Opinione

Muret që po hanë shqiptarët - nga Ardian Muhaj

Tronditja e tërmetit na shkundi nga ideja se jemi të sigurtë nën projektet e mishmashta urbanistike të zhvilluara dekadat e fundit, përkrah atyre të kashta të dekadave të komunizmit. Tërmeti nga ana tjetër ngjalli edhe shpresë. Jo thjesht tek ai grusht njerëzish që gati sa nuk u mbytën nga vërshimi i befasishëm i bujarisë së shqiptarëve të mërguar nëpër botë e që tashmë janë dehur aq shumë prej asaj bujarie safi shqiptare, sa nuk e mbajnë mend në darkë atë që kanë thënë e ngrënë në drekë. Por, më e rëndësishme është se ngjalli shpresën e atyre që kanë marrë me PPP shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët. Atëherë kur dukej se nuk kishte mbetur kandidat për shpërngulje pa ikur, bash atëherë tronditja e tërmetit krijoi edhe një kontingjent të ri prej dhjetra mijëra vetësh të pastrehë, të cilët ushqehen me rrena të bukura derisa të vendosin të shpërngulen prej këtij vendi. Por nuk dua me fol për shqiptarët që po shpërngulen nga muret e tullta e të shembura, por për ata që po treten në mes të mureve të forta e të betonta.

Industria e vetme me përdorim fundor në Shqipëri është ajo e ndërtimit. Por kjo nuk mbart asnjë të keqe, përveçse të mira. E keqja është se shqiptarët që nuk janë shpërngulur ende, po zvogëlohen e treten në madhështinë e mureve gjithnjë e më madhështore. E nuk janë vetëm muret e reja që po hanë shqiptarët, por edhe ato të vjetrat. Shembulli më konkret është parlamenti. Godina e parlamentit është po aq e madhe dhe e fortë sa ç’ka qenë gjithmonë, por njerëzit deputetë që e popullojnë politikisht, janë zvogëluar e tretur aq shumë saqë janë bërë gazi i botës. Parlamenti ka mbetur me deputetë të zvogëluar e pa personalitet.

Por nuk është vetëm Parlamenti. Janë të gjitha institucionet. Ministritë e kryeministria, minibashkitë, bashkitë e kryebashkia, që të gjitha kanë të njëjtat godina me mure të forta e gjithnjë e më të bukura, por me njerëz të zvogëluar e gjithnjë e më të pavlerë. E nuk janë vetëm këto. Edhe universitetet, institutet, agjencitë e drejtoritë rregullojnë mure e shkatërrojnë njerëz.
Universitetet janë mbushur me pedagogë demagogë, që nuk dinë as me vjedhë punën e mundin intelektual të kolegëve të tyre europianë e afrikanë. Intelektual është ofendimi më i madh që mund t’u bësh dhe që nuk ta falin. E nuk janë vetëm këto. Edhe mediat, shoqatat e në përgjithësi shoqëria civile. Zyrat e ambjentet i kanë gjithnjë e më të mira, me kushte e teknologji, tableta e kompjutera të markës e versionit të fundit, por me gazetarë e rrogëtarë të paformë e gjithnjë e më bosh. E nuk janë vetëm këto. Edhe institucionet fetare që do duhej të ishin në ballë të ndërgjegjësimit të shoqërisë, i kanë ngritur e zbukuruar muret dhe i kanë zbritur e drobitur vlerat.

Nëse dikush mendon se duhet folur me emra konkretë e jo pa adresë, ja emrat konkretë. A ka brenda mureve të parlamentit deputetë si Mehdi Frashëri me shokë shumë? A ka brenda mureve të kryeministrisë e ministrive të tillë dinjitarë si Mirash Ivanaj me shokë plot? A ka nëpër institute e universitete shkencëtarë si Çabej me shokë? A ka në media pena si Konica me shokë? Dhe në fund por jo më e parëndësishmja, a ka në institucione fetare klerikë si Hafiz Ali Korça, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hafiz Ibrahim Dalliu, e plot e plot të tjerë?
Përfundimisht ne vetëm po ndërtojmë mure, mure pafund. E harrojmë me ndërtu njerëz, në fund.