Oligarkia dhe kleptokracia politike kosovare - Nga Mimoza Kusari
- Nga: Mimoza Kusari
Sot Kosova ka hyrë në ciklin e dy dukurive të cilat po mundohen të imponojnë dhe instalojnë një Qeveri si rezultat i oligarkisë politike të pushtetit të ushtruar nga një grup njerëzish, të cilët pareshtur na imponojnë politika për interesa të tyre partiake dhe individuale. Këto interesa kryesisht lidhen me varëshmërinë e tyre të papërmbajtur për të marrë atë çfarë nuk ju takoi me votën dhe vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 Tetorit.
Alternativa si subjekt politik liberal demokrat, konsideron se shkeljet e nisura nga Presidenti i vendit dhe të mbështetura nga partitë politike të cilat synim të vetëm në këtë kohë të pandemisë kanë marrjen e pushtetit, do të lenë pasoja të rënda për demokracinë në Kosovë dhe besimin në institucione të shtetit, me theks të veçantë, rrezikimin e shëndetit publik.
Alternativa ka mbështetur Qeverinë Kurti, ka besuar në programin reformator të kësaj qeverie, ndërsa zgjidhjen e problemeve dhe sfidat e qeverisjes së partive të koalicionit i ka parë në shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme menjëherë pas tejkalimit të pandemisë globale të shkaktuar nga virusi Covid19.
Një qeveri tjetër mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, vetëm pas procesit zgjedhor dhe marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë nga fituesi i zgjedhjeve.
Këto shkelje dhe imponime të cilat u inicuan nga Presidenti i vendit, në dakordim të plotë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë që synojnë pushtetin përfshirë edhe Listën Serbe, nuk mund të prodhojnë Qeveri legjitime dhe as progres në ndonjë fushë, kur fillet i kanë në shkeljet dhe manipulimet e votës së lirë dhe shkeljen e besimit të votuesve. Aq më pak se ky “koalicion” i Presidentit dhe LDK-së është në kundërshti të plotë me vlerat demokratike dhe pavarësinë e institucionit të Presidentit.
Andaj, Alternativa këto veprime i konsideron, si shkelje dhe rrezikim i drejtëpërdrejtë i demokracisë dhe rendit kushtetues në vend. Ndërkohë, që pret vendimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese për këto veprime.
Vetëm shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të prodhojë institucione legjitime të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe interesin e qytetarëve të Repubikës së Kosovës.












