk premton sukses dhe me siguri, më shumë se rezultate afatgjata pritet të ketë rezultate afatshkurtra, kryesisht për imazhin e rajonit në BE dhe për vetë imazhin e tre kryeministrave. Nisma ka vlerë kur ka mbështetje politike të të gjitha vendeve dhe kur ka interesim të tregjeve dhe qytetarëve. Në rastin konkret nisma ende nuk ka siguruar konsensus rajonal dhe nuk ka tregues serioz të reflektimit pozitiv nga tregjet, për sa kohë që partnerët kryesorë të shkëmbimit ekonomik nuk janë fqinjët rajonalë, por fuqi të tjera ekonomike jashtë rajonit. Vetë dobësia e aftësisë për demokraci funksionale dhe shtete të së drejtës në tri vendet inicuese të nismës janë gjithashtu tregues kritikë që shkojnë në kontrast me retorikën e përdorur në samitin e Ohrit. Modelet autoritariste dhe sistemet ekonomike të bazuara tek klientela dhe oligarkia nuk mund të sigurojnë hapje konkurruese të tregjeve dhe as liri shkëmbimi të qytetarëve, mallrave dhe ideve.

Debati Kosovë-Shqipëri lidhur me këtë çështje

Debati midis politikës në Tiranë dhe asaj në Prishtinë e eklipsoi samitin dhe retorikën ndaj tij. Kryeministri Rama gaboi kur në krah të liderëve të tjerë rajonalë, sidomos atij të Serbisë, kritikoi Kosovën për vetizolim, një argument që tradicionalisht ka ardhur nga pala serbe. Replikat midis tij dhe kryetarit të LDK ose ndonjë zëri tjetër politik në Kosovë nuk kanë vlerë afatgjatë, pasi janë replika ditore konsumi, por me rëndësi ka fakti se si është e mundur që realiteti i ri në Kosovë të mos njihet e respektohet në Tiranë dhe anasjelltas, se si faktorët e rinj politikë në Kosovë të mos arrijnë të krijojnë dialog të besueshëm e funksional me Tiranën zyrtare. Kryeministri Rama dhe kandidati për kryeministër Kurti u takuan për rreth 5 orë në Tiranë dhe me siguri tema të tilla si nisma e Ohrit duhet të kenë qenë pjesë e bisedimeve. Nëse jo, cilat është temë tjetër më e rëndësishme se sa kjo në këto momente? Po ashtu, Tirana zyrtare ka detyrimin kushtetues dhe politik që në çdo rast të nismave politike rajonale të jetë në sinkron me Prishtinën zyrtare. Mosmarrëveshjet personale Rama-Haradinaj dhe vakuumi politik në Prishtinë duket se janë përdorur nga Rama për t’i njohur vetes shumë më tepër mandat përfaqësimi se sa ai që realisht ka. Megjithatë edhe në këtë rast doli mëse e qartë se asnjë nisme rajonale që direkt ose indirekt përjashton Kosovën dhe nevojën e njohjes së plotë të kredencialeve të shtetit te ri nuk mund të ketë sukses dhe se midis Tiranës dhe Prishtinës ka shumë gjëra që duhen dialoguar, për të cilat duhet reflektim i ndërsjelltë dhe me të cilat duhet të përballen dy kabinetet qeveritare. Retorika populiste e rënies së kufijve midis dy vendeve u shua pa dhënë asnjë rezultat konkret, ashtu siç retorika e re populiste e rënies së kufijve rajonale është e destinuar të mos ketë jetëgjatësi. E kundërta, - strategjia për të kapur rrjedhën e integrimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave dhe futjen në procesin integrues edhe për Kosovën, janë e mbeten prioriteti kryesor i vitit 2020 për Tiranën, Prishtinën e Shkupin. Çështjet e tjera, përfshirë shfaqja e fundjavës në Ohër, janë tema konsumi politik, janë teorikisht të padëmshme, por edhe praktikisht jo funksionale.