Opinione

Serbia po rindez Bosnjën, BE merret me taksën e Kosovës - Nga Shaban Murati  

Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër në Ballkan që diplomacia e BE të angazhohet seriozisht për rreziqet e luftrave, që po ndizen në Ballkan. Në datën 15 shkurt në Beograd lideri i të ashtuquajturës “serpska republika”, Milorad Dodik, duke pasur në krah të tij presidentin e Serbisë, A.Vuçiç, dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, njoftoi se do të organizojë referendumin e shkëputjes së entitetit serb nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës, akt që është një formë shpallje lufte. Një ditë më vonë ai shpalli se Bosnjë-Hercegovina nuk do të ekzistojë më në pranverën tjetër dhe madje u mburr se “as SHBA nuk do të na ndalojë dot”, (dhe nuk e përmendi Europën, të cilën duket nuk e ka në refene).

Në 17 shkurt në parlamentin e entitetit serb në Banja Luka, Dodik deklaroi solemnisht: “Goodbye Bosnja-Hercegovina!”. Kërcënimet e udhëheqësit separatist të serbëve të Bosnjës ishin konkretizuar në 12 shkurt me vendimin e organeve e entitetit serb për të ndërprerë dhe bojkotuar të gjitha institucionet e shtetit të përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës në procesin e vendimmarrjes. Kjo do të thotë paralizë e funksionimit të shtetit, sepse dihet që në gjitha institucionet e shtetit të përbashkët vendimet duhet të merren me konsensusin e tre komuniteve shtetformuese.

Preteksti i separatistëve të “serpska republikës” për goditjen e re të tyre e re ndaj funksionimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës në datën 7 shkurt për të rrëzuar si antikushtetues një ligj të parlamentit lokal të “serpska republikës” për tokën publike bujqësore, në të cilin shpallej se “serpska republika” është pronare e tokës publike në territorin e saj. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës, mbështetur në Kushtetutën e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, e rrëzoi si të pavlefshëm ligjin lokal serb, duke shpallur vendimin që toka publike në territorin e Bosnjë-Hercegovinës është pronë e shtetit të Bosnjë- Hercegovinës dhe jo e entiteteve përbërëse të këtij shteti. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm, është një akt i drejtë ligjor, që përcakton pronësinë e pronës publike të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës në gjithë territorin e këtij shteti.

Autoritetet e “serpska republikës” u hodhën menjëherë në sulm kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse ligji i tyre lokal për të drejtën mbi pronën publike ishte hartuar në përputhje me vijën separatiste të entitetit serb. Në hartimin e ligjit lokal për pronësinë e entitetit mbi pronën publike autoritetet serbe u nisën nga dy qëllime të mbrapshta. Së pari, për të legalizuar pronësinë e entitetit serb në gjithë territorin e këtij entiteti dhe për të sanksionuar edhe ndarjen pronësore territoriale nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Qëllimi i dytë është që të legalizojnë shtetëzimin e paligjshëm dhe grabitjen e tokave të pronarëve boshnjakë dhe kroatë, të cilët janë dëbuar me dhunë nga pronat e tyre prej serbëve, prona që ndodhen aktualisht në territorin e “serpska republikës”.

Shqetësimin për karakterin antiligjor të ligjit lokal serb për pronën publike e ngriti i pari peshkopi katolik i Banja Lukës, Franjo Komarica, i cili i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për të ndalur zbatimin e ligjit për tokën në “serpska republika”. Peshkopi paralajmëroi se praktikisht po pushtohen tokat e atyre pronarëve, që janë kroatë dhe boshnjakë të dëbuar dhe pronarët po humbasin tokat e tyre brenda natës.

Bllokimi dhe paraliza e përgjithëshme e institucioneve shtetërore të shtetit të përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës dhe kërcënimet për organizimin e referendumit të shkëputjes, janë një shkallë e re drejt ndezjes së konfliktit etnik dhe fetar në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi një avancim të rrezikshëm drejt një lufte lokale, sepse është e kuptueshme se çdo përpjekje serbe për të shkëputur pjesën e territorit dhe për t’ia bashkuar Serbisë nuk mund të kalojë pa luftë.

Në këtë situatë të re të rrezikshme u evidentua edhe njëherë lidhja e ngushtë e separatizmit të “serpska republikës” me shtetin e Serbisë. Serbia, e cila ishte agresori kryesor i luftës në Bosnjë në vitet 1991-1995, është protektori kryesor i gjithë veprimtarisë separatiste të “serpska republikës”. Jo rastësisht ekstremisti Milorad Dodik e shpalli nisjen e shkëputjes së “serpska republikës” në Beograd, duke pasur në krah presidentin e Serbisë, Vuçiç. Vetë presidenti Vuçiç deklaroi në krah të Dodikut se Serbia “mirkupton frikat e anëtarit serb të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Dodik, dhe të presidentes së “serpska republikës”, Zhelka Cvijanoviç, dhe kupton se çfarë impakti është për identitetin dhe pronën e “serpska republikës”. Pohim më të qartë për përkrahjen, që Beogradi po i jep kursit separatist të rrezikshëm të krerëve të “serpska republikës”, vështirë të gjendet.

Mbrojtja e re e hapur, që Serbia i dha rrezikut separatist të “serpska republikës” shkaktoi një dënim të forte dhe protesta në shtetin e Bosnjë- Hercegovinës. Në 16 shkurt kryetari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komsiç, gjatë vizitës në Vatikan, deklaroi se “Mesazhet e Dodikut nga Beogradi, ku shumë qartë dhe në mënyrë të paturpshme deklaroi se qëllimi i fundit i asaj politike është prishja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të krijojë një Serbi të Madhe, për fat të keq nuk hasën ndonjë dënim nga presidenti i Serbisë, A.Vuçiç, por në një miratim të heshtur”.

Partia “Aksioni Demokratik” në Sarajevë në 16 shkurt publikoi një komunikatë, ku thekson se kërcënimet e Dodikut për secesion, të shprehura në Beograd në prani të presidentit të Serbisë dhe të patriarkut të kishës ortodokse serbe, edhe një herë u bënë me neglizhencën dhe pa distancimin e qartë nga Beogradi zyrtar. Në Sarajevë në 16 shkurt shoqata e njohur “Rrethi i Intelektualëve të Pavarur” publikoi një komunikatë, ku thekson se “qëllimet politike të aktorëve të prishjes së Bosnjë-Hercegovinës dhe të kolapsit të Malit të Zi, synojnë në arritjen e qëllimeve të papërfunduara të luftës. Qendra drejtuese e krizës aktuale në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Malin e Zi është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Serbia ka qëllimin e shkallëzimit të krizës dhe realizimin e interesave të politikës së Serbisë së Madhe, nga e cila kurrë nuk hoqën dorë”.

Kryetari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, partitë politike dhe shoqëria civile në Sarajevë paralajmërojnë rrezikun e madh, që po i kanoset shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe po venë gishtin te Serbia dhe presidenti i saj si nxitës të konfliktit të ri, por nga Brukseli nuk po dëgjohet asnjë zë diplomatik, që të dënojë këtë rrezik të luftës, që po rindez Serbia në Bosnjë-Hercegovinë. Diplomacia europiane po bën gjumin e madh, siç ka bërë gjithmonë, kur ka qenë fjala për të marrë direkt apo indirekt në mbrojtje Serbinë. Nuk tha asnjë fjalë Brukseli edhe kur në mënyrë sfiduese kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, dhe patriarku i kishës ortodokse serbe morën pjese në 9 janar 2020 në paradat e paligjëshme në Banja Luka për krijimin e “serpska republikës”, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës e ka hedhur poshtë si të paligjëshme atë datë dhe bashkësia ndërkombëtare i ka quajtur festimet serbe si provokim.

Në Sarajevë po ngrenë alarmin e rrezikut të luftës, sepse ata e kanë provuar mbi kurrizin e tyre dhe e njohin Serbinë më mirë se Brukseli, siç njohin më mirë edhe intrigat serbe për hegjemoni në rajon. Në Sarajevë e njohin më mirë kursin e Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe, ku hapi i parë imediat po bëhet aneksimi i “serpska republikës” nëpërmjet prishjes së shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Është ironike, për të mos thënë komike, që diplomatët e Brukselit nga mëngjesi në darkë merren me taksën e Kosovës për mallrat e Serbisë dhe e kanë reduktuar gjithë harkun e vëmendjes diplomatike te kjo taksë, pavarësisht zjarreve që po ndez Serbia në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Zhurma e madhe për taksën duket si një alibi për të shfajësuar Serbinë për gjithçka që ka bërë kundër Kosovës. Hiperbolizimi diplomatik i çështjes së taksës ka kaluar çdo sens mase dhe diplomacia  e BE bën sikur harron që Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e BE bisedime shtatë vjet me rradhë, kur nuk ishte taksa, dhe nuk arritën një normalizim përfundimtar të marrëdhënieve me njohjen reciproke.

Nuk arritën për faj të Serbisë dhe sepse diplomacia e BE nuk deshi dhe zvarriti bisedimet në një qark të mbyllur, duke i rrotulluar në vend numëro. Nuk ishte dhe as nuk është faji i taksës për mungesën e gatishmërisë së Serbisë, e cila i ka bisedimet si kamuflazh i ndezjes së tensioneve në vendet e rajonit. Nuk mund të mos i forcojë dyshimet fakti që diplomacia europiane, që flet nga mëngjesi në darkë për taksën e Kosovës, harron të bëjë të njejtën gjë për kushtin e njëkohshëm ndaj Serbisë për ndërprerjen e fushatës kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, kusht që përcaktohet në letrën e përbashkët të pesë qeverive të shteteve më të mëdha perëndimore dërguar në gusht të vitit të kaluar qeverive të Serbisë dhe të Kosovës.

Në prapaskenën diplomatike europiane po luhet një lojë dinake, e cila kërkon t’i shkëpusë sa më shumë lëshime Kosovës në favor të Serbisë dhe për ta lënë në kalendat greke prioritetin numër një, që është njohja e Kosovës nga Serbia. Beogradi e di dobësinë e vjetër të një pjesë të mirë të diplomacisë europiane për Serbinë, ndaj po rrit tensionet kudo nëpër Ballkan, ndërsa BE merret me taksën e Kosovës.

Serbia turbulloi ujrat në Malin e Zi muajin e kaluar, ku me kishën serbe dhe me shërbimet sekrete serbe organizoi rebelim antiqeveritar, dhe Brukseli nuk e ndje për ndërhyrjen serbe në një shtet sovran, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE. Serbia po rindez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnjë dhe Brukseli sodit nga larg. E bukura e lojës serbe është se Beogradi nxit tensionet në shtete të ndryshme të rajonit dhe pastaj i ofrohet BE-së si lojtar për uljen e tensioneve. Pjesë e kësaj loje të rrezikshme të Serbisë me tensionet është synimi për të rritur në tregun diplomatik europian çmimin, që kërkon Serbia në dialogun e ardhshëm me Kosovën.

Intrigat, që po nxit Serbia për trazira në Bosnjë-Hercegovinë për prishjen e shtetit të përbashkët dhe gllabërimin e një pjese të atij shteti në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe, janë një diskreditim publik për projektin e presidentit serb të bllokut të ri ballkaniko-perëndimor me emrin e rremë “minishengen”. Serbia që po prish Bosnjë-Hercegovinën, Serbia që po prish shtetin e Malit të Zi, Serbia që nuk njeh Kosovën, Serbia që ndërhyn në Maqedoninë e Veriut, i ka të gjitha në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe. Kjo Serbi e Madhe natyrisht nuk mund ta ketë emrin zyrtar “Jugosllavi”, por do të quhet “zona e përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore” ose për infantilët “minishengen”. Rezultati i “minishengenit” do të jetë Serbia e Madhe. Për ata në Tiranë, që u ka mbetur ora e mendjes në vitin 1946 të marrëveshjes së shkrirjes së Shqipërisë me Serbinë, është një kthim tek ëndrrra titiste.

Është ironi e historisë ballkanike, që shteti që ndërmori agresionet e përgjakëshme kundër Kroacisë, kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës, shteti që po rindez zjarret në Bosnjë dhe në Ballkan, gëzon indulgjenca dhe një pozitë preferenciale në diplomacinë e BE. Europa vazhdon me llogaritë e saj të gabuara në rajonin e Ballkanit, dhe harron se çfarë vendi zë Sarajeva në historinë e vjetër dhe të re të Europës./Dita