Opinione

Meditim në kohë pandemike - Nga Genc Tirana

Nga: Genc Tirana

Nuk mund të jeshë i sigurtë që deri tani gjithkush ka qenë i familjarizuar me termin pandemik kur zakonisht jemi mësuar që të dëgjojmë se përhapja e një sëmundje ngjitëse përshkruhet me fjalën epidemi. Tani që COVID-19 po kërcënon njerzimin në tërë globin është bërë për këdo e qartë se pandemik është një epidemi që nuk zhvillohet në një rajon të caktuar gjeografik por tregon se përhapja e shpejtë e sëmundjes prek botën e tërë.

Kombi shqiptar brenda kufijve të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare përreth së bashku me komunitetet shqiptarë në vendet Europiane dhe të Amerikës së Veriut po e përjeton këtë fatkeqësi me të gjitha dimensionet dramatike ashtu si dhe komuniteti ndërkombëtar. Falë teknologjive të sotme dhe mjeteve të komunikimit masiv përfshirë dhe rrjetet sociale, për fat komuniteti ynë ndjehet bashkë dhe i mirëinformuar se në çfarë gjendje kritike ndodhet dhe çfarë goditje mund të marrë nga situata pandemike.

Sidoqoftë ky komunikim virtual nuk është në natyrën tonë të shoqërimit. Shqiptarët kudo që ndodhen janë mësuar të grumbullohen në ambiente publike, kafene, restorante apo në shtëpitë e njëri-tjetrit për të kaluar kohën e lirë bashkë. Më e rëndësishme se kjo është fakti që izolimi fizik po asfikson dukshëm biznesin e vogël e të mesëm dhe ekonominë në përgjithësi ku një pjesë e komunitet e ka mbështetur jetesën. Ky ndryshim i menjëhershëm i stilit të jetës ka nxitur mes nesh opinione dhe këndvështrime relativisht të ndryshëm në lidhje me faktin se deri ku duhet të shkojnë masat e izolimit për parandalimin e përhapjes së virusit.

Dilema kryesore që pat mbërthyer mbarë njerëzimin në fillimin e kësaj krize nëse është më mirë që të izolohemi tërësisht apo të bëjmë ca kujdes duke vazhduar aktivitetin shoqëror dhe ekonomik si më parë peshoi në ndërgjegjen e komunitetit tonë gjithashtu. Të pranojmë kolapsin ekonomik për të kufizuar numrin e viktimave të virusit apo të ruajm nivelin ekonomik duke sakrifikuar një pjesë të popullsisë së moshuar duke shpresuar në krahun tjetër që pjesa tjetër e popullsisë do të imunizohen nga virusi, kjo ishte çeshtja.

Plani i Mbretërisë së Bashkuar për izolimin e pjesshëm për të fuqizuar imunitetitn e shumicës së popullsisë me shpresë që shumica e të prekurve do ta kalojnë sëmundjen më lehtë dhe do të imunizohen duket sikur ka rënë. Në konferencat e fundit të shtypit Drejtori i Institutit të Sëmundjeve të Alergjisë dhe Infeksionit të Shteteve të Bashkuara Anthony Fauci ka anuar më shumë në distancimin social për të shmangur përhapjen e virusit edhe pse nga ana tjetër ai pranon se virusi ka për të qenë kërcënues për një periudhë më të gjatë se sa qytetarët kanë menduar. Vetëkuptohet se në këtë rast ekonomia dhe niveli financiar i secilës familje do të penalizohet pa masë. 

Është e kuptueshme se rrethanat e zvillimit të kësaj situate të rëndë ndryshojnë disi në vartësi të vendeve apo kontinenteve ku ndodhen shqiptarët. Virusi Korona deri tani u përhap dhe bëri më shumë dëm në Europë se sa në Amerikën e Veriut. Në përgjithësi vendet Europiane përfshirë dhe Shqipërinë, e kufizuan daljen e pupullsisë nga banesat me ligj duke mos e lënë këtë në dëshirën e qytetarëve. Ndërsa në Kanada deri tani distancimi shoqëror i është lënë në një farë mase ndërgjegjes së gjithësecilit edhe pse janë marrë mjaft masa drastike në këtë drejtim. Kryeministri Kanadez, Trudeau tha se kufizimet e udhëtimeve, distancimi shoqëror dhe protokollet e mbylljes së bizneseve mund të vazhdojnë ca kohë pasi udhëheqësit politikë do të ndjekin këshillat e ekspertëve mjekësorë.

Nuk mund të pretendosh se cila qasje ndaj këtij problemi është më e drejtë. Kjo varet nga kushtet specifike të secilit vend. Bie fjala dendësia e popullsisë në Itali dhe Francë është shumë më lartë se sa në Kanada. Pra vetvetiu kontaktet fizike të qytetarëve në Kanada janë më të rralla se gjetkë. Nga ana tjetër, masat e marra për izolimin e kontakteve në Amerikën e Veriut duket se janë më lehtë të realizueshme falë punës së mirë të dekadave të fundit për t’i bërë bizneset që të funksionojnë online. Një pjesë e mirë e shqiptarëve të Kanadasë që punojnë në institucione publike, administrata shtetërore, sektorin bankar apo informatik, etj, kanë mundur që të mos e ndërpresin aktivitetin e tyre duke punuar online nga shtëpia. Kjo e gjë e zbut disi ankthin e këtyre familjarëve që në fund të muajit gjithësesi janë të detyruar të paguajnë faturat dhe të mbajnë standardin ekonomik të familjes së tyre.

Veçse një pjesë e mirë e komunitetit shqiptar që jeton në Kanada dhe Amerikë e nxjerr jetesën nga vetëpunësimi kryesisht në fushën e shërbimeve siç janë, kafeteri, restorante, real estate, turizëm, shitje gjithllojesh, riparime, ndërtim, prodhim i vogël, etj, etj. Kjo pjesë e komunitetit është prekur direkt qysh në ditët e para të izolimit. Sami Ademi, pronari i Sunny Shores Travel Inc. në Greater Toronto Area, Kanada tha se këto javë është i detyruar të dalë në punë vetëm për të pezulluar fluturimet që kishte shitur kohë më parë. Pra gjatë këtyre javëve ai nuk e realizon dot të ardhurën për familjen e tij ashtu si shumë të tjerë që janë vetëpunësuar apo drejtojnë biznese të ngjashme këtu në Toronto apo në mbarë Kanadanë. Është e besueshme që në të njejtat kushte janë bashkëkombasit që jetojnë në Amerikën e Veriut, Europë, Shqipëri, trevat shqiptare e kudo.

Komuniteti shqiptar gjithësesi vepron në sinkron me komunitetin ndërkombëtar dhe do të përshtatet në këto kushte vetëizolimi. Shqiptarët kudo po përkrahin masat e izolimit të komunitetit për të kufizuar ngritjen e kurbës së grafikut që tregon numrin e të sëmurëve ditorë në një nivel të menaxhueshëm për mjekësinë dhe kapacitetin mjekësor në çdo vend. Duket që bilanci nëse dëmi ekonomik i izolimit ishte çmimi i pranueshëm apo jo në favor të kufizimit të përhapjes së virusit do të bëhet më vonë.

Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.