Opinione

Si ndikon izolimi social shëndetin mendor dhe fizik - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Nuk e kam parë vendimin e qeverisë shqiptare për të detyruar qytetarët të rrinë brenda mureve të shtëpisë, por duke e marrë të mirëqenë që ekziston një i tillë, (përndryshe vendimi nga Facebook-u do të ishte NUL), kam frikën se ky izolim ekstrem i njerëzve (dhe jo distancim social siç rekomandohet) do të ndikojë negativisht në shëndetin mendor e fizik të tyre.

Sipas një studimi të universitetit McGill në Montreal, izolimi social për një periudhë të gjatë çon në depresion, ankth, rënie të aftësive kognitive, neuroticizëm, haluçinacione. Ai afekton edhe arsyetimin, logjikën, gjumin, apo ngrënien.

Por jo vetëm kaq. Nisur nga studimet, reduktimi i daljeve/ecjeve mund të çojë në përkeqësim të shëndetit fizik si për shembull çrregullimet kardiovaskulare, prekshmërinë ndaj infeksioneve si dhe mbireagimin e sistemit imunitar.

Studimet nuk janë kryer në kohën e Korona Virusit, por një përqasje mes ideve mund të vlejë për të konsideruar faktorët e shëndetit mendor. Kështu që ata që marrin vendime në emër të mbrojtjes së shëndetit publik, duhet të konsiderojnë që masat e marra mund të kthehen në boomerang. Duke i detyruar izolim në të njëjtën orar apo duke u lejuar të gjithëve daljen në të njëjtën fashë, përveçse virusi do gjejë më lehtë terren, frika dhe ankthi do të shtohet më tepër. 

Dr. Adriana Wilson, lektore në departamentin e psikiatrisë së Universitetit Dalhousie, Halifax tërheq vëmëndjen e masave për kujdesin ndaj shëndetit mendor në këtë kohë të jashtëzakonshme. Sipas saj, reduktimi i kontakteve fizike sjell efekte direkte në sjelljen e personave me probleme të shëndetit mendor. Ajo thekson se burimi primar i komfortit është kontakti me njerëzit. Prandaj, mirë është të vendosen kontakte virtuale të që zbusin ankthin dhe stresin. Ajo rekomandon shëtitjet në natyrë, ushtrimet fizike, muzikën dhe aktivitetet të tjera individuale si puzzle, pikturë, lojëra.

Por qeveritarët shqiptarë, duke neglizhuar ndërlidhjen mes shëndetit fizik dhe atij mendor me faktorët e jashtëm, të shteruar në mundësira menaxhimi e gjejnë më të lehtë të ndërmarrin eksperimente pavlloviane me masa ndalim qarkullimi sidomos kur jetojnë vetë në një shtëpi me sipërfaqe të madhe, me mundësira shëtitjeje, argëtimi dhe ajrimi brenda saj dhe furnizime me ushqime të dedikuara.

Prandaj, këto shtetrrethime duhen riparë dhe qeveria të luftojë me sëmundjen dhe jo deri në këtë pikë me lirinë, frikën dhe ankthin e njerëzve. Një shëtitje në mbrëmje apo mëngjes herët duke respektuar protokollin e masave mbrojtëse mund të shpëtojë jetë më tepër sesa ndalimi i saj. Me shëtitje nënkuptoj mundësinë për të dalë në ajrim. Koha do ta tregojë që masat ekstremisht shtrënguese do të prodhojnë efekt të kundërt. 

Unë e kuptoj se këto masa merren prej paaftësisë, pamundësisë dhe frikës së një njeriu që bunkerizimin e ka gjetur si zgjidhje më herët për shumë probleme të tij personale e profesionale. Prej mungesës së investimeve në shëndetësi e pamjaftueshmërisë së shtretërve në spitale, pavarësisht mjekëve të zotë mbetur në Shqipëri. 

Por tashmë të gjithë janë të ndërgjegjësuar për rrezikun dhe askush nuk dëshiron të infektohet e kalojë kohë spitaleve. Çdokush do tregojë kujdes për jetën e tij, si brenda ashtu edhe jashtë mureve të shtëpisë. Nuk është më si në javët e para kur u lajmërua virusi dhe njerëzit mendonin se ai ishte larg jetës së tyre. Dihet botërisht se njeriu ka dashuri për veten më shumë sesa një kryeministër ka për ta, edhe kur ky vazhdimisht u dërgon përqafime nga bunkeri i rehatit.

 

©FlasShqip.ca