Opinione

Drejtësia shqiptare si prostitutë e politikanëve - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Drejtësia e re e shumëpritur, që do të shdërronte sitemin e padrejtësisë në atë të drejtësisë ku ligji është i barabartë për të gjithë, nuk po duket gjëkundi. Në mitologjinë Greke, drejtësia personifikohej nga perëndesha e virgjër Astrea, e cila u largua drejt qiellit kur njerëzit filluan të zhvasnin njëri-tjetrin dhe ligjin e bënte më i forti. Ajo u largua drejt qiellit, duke iu betuar banorëve të Tokës se do të kthehej vetëm kur ata të jetonin në paqe dhe kur drejtësia të sundonte kudo.

Nuk mjaftuan as milionat e ndërkombëtarëve, apo edhe gardianët EULEX dhe OPDAT, që të shëronin sistemin tonë gjyqësor nga vesi i korrupsionit dhe nga varësia e tij nga politika. Ndërkombëtarët u përpoqën ta fekondonin “Astrean shqiptare” me spermatozoidë antikorrupsion me metodën moderne “in vitro”, por pa sukses. Për të justifikuar milionat e derdhur nga taksapaguesit euro-amerikanë, ndërkombëtarët e dorëzuan Astrean te pushtetari i radhës për fekondim natural, mjafton që në letra të kishin një drejtësi të re.

E mësuar të prostituonte me politikanët e radhës sa herë që ndërrohej pushteti, edhe drejtësia e re nuk bëri përjashtim nga tradita.  Mjaftoi një dokument konfidencial, ku Presidentit të Republikës i propozohej nga ndërkombëtarët një “Pazar” në zgjedhjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të parë që tyli i bukur antikorrupsion prerë me delikatesë nga rrobaqepësit “OPDATEULEKS” të bjerë dhe ne të gjithë të shohim drejtësinë lakuriq. Një prostitutë e politikanëve dhe zarfave nën tavolinë.

Shashkat e ambasadores Kim dhe rruspa mbi Teatrin

Dy ditë më parë, ambasadorja e USA Kim, hodhi një shashkë tymuese, kur aludonte se aktorët politikë po bëjnë pazare në kurriz të reformës në drejtësi. U vunë rë radhë politikanët të akuzonin njëri-tjetrin për cilin politikan e kish ambasadorja. U shpenzuan orë të tëra nëpër studio televizive për të nxjerrë “qimen nga qulli”.

Pyetja shtrohet: kush e ka në dorë reformën? Opozita e Bashës ka vetëm çelësat e kashtës se është jashtë çdo pushteti. Presidenti Meta, me ndryshimet kushtetuese ka kompetencë të dekorojë veteranët, si dhe të vonojë vetëm ca ditë një ligj që miraton qeveriparlamenti. Madje kur nuk i përshtatet mazhorancës mund ta zëvendësojë me një notere buzë Lanës edhe me pëlqimin “ambasadorial”.

Tani edhe gurin edhe arrën i ka në dorë vetëm qeveriu që mund të nxjerrë ligje edhe nga Facebook. Kështu që ambasadorja mund të na kursejë këtë lojë konspirative. Nëse nuk mund t’ia thotë ballazi, mjafton të komunikojë me Kryeministrin me mesazhe. Ne na mjaftoi rruspa mbi teatrin ku u shkelën një zinxhir ligjesh, për të kuptuar se kush e ka “përdhunuar” virgjëreshën Astrea të drejtësisë.

Astrea dhe Opozita…

Mjafton të shohësh mënyrën antiligjore dhe arrogante se si rruspat e shtetit i morën shpirtin Teatrit që as tërmeti nuk e mundi dot, për të kuptuar se as opozita e as drejtësia e re nuk e frikësojnë qeverinë, e as bashkinë. Nga ligji Fusha te ligji Kodra. Nga ligji Kodra te ligji Rruspa, qentë le të lehin, kadrinjtë le të çirren, revolucioni arroganto-fadromist vazhdon!

Lëvizjet okulte të liderit Basha, shoqëruar me një buzëqeshje naive, fëminore, nuk i bindin shumë shqiptarët që janë një shoqëri maskiliste. Ata janë mësuar me prijës të fortë, burra të besës që dinë t’i vënë gjoksin furtunës edhe nëse “kundërshtarët” janë Ambasadorët e Fuqive të Mëdha. Që Perëndesha e Drejtësisë Astrea të kthehet në Shqipëri, Basha dhe gjithë ekipi i tij, duhet të “tridhen” nga testet e korrupsionit dhe t’i japin garanci se nuk do ta “përdhunojnë” ashtu siç bënë pushtetarët e mëparshëm.

Astrea po na vëzhgon nga lart. Ajo do të vijë edhe në Shqipëri kur ne të respektojmë ligjin si të vetmin Shenjt!

©Ilir Gjini