Opinione

Ku shkojnë donacionet tuaja?

Në këto ditë të vështira për kombin natyrshëm preket shpirti i çdo shqiptari. Si të ndihmoj është pyetja që i bëjmë vetes? Cilat janë mjetet që kam në dorë? Po mundësitë?

1.

Diaspora shqiptare në Kanada është mobilizuar në rrjetet sociale për të mbledhur fonde. Janë iniciativa personale ose të shoqatave që përmes gofoundme, mbledhin para nga bashkëatdhetarët. Këto të ardhura thuhet se do të përfundojnë në llogarinë bankare që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion.  Por a duhet të kemi besim se gjithçka do të shkojë për qëllimin e mirë? A do t’i përdorë mirë qeveria këto fonde apo do t’i shpërdorojë siç ka bërë historikisht me paratë e popullit? Të kuptohemi, të ndihmosh, të dhurosh është vlerë, por nëse ajo nuk shkon aty ku duhet, si do të ndiheshit? 

2.

Nga ana tjetër, kemi edhe një peticion që po qarkullon mes komunitetit shqiptar në Kanada. Ky dokument online, i drejtohet Kryeministrit Trudeau për të ndihmuar Shqipërinë. Në fakt qëllimi i një peticioni është t’i kërkohet qeverisë të ndërmarrë një veprim ligjor ndaj një çështjeje që territorialisht i takon. Kështu që çfarë do të ishte më efikase sesa peticioni? Një kërkesë për takim me përfaqësues të qeverisë Kanadeze, ose me grupin e deputetëve të miqësisë Shqipëri-Kanada nga ana e ambasadës së Shqipërisë në Ottava do të ishte një veprim progresiv me mundësi reale suksesi, që do të përkthehej në ndihmë për Shqipërinë. Ose çdokush mund t’i drejtojë e-mail deputetit të zonës që t’i kërkojë qeverisë federale ndërhyrjen në këtë situatë emergjence në Shqipëri. Kështu përmes përfaqësuesve të shtetit mund të bëhen kërkesa për të ndihmuar institucionalisht një shtet tjetër në nevojë.

3.

Ka edhe një variant tjetër. Për shembull donacionet mund t’ia besoni organizatave që kanë treguar se dijnë të ndihmojnë vërtet e jo të shiten sikur. Ka disa të tilla në Shqipëri, tek të cilët pa frikë dhe me dashuri mund të kontribuosh. “Fundjava ndryshe” me Arbër Hajdari, “Aleanca për Teatrin” dhe “Fondacioni Firdeus” ose "Shqiptarët për Shqiptarët" i identifikuar me Elvis Naçin, janë tre prej tyre, të cilat kanë fituar besimin e qytetarëve jo prej llafeve boshe dhe përfitimeve për kredite personale por me vepra konkrete. Me siguri që duhet të ketë shoqata apo qendra të tjera të besueshme e përgjegjshme me shtrirje në të gjithë vendin. 

4.

Në rast se nuk ua mbushin mendjen organizatat lokale, keni ato ndërkombëtare, ku çdo qindarkë e derdhur kontrollohet e verifikohet me kujdes siç është Kryqi i Kuq, UNICEF apo World Vizion. Në çdo kohë mund të bëni donacion dhe të jeni të bindur se paratë tuaja do të shkojnë për ndihmë të organizuar dhe jo të ç’orientuar dhe të mangët që administron qeveria shqiptare.

5.

Si përfundim, para se të filloni të kundër reagoni emocionalisht se e rëndësishme është që të solidarizohemi e të bëhemi bashkë, pavarësisht cedimeve në administrime, jotransparencave tipike shqiptare, zhvilloni të menduar reflektiv dhe kujdesuni për ndihmën tuaj deri në fund, se vërtet është e çmuar.

©FlasShqip.ca

Tagged under flasshqip Editorial