Opinione

E duam me zemër Amerikën, por mbi gjithçka duam lirinë - Nga Agim Aliçkaj

Asnjëherë, nuk kam menduar që me opinionet, analizat dhe intervistat e mija në shtypin shqiptar, të bëhem një njeri që gjykon ose paragjykon dikë. Por, as nuk mund të qëndroj e të mos jap një opinion apo koment pikërisht kur shoh që diçka simbas mendimit dhe bindjes time nuk ecën ashtu si duhet, ose nuk është ashtu si do të dëshironim të gjithë të ishte, në të mire të Kosovës.

Lexova reagimin e ditëve të fundit të Kryeparlamentares së Kosovës Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook ku thuhej: “Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Daçiç, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të Veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jo unitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit”.

Ky reagim shumë i qëlluar më nxiti që të bëj komentin tim si vijon: “E nderuara Kryetare e Parlamentit te Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi është padyshim e keqja me e madhe qe i ka ndodhur Kosovës në 20 vitet e fundit, ndoshta edhe gjatë gjithë historisë. Ka shume shpjegime për këtë po si mërgimtar nuk dëshiroj të merrem me to. Një gjë është e qartë, Vuçiçi është duke bërë lojë me të dhe nëpërmjet tij me fatin e Kosovës. Thaçi nuk e ka të qartë se Serbia nuk ndalet me asnjë marrëveshje deri sa nuk e kupton me 100% se nuk ka shance për grabitje të metutjeshme të tokave shqiptare. Pas shfrytëzimit dhe shtrydhjes mirë e gjuajnë në plehra si një lecke atë dhe sipas nevojës edhe vet Vuçiçin. Dalin me kerkesa të reja me politikanë të rinj, plus referendumin e kanë mjetin e fundit për t’i shkelur marrëveshjet. Unë nuk e përkrah asnjë parti por liderët e aftë dhe të fortë si Ju i çmoj, i admiroj dhe i përkrah pa rezervë. Ka shumë si unë dhe numri po shtohet dita-ditës. Prandaj, ju lutem qendroni deri në fitore sepse jeni në rrugë të drejtë dhe popullin me shumicë e keni pas jush. Politikanët e korruptuar dhe të deshtuar i kanë përpëlitjet e fundit. Kurdoherë duhet të ballafaqohen me votën e popullit dhe do të humbin me turp. Grenellat janë të përkohëshëm. Amerika do të kthehet prapë në anën tonë, në anën e së drejtës. Shendet, suksese dhe respekt te pafund”!

Gabimet dhe keqbërjet e Presidentit Thaçi (not my president anymore) janë të shumta, mjafton të përmenden “fusnota” në Deklaratën e Pavarësisë, humbja e tokave me demarkacione, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga vëllezërit tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Më e keqja është se ai beson në vetvete se është “shpëtimtari” i Kosovës, se ai është më i mënçur se të gjithë dhe se populli i tij është naiv dhe nuk i kupton “të mirat e tij”. Dhe kështu nuk di të ndalet.

Takimi i djeshëm me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës për formim të një qeverie antidemokratike ishte tragji-komik. Po a ka kund logjikë të interpretohet Kushtetuta se kinse partia e dytë apo e dhjetë paska të drejtë të krijojë qeveri, vetëm nëse ia arrin për t’i blerë numrat?!  Nëse lejohet kjo presidencë atëherë Kosova kurrë nuk do të ketë qeveri stabile. Sepse partitë e tjera do të jenë gjithmonë të interesuara për ta rrëzuar të parën dhe për ta marrë pushtetin. Kjo gjë do të përbënte shkelje të rëndë të demokracisë dhe vullnetit të popullit.

Përpjekja e Thaçit për instalim të diktaturës në Kosovë është shumë e rrezikshme. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i besohet sepse mund të jetë e influencuar dhe e friksuar se kinse “kështu po kërkon Amerika”.  Përdorja e kartës së Amerikës për të rrëmbyer pushtetin është levizja e fundit e Thaçit në politikë. Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë këtë sepse i ka kuptuar mashtrimet e tij. Kur ai ta kuptojë se vetëm populli i vendit të vet mund ta mbajë në pushtet dhe askush tjetër, përfshirë edhe Amerikën, për të do të jetë shumë vonë.  Ekziston rreziku që vendi të katandiset në kaos të paparë me trazira dhe destabilizim të pafund. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund ta qetësojnë popullin e trazuar dhe të nënçmuar në mënyrë drastike, asgjë tjetër.

Thaçi nuk është i vetëm në këto punë të liga. Bashkëfajtorë me të janë të gjithë ata politikanë, edhe të partive të tjera, që ia mundësuan të abuzojë me Kosovën pa u ndalur, sidomos në 12 vitet e fundit të pavarësisë së kufizuar. Nga të gjithë këta befason më së shumti kryetari i LDK-së Isa Mustafa me garden e vjetër të kompromentuar deri në palcë. Me djallëzinë e tij, dhe akrobacitë që ka bërë dhe po bënë për interesa personale, po e çon Kosovën drejt shkatërrimit.

Këtu dëshiroj të sqaroj se nuk e gjykoj njësoj anëtarësinë e gjërë të këtyre partive. Ka në mesin e tyre kuadro të aftë dhe patriotë, por fatkeqësisht të këqinjtë ua kanë marrë anën. Duhet shpresuar se në vitet në vijim, ata do të forcohen dhe do t’i largojnë politikanët e këqinj nga udhëheqja. Kështu do tu hapen rrugët për tu bërë opozitë e fortë dhe konstruktive, me mundësi që në të ardhmen, me programet dhe punët e veta në interes të shtetit, të konkurojnë në mënyrë serioze për pushtet.

Dëshiroj të shtoj, se kam qenë përkrahës i flakët i rezistencës paqësore të presidentit të urtë dhe trim Ibrahim Rugova dhe më vonë i luftës heroike të UÇK-së të komandatit legjendar Adem Jashari me luftëtarët dhe heronjtë e tjerë të kombit, përfshirë edhe Batalionin a lavdishëm “Atlantiku” nga Amerika. Është zhgënjyese që pasardhësit e tyre të përfshirë në vende udhëheqëse të partive të ndryshme politike me një pjesë të vogël militantësh të zhurmëshme, e kanë devijuar rrugën e tyre. Këtë do ta paguajnë shtrenjtë me humbje të elektoratit në zgjedhjet e ardhshme.

E çmoj shumë guximin, mençurinë dhe patriotizmin pro-Amerikan dhe pro-Shqiptar të Bordit të Lobit Shqiptaro-Amerikan të prirë nga Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, për dalje me Deklaratë Publike në këto ditë vendimtare për Kosovën, me të cilën, ndër të tjera kërkohet nga Presidenti Trump ta lirojë nga detyra e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell.

Natyrisht që as Richard Grenell, as Administrata e Presidentit Trump nuk janë fajtorë për dështimet njëzet vjeçare në Kosovë. Pra, fajet i kemi vetë që nuk e ndërtuam dhe forcuam shtetin tonë. Ambasadori ka faj se e mori këtë punë me hile, me bisedime sekrete dhe duke anuar haptazi nga Serbia. Shihet se e ka pranuar pa kurrfarë analize kritike dhe lexim të historisë, versionin e Serbisë se kinse “serbët janë viktimë, se u është bërë e padrejtësi me bombardimet e NATO-s, se kjo padrejtësi duhet përmirësuar nga Amerika dhe se shqiptarët janë të paaftë për të ndërtuar shtet”.

Gabim tjetër shumë i madh i tij është se i ka marrë si të vërteta gënjeshtrat e Thaçit se ai ka mbështetje të mjaftueshme në Kosovë për ta realizuar marrëveshjen me Vuçiçin. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse ndarje e Kosovës me qëllim krijimin e shteteve etnikisht të pastra “pa probleme nacionale” duke e realizuar ëndrrën serbe për “Serbi të madhe” dhe njëkohësisht ëndrrën e Thaçit për sundimtar të përjetshëm në një shtet, i cili mjafton të ketë territor siç thuhet nga ana jonë “veç sa livadhet e Sadik Ramëve”.

Gabimi më i rëndë i Ambasadorit Grenell është ndërhyrja flagrante në punët e brendëshme të Republikës së Kosovës, me përkrahjen e klasës politike të korruptuar, të dështuar dhe të refuzuar nga populli i Kosovës, për të rrëzuar qeverinë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit, të liderëve më të votuar nga populli,  Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeparalamentares Vjosa Osmani, pa iu dhënë mundësi fare për ta treguar veten me punën e tyre.

Por, të gjithë ata do ta kuptojnë shumë shpejt se populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar nuk pranon më kurrë t’i japë Serbisë asnjë pëllëmbë toke. Ka ardhur koha për një mobilizim të përgjithshëm kudo, në trojet tona etnike dhe diasporë, sidomos në Amerikë, për t’ia ndalur turrin furtunës së rrezikshme Vuçiç-Mustafa-Thaçi-Grenell. Ekziston mundësia që Presidenti Trump as që është i informuar drejt për pështjellimet e tyre në Ballkan, të cilat janë kundër interesave strategjike Amerikane.

Ambasadori Grenell, ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës më të madhe në botë, ka informata dhe mund ta ketë kuptuar se veprimet e tij kanë dështuar për shkak se nuk e ka përkrahjen e popullit të Kosovës, por nuk dëshiron të tërhiqet për interesa personale dhe mundësisë së humbjes së prestigjit, ndoshta edhe të karrierës diplomatike. Mjafton të ndjekim faqen e tij të Twiter-it dhe komentet e shqiptarëve, të cilët me shumicë absolute i kritikojnë veprimet e fundit të tij në Kosovë. Me këtë rast dëshiroj t’i lus bashkëkombasit e mi të vetëpërmbahen nga ofendimet dhe sulmet personale ndaj tij. Kjo nuk na ndihmon aspak në çështjen tonë të drejtë.

Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kanë dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të mendojë dhe të deklarojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na e marrë atë. Kombi shqiptar e do me të drejtë, me zemër dhe pa hile Amerikën, por e do lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë!

-Autori është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.

©Agim Aliçkaj