Opinione

Në “emër të tërmetit”, të dënoj për panik - Nga Gjergj Zefi

Nga: Gjergj Zefi

Si po e përdor Edi Rama gjendjen e emergjencës për të kërcënuar dhe futur në burg njerëz. Llojet e gjendjes së jashtëzakonshme sipas ligjit dhe mashtrimi i madh i kryeministrit

Skandaloze sjellja e Ministrit të Rendit dje në Lezhë. Thjeshtë skandaloze! Ndërkohë që shefi i urbanistikës së bashkisë i "qante hall" se një pallat aty ngjitur nuk plotësonte kushtet për banim dhe kërkohej mendim ekspertësh për të vendosur, ministri sharlatan i Ramës - që i ka turpëruar me kohë gradat që mbante deri kur vendosi ti hynte politikës - ia ktheu me ulërima: Panik, ti po përhap panik. Kjo (dëmtimi i pallatit), nuk është e vërtetë.

E pra Lleshaj as e kishte parë pallatin dhe as ishte në gjendje ta vlerësonte. Megjithatë i drejtoi gishtin duke ulëritur specialistit të bashkisë, ky i zverdhur në fytyrë si meit, dhe ai gisht nënkuptonte burgun. Sepse në situatë të emergjencës civile, përhapja e panikut dënohet me burg.

Por ai ishte ky rasti i përhapjes së lajmit të rremë dhe panikut?

Një natë përpara këtij episodi, çunat e Lleshit, tamam si hafijet e Enverit dikur, pritën sa të binte nata dhe i dolën përpara aktivistes Adriana Kalaja dhe po të mos kish qenë për kolegët e tjerë të saj që i dolën në mbrojtje me të vetmen gjë që kishin - kamera e celularëve live - kush e di në çfarë biruce do të kishte përfunduar.

Cili ishte faji i Adrianës dhe aktivistëve të tjerë të Aleancës për Teatrin? Kishin xhiruar dhe publikuar një makinë që shkarkonte ndihma (qeset ishin të Fundjavë Ndryshe) dhe batanije në Ministrinë e Brendshme. Dhe me të drejtë pyesnin: çfarë donin aty ndihmat e destinuara për të dëmtuarit nga tërmeti? Si përgjigje morën një status të ministrit se ata do të mbanin përgjegjësi. Po, përgjegjësi për çfarë?
Në darkë ndodhi incidenti i mësipërm

E pra këta janë vetëm dy episodet e fundit të ndodhura, një në Lezhë e një në Tiranë. Por që prej ditës që Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, të tilla ka pasur plot. Janë dënuar gazetarë e mbyllur faqe on line me sebep...panikun.

A e parashikon vërtet ligji këtë lloj ekstremi apo Kryeministri po përfiton nga rasti të bëjë atë që ka kohë që e ëndërron: të varrosë përgjithmonë zërat kundër?

Për hir të së vërtetës, për ata që kanë dashur të dëgjojnë dhe kuptojnë, Edi Rama foli që ditën kur vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Ai ishte i qartë si drita e diellit dhe e paralajmëroi diktaturën që po instalon me sebep tërmetin.

"Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës, tha ai mëngjesin e 27 nëntorit. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t'iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore. Është e zgjatshme në vend, por për një periudhë 30 ditore gjendja e jashtëzakonshme ka disa detyrime për ata që do ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme, që mbase nuk do tu vijë përshtat atyre që e kanë predikuar, duke menduar se ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot".

Vini re fjalinë e fundit! Për kë e kishte fjalën Kryeministri? Për ata që futi në burg që të nesërmen apo për të gjithë ata që, qoftë edhe me një status në FCB, duan të thonë të vërtetat e tyre?

Natyrisht çdo lajm i rremë që provokon panik tek qytetarët meriton dënim, në gjendje emergjence ose jo.

Por a po përfiton nga rasti Kryeministri i Shqipërisë?

Rastet flasin vetë, por edhe ligji gjithashtu.

Janë tre rastet, të parashikuara në Kushtetutë, që diktojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme: gjendja e luftës, gjendja e jashtëzakonshme dhe gjendja e fatkeqësisë natyrore (neni 170/1). Secila prej gjendjeve ka veçori të posaçme dhe masat e jashtëzakonshme që merren, janë të ndryshme përfshirë edhe provokimet e panikut.

Aktualisht Shqipëria është në gjendje të fatkeqësisë natyrore në rajonet e prekura nga tërmeti, një gjende që Këshilli i Ministrave ka të drejtë ta vendosë për 30 ditë. Për më shumë i duhet vota e Kuvendit. Duhet thënë se gjendja e fatkeqësisë natyrore ndryshon nga "gjëndja e jashtëzakonshme" që e dëgjojmë shpesh nga shumëkush. E si e tillë ndryshojnë edhe kufizimet e të drejtave gjatë zbatimit të saj.

Kushtetuta i ka të shprehura shumë qartë. Në rastin e gjendjes aktuale që ndodhen qytetet e prekura nga tërmeti, pra të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të drejtat kushtetuese që mund të kufizohen janë: paprekshmëria e banesës (neni 37), liria e lëvizjes (neni 38), e drejta e një shpërblimi në rast shpronësimi (neni 41/4), e drejta për punë (neni 49) si dhe e drejta për grevë (neni 51). Ndryshe veprohet në rastet kur me ligj të Kuvendit është shpallur “gjendja e jashtëzakonshme”. Në këtë të fundit, ligji mund të kufizojë më tepër se 19 të drejta të tjera themelore të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë, përfshirë edhe lirinë e shprehjes, si dhe të drejtën për informim.

Për ta thënë më troç, fjala vjen e drejta për informim nuk kufizohet në gjendjen ku jemi. Po, ligji "Për Mbrojtjen Civile" sanksionon në mënyrë të veçantë të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion nga institucionet zyrtare (punë që deri tani e ka bërë vetë kryeministri). Madje, ai e parashikon informimin jo vetëm si një të drejtë, por edhe si një parim, krahas parimit për mbrojtjen e jetës, i cili, padyshim, zë vendin e parë. Nga ana e vet, media është natyrisht e detyruar tu referohet të dhënave zyrtare (ose burime jozyrtare, por të cituar se cilët janë), kur flitet për numër viktimash, listën e emrave, parashikimet e mëtejshme për mundësinë e ndodhive të tjera etj.

Këto janë sanksione të vendosura pikërisht për të shmangur panikun apo dhënien e informacioneve sensitive. Por në ligje apo Kushtetutë nuk thuhet gjëkundi që e drejta e fjalës duhet burgosur. As që tu tregosh burgun specialistëve kur shprehin një shqetësim që ka lidhje me jetë njerëzish e aq më pak që, kur dikush sheh me zë e figurë një shkelje flagrante, të mos u kërkojë llogari institucioneve.

Kjo nuk thuhet askund.

Atëherë pse në qeveri, i madh e i vogël, janë ngritur në këmbë duke bërë kryefjalë, panikun, kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme etj.,etj. Pse?

Pse edhe kërkesës për transparencë Rama e të vetët u përgjigjen me statuse Tweeter-i dhe paralajmërime të llojit, "do ju bëj atë që s'ua rrok mendja"?

A jemi në rrezik të vendosjes përfundimisht të një diktati?

Koha do e tregojë.../Pamfleti