Opinione

Amerika ku mungojnë amerikanët - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Shumë të ardhur bëhen Shtetas amerikanë, por fare pak prej tyre bëhen Qytetarë Amerikanë.

Ka një ndryshim shumë të madh mes fitimit të nënshtetësisë amerikane sipas ligjit (të bërit shtetas amerikan) dhe fitimit të vlerave qytetare amerikane (të bërit qytetar amerikan).

Të parët Amerikën e konsiderojnë si lopën që do të mjelin dhe kur ajo nuk ka më qumësht ikin në kërkim të lopës së radhës kudoqoftë.

Të dytët Amerikën e konsiderojnë si Atdheun e tyre të ri ndaj të cilit kanë edhe detyrime ligjore dhe morale.

Të parët krijojnë vetëm lidhje financiare me Amerikën.

Të dytët krijojnë edhe lidhje shpirtërore, historike dhe kulturore me Amerikën.

Të parët nuk ndihen Amerikanë, përveçse kur udhetojne jashte dhë perdorin pasaportën amerikane.

Të dytët ndihen Amerikanë sapo vënë këmbën në atë vend edhe pa pasur akoma letrat dhe dokumentat e nevojshme të nënshtetësisë.

Të parët jetojnë dhe vdesin pa e mesuar kurrë që Amerikën e kanë bërë të madhe njerëz të mëdhenj me zemër të madhe dhe jo injorantët dhe shpirtvegjlit.

Të dytët janë patriotë dhe respektojnë rrënjët që kanë hedhur në Amerikë dhe pemën e lavdishme të historisë amerikane.

Të parët mburren që ishin në kazino dhe plazhe nudo, urinojnë pas statujave dhe dhjesin pas monumenteve.

Të dytët vizitojnë muzeume dhe biblioteka dhe bien në mendime para statujave e monumenteve.

Të parët i përçmojnë të dytët.

Të dytët ndjejnë keqardhje për të parët.

Të parët nuk e duan atdheun e tyre të parë e prandaj nuk duan as Amerikën.

Të dytët e duan Amerikën e begatë, sepse kanë ditur të duan më parë edhe Atdheun e tyre të varfër.

Të parët dëshirojnë dhe urrejnë.

Të dytët duan dhe falin.

©Artan Gjyzel Hasani