Opinione

“Menaxhimi” i lavdisë - Nga Vangjush Saro

Mund të të zërë pija. Të zë shiu. Avioni. Shvejku tregon se si në aksh rrugë, për pak e kishte zënë një makinë... Por është keq e më keq kur të zë lavdia. Lavdia do këllqe që ta menaxhosh. (U përpoqa të gjeja një fjalë më afër shqipes që të zëvendësonte këtë gjënë, ‘menaxhimin’; pa sukses.)

Kështu. Shumë njerëz dehen nga lavdia; (e tillë vërtet apo e përfytyruar, mbase edhe e ofruar falas nga ç’kanë përreth). Në rafshe të ndryshme të jetës: Në politikë. Në letra. Në punë të historisë e të gjuhës. Me selfie. Pa selfie. Në kujtime. Përgjërime... I shoh këta njerëz krejt të shpartalluar në atë që bëjnë, sikur të ishin adoleshentë. Pooo! Lavdia duhet menaxhuar; ciladoqoftë ajo: E madhe, e vogël, reale, e ëndërruar, e pamundur, e sajuar... Me lavdinë nuk ka trimëri. Ajo është kuçkë; ta bjerr çdolloj pasioni real dhe ti bën festë së koti. P.sh. letërsia (për të cilën mund të them se e njoh disi) nuk është festë. Kur nuk lexon, kur fjalët e më të fundit të katundit ta prishin mendjen, kur merr e jep me veten tënde gjer në kufijtë e delirit, kur kërkon nga vetja më shumë nga sa mundet ajo të të japë, kur turresh vend e pa vend ndër publicitete dhe s’merr dot frymë së mburruri veten a së pëlqyeri gjithë ç’prodhon, kur jep orë e çast mendime të ‘vyera’, madje gjykon e përpiqesh të mbulosh me vrer ndonjë të cilit nuk i avitesh as gjer te noçka e këmbës (sa shumë zgjati kjo frazë, po të perifrazonim Becket-in) kësaj i thonë: “O kasolle, ku na mblodhe!”

Nëse nuk e kontrollon, ‘lavdia’ vërtet bëhet e rrezikshme. Ajo të merr përpara me peshën e saj mizore dhe të shtyp; ashtu gjysmë i ‘vdekur’ nuk ke mundësi të mbahesh pas parimeve elementare dhe as t’iu hedhësh një sy as atyre më miqve, fillon e bën diferencime që të zhveshin vlerash e besimi... Kur nuk di të menaxhosh lavdinë, flet kodra pas bregut; dhe të duket vetja gjeni: i diplomacisë, i letrave, i poezisë, i prozës, i kritikës, i gazetarisë, i rruzullimit. Kur nuk di ta menaxhosh lavdinë, politikan, shkrimtar, gjuhëtar, historian, botues - i vlertë apo fals, kushdo qofsh - shndërrohesh (pothuaj) në një psikopat.

Dhe e keqja nuk është thjesht te sjellja me njerëzit apo me kolegët; mjerisht, nuk je në gjendje të shohë mendjekthjellët botën që të rrethon, nuk ke kontroll mbi veprimet e tua, mbi fjalët, gjestet, inatet, të vërtetat, gjëra të cilat nuk arrin t’i menaxhosh. Është si puna e Sirenave të Ulisit. Duhet shumë forcë dhe modesti t'i mposhtësh... Më falni se u zgjata pak!