Opinione

E vërteta si udhërrëfyese për ardhmërinë dhe vizita e Z. Basha në Kosovë - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj

Edhe pse po jetojmë në kohë moderne e tashmë jemi gjithë kohës të informuar nëpërmjet televizioneve dhe internetit mbi atë që ndodh rreth nesh, të qëllon që kur sheh diçka, të duket se e ke parë një herë një gjë të ngjashme, e të krijohet ideja se po e jeton sërish atë lajm ose ngjarje.

E njëjta ndjesi më erdhi edhe kur pashë turin e Lulzim Bashës në Kosovë. Më ngjasonte me diçka, por të më vrisje nuk po më kujtohej, derisa në një portal në internet pashë krahasimin që dikush u bënte maskave mbrojtëse që kishin vënë Basha dhe Rama. Atëherë mu kujtua që vizita e Bashës i ngjasonte si dy pika uji asaj të Ramës në Kosovë, disa ditë para se Hashimi të udhëtonte drejt Prokurorisë Speciale në Hagë.

E gjithë vizita dukej se ishte stisur vetëm për ti bërë një qokë Hashimit, të cilit po i nevojiten tashti vizita nga personalitete politike publike shqiptare duke parë se e kanë abandonuar të gjithë të tjerët, qofshin këta vendas apo të huaj. Kjo duket se është stisur me kërkesën e PDK, në vizitën që dy a tre funksionarë të saj me në krye Xhavit Halitin patën bërë në Tiranë dhe pikërisht në selinë e PD, ditën që Hashimi u paraqit në Hagë.

Edhe nga përmbajtja kjo vizitë ishte identike me atë të Ramës. Në tërësi u fol e u përfol për vlerat e luftës, vlera të cilat nuk janë marrë në gjykim nga asnjë gjykatë e prokurori dhe as janë cënuar nga ndonjë gjykatë ose prokurori, përveç vetë individëve protagonistë në akuzën e prokurorisë. Ajo çka e bëntë identike këtë qokë ishte deklarata: “Për sa i përket aktakuzës ndaj Presidentit Thaçi, shpreha bindjen time se luftën e UÇK-së nuk mund ta përbaltë askush”.

Edhe Basha ka rënë në qerthullin e manipulimit që ka ngritur Hashimi dhe të cilin e trumbetoi edhe Rama, duke barazuar UҪK-në me Thaçin. Dhe pastaj qershia mbi tortë e kësaj qoke, qe legjitimiteti që Basha i bëri “PRONTO Mafisë” në të cilën Thaçi ka qënë themelues, organizator e drejtues i saj për 20 vjet mbas lufte, si dhe legjitimoi uzurpimet e tij për dy vjet në luftë me deklaratën: “Shpreha mbështetje totale të PD dhe opozitës për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve politike në Kosovë për ata që sakrifikuan 22 vite për lirinë e Kosovës e që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësine e fruteve të lirisë, në veçanti për presidentin Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij”.

Më vjen vërtet keq që Z. Basha ka rënë në këtë kurth. E quaj kurth sepse nuk dua ta besoj që e ka bërë me vetëdije të plotë të tijën këtë deklaratë, duke qënë se të paktën e njeh Kosovën shumë më mirë se gjithë politikanët e tjerë nga shteti amë, përfshi këtu edhe Ramën, pasi ka punuar e jetuar në të deri në vitin 2005. A mund të quhet sakrificë pasurimi i Thaçit me bashkëpunëtorë dhe shkatërrimi që i kanë bërë ekonomisë në Kosovë dhe jetës atje. A mund të quhet sakrificë copëtimi territorial që i ka bërë Thaçi dhe bashkëpuntorët e tijë Kosovës?

Sakrificën, privacionet dhe flijimet i bëjnë vetëm ata që kanë shkallë të lartë të moralit vetjak, por edhe ata që iu besojnë fuqimisht ndershmërisë dhe fisnikërisë së qëllimeve për të cilat luftojnë. Dhe një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metoda makiaveliste të intrigave, uzurpimeve dhe shpifjeve.

Dhe do të doja të ndalesha pikërisht te ky copëtim më së shumti, pasi në këtë vizitë Z. Basha deklaroi se Shqipëria do e mbështesë Kosovën, por nuk do të jetë faktor në bisedimet e saj me Serbinë. Jam i bindur që kjo deklaratë është pasojë e pasjes në krah të Besnik Mustafajt, i cili gjithnjë ka qenë i idesë që Shqipëria nuk mund të jetë faktor por thjesht aktor në çështje të Kosovës.

Më vjen sërish keq që Z. Basha ka rënë pre e kësaj ideje serbe, e cila e sheh Shqipërinë thjesht si vend fqinj me Kosovën e jo si shteti amë dhe pronar i ligjshëm i territorit që quhet Kosovë. E pra duhet ta dijë Z. Basha se Shqipëria në Kongresin e Berlinit më 1878 posedonte një territor kompakt të banuar me shumicë absolute shqiptare prej 115 mijë km2. Ndërsa sot ky territor është reduktuar në vetëm 55 mijë km2 të banuar me shumicë absolute shqiptare dhe në këtë shifër të fundit bëjnë pjesë edhe Kosova edhe shteti Shqiptar.

Ndaj shteti amë, Shqipëria duhet të jetë aktor dhe faktor në çfarëdo lloj çështje që ka të bëjë me tërësinë territoriale të Kosovës, pasi ajo tërësi është tërësia territoriale e shtetit Shqiptar të shpallur më 1912. Në këtë vit Kosova ishte krahinë e Shqipërisë, e marrë forcërisht nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913, konferencë kjo që shteti Shqiptar kurrë nuk e ka njohur dhe asnjëherë në gjithë ekzistencën e tij nuk e ka ratifikuar.

Ndaj i dashur Lulzim Basha, shteti amë nuk mund të jetë spektator kur Thaçi me bashkëpunëtorë të tij i falin Maqedonisë 2500ha tokë të Shqipërisë, as kur Thaçi me bashkëpunëtorë i falin Malit të Zi 8300ha tokë të Shqipërisë, as kur Thaçi me bashkëpunëtorë tentojnë ti falin Sërbisë 15% të trojeve të Shqipërisë në Kosovë, as kur Thaçi me bashkëpunëtorë tentojnë ta bëjnë gjithë Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë së re, pasi kjo vepër e tyre në gjuhën shqipe quhet Tradhëti e jo sakrificë.

Më vjen keq i dashur Lulzim që të futën në kurthin e tyre, për t’i bërë një qokë atij, i cili rendin, skrupujt, ligjin, ligjshmërinë, normat etike, normat morale dhe demokracinë nuk i ka pasur kurrë në rezonimin e tij politik!

Më vjen keq i dashur Lulzim, që re në kurthin e atyre që politikën e kanë reduktuar në një mjeshtëri për dallavere dhe për pazarllëk!

Më vjen keq i dashur Lulzim, që re në kurthin e këtyre karrieristëve të cilët shfrytëzojnë çdo rrethanë që të mbeten në pushtet, pasi ky ka qënë është dhe do të mbesë qëllimi i vetëm i tyre!

Më vjen keq i dashur Lulzim, që harxhove një qokë ndaj një njeriu që po do ta kthejë veten në mit duke thënë: “nuk guxon kush ta rishkruajë historinë e Kosovës dhe të UҪK-së”!

Më vjen keq, pasi miti nuk është kurrë udhërrëfyes për ardhmërinë, por vetëm e vërteta është udhërrëfyese!

©Dritan Goxhaj