Opinione

Nga radikalizmi islamik i një sekti tek damkosja esencialiste e një komuniteti - Çapajev Gjokutaj

Lajmi që një shqiptar, i armatosur me automatik, kobure e hanxhar doli në qendër të Vjenës dhe vrau 4 kalimtarë e plagosi 20 të tjerë, tanimë s’është i freskët. Ngjarja ka ndodhur një javë më parë dhe jehona e saj po meket, megjithatë pyetja “a duhet që ne, shqiptarët, të ndihemi të turpëruar nga akte të tilla mesjetare” duket se do mbetet gjatë.

Duhet, thonë një pjesë, ashtu siç krenohemi me shqiptarët që bëjnë emër të mirë dhe fitojnë famë, na bie të turpërohemi edhe për gjëma të tilla. Nuk na ka hije ta bëjmë sipas asaj motos machoiste: po qe djalë e kemi bashkë, po qe vajzë mbaje për vete.

Gjithsesi çështja është komplekse dhe vështirë se mund të marrë një përgjigje të prerë. Këndvështrime të ndryshme mund të shpien në qendrime të ndryshme.

2.

Kujtim Fejzullahu, i riu që bëri gjëmën në mes të Vjenës, vërtet ishte me origjinë shqiptare, nga Maqedonia Perëndimore, por kishte lindur në Austri dhe mbante nënshtetësi të dyfishtë: edhe austriake, edhe maqedonase.

Veç kësaj, burime të besueshme njoftuan se prindët e tij, të dy shqiptarë të Maqedonisë, të emigruar prej mëse dy dekadash në Austri, janë qytetarë të rregullt e njerëz të moderuar, që kanë bërë më të mirën për t’u integruar në jetën e vendit mikpritës. Në fakt dëshirën për të qenë me të renë, me progresiven dhe kombëtaren e patën deshmuar qysh kur për birin nuk zgjodhën ndonjë emër tipik mysliman, por e quajtën Kujtim, emër tipik shqiptar e laik.

Mendësia fondamentaliste e 20 vjeçarit duket se nuk ka buruar as nga kombësia e as nga mentaliteti i prindërve e farefisit. Avokati mbrojtës thoshte se, pas të gjitha gjasave i riu ishte molepsur nga interneti dhe nga rrethi shoqëror.

Për ta lehtësuar sado pak rolin e kombësisë shqiptare në këtë krim makabër shërbyen edhe dy ngjarje. Njeri nga viktimat rastisi të ishte po shqiptar nga Struga, kurse tre policë kosovarë, që ishin duke kryer një trainim në strukturat e policisë së Vjenës, morën pjesë në operacionin për të neutralizuar vrasësin e për të rivendosur rendin në rajonin e krimit.

Vërtet këto ngjarje shoqëruese ishin rastësore, por u semantizuan në rrafsh simbolik dhe shtynë shumë media të rikujtonin të vërtetën që ofrojnë sondazhet: shumica dërmuese e shqiptarëve mbështesin integrimet euroatlantike, ashtu si shumica e komuniteteve tona myslimane janë për vazhdimin e traditave të moderuara e tolerante dhe nuk pajtohen me prirjet radikalizuese që nxit një pakicë fondamentalistësh.

3.

Akti vandal i vrasësit të Vjenës duket se nuk ka ndonjë lidhje të kosiderueshme me kombësinë e tij shqiptare. Gjithsesi, ky interpretim nuk e fsheh, pa le më ta zhbëjë dot, faktin se në hapësirat shqiptare ekziston prej kohësh një prirje, herë më periferike e herë më e qenësishme, që synon ta radikalizojë islamin tonë tolerant e të moderuar.

Kjo prirje, thonë hulumtuesit, shfaqet në gjithë komunitetet myslimane të Ballkanit dhe lidhet me një varg faktorësh. Muxhahedinët arabë që morën pjesë në luftrat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe që më pas, në një masë të konsiderueshme, mbetën në hapësirat ballkanike, duket se kanë shërbyer si ferment për këtë radikalizim.

Në Shqipëri rritja e ndikimit salafist lidhet me spontanitetin dhe rrëmujën që shoqëroi vitet e para të tranzicionit, rrëmujë që u shfrytëzua nga qarqe fetare radikale nga Arabia Saudite dhe më gjerë.

Natyrisht jetojmë në një shoqëri demokratike dhe shekullare, ndaj besimtarët e kësaj apo asaj feje, të këtij apo atij grupimi a sekti, janë të lirë të zgjedhin drejtimin a nuancën religjoze që dëshirojnë të besojnë. Problemi është se myslimanët shqiptarë nuk shkuan vetë tek shkollat salafiste arabe, por i shpuri miopia e politikës.

Të moshuarit, që e njihnin dhe e kishin praktikuar fenë, donin islamin turk, më i moderuar e më tolerant, rrjedhimisht shumë i përshtatshëm për një vend me shumë fe dhe për një shoqëri që, thuajse unanimisht, synon integrimin në botën euroatlantike.

Por ngjarjet rrodhën ndryshe. Nisur nga vështirësi të momentit, vendimmarrësit e shtetit shqiptar u hapën portat disa OJF-ve arabe që, siç u pa më pas, kishin prirje të theksuara fondamentaliste, madje ishin të lidhura edhe me terroristë të rangut Bin Laden.

Target kryesor i punës së këtyre OJF-ve u bënë zonat e thella rurale ku, ofronin ndihma ekonomike për të varfrit dhe në shkëmbim kërkonin aderimin e tyre në traditën salafiste. Rreth 500 të rinj shqiptarë u dërguan në shkolla fetare saudite, malejziane, pakistaneze etj. Shumica e tyre u kthyen dhe nisën punën si klerikë në xhamitë që po ngriheshin me donacione arabe.

Të hidhje në veprim disa qindra klerikë të rinj, të edukuar me frymën salafiste, nuk ishte pak për një vend si Shqipëria që, në fund të viteve '90 kishte 600 e ca xhami. Dukej se islamit shqiptar s'i mbetej rrugë tjetër veç radikalizimit.

Pas sulmeve terroriste të Shtatorit 2001, falë edhe presionit të aleatëve perëndimorë, shteti shqiptar përzuri OJF- të arabe, që ndërkombëtarët i kishin listuar për aktivitet terrorist. Të tjerat ikën vetë për mungesë fondesh. Në vitet që vazhduan rolin e liderit për formimin e klerikëve shqiptarë e morën fondacione fetare turke.

4.

Sot duket se rreziku i radikalizimit salafist është kapërcyer. Klerikët dhe besimtarët që anojnë nga kjo shkollë janë në minorancë. Megjithatë, pasojat e hapjes së përkohshme ndaj salafizmit duket se do të vazhdojnë të trazojnë, si jetën e bashkësisë myslimane, ashtu edhe bashkëjetesën mes feve, d.m.th. gjithë shoqërinë.

Rreziku më i madh ngjan të jetë ashtëzimi i një fraksioni të margjinalizuarish brenda bashkësisë së besimtarëve myslimanë. Thënë ndryshe, egziston mundësia që bashkësia myslimane të ndahet në dy grupe: të moderuarit që ndjekin traditën e islamit turk dhe radikalët që udhëhiqen nga shkolla salafiste.

Ka prirje që kjo ndarje të mos mbetet thjesht doktrinore për çështje të besimit, mënyrës së faljes, zakoneve të martesës, shkallës së tolerancës etj., por të marrë edhe trajta sociale: tek radikalët të përfshihen më të varfërit, të shkolluarit keq e të margjinalizuarit, kurse tek të moderuarit - pjesa më e arsimuar dhe me status të pëlqyeshëm social. Nëse ndodh kështu do të ketë trazime të mëdha. Kur kufijtë fetarë vijnë e bien mbi kufij socialë, gjenerohen ndarje e përçarje më të fuqishme e më të dëmshme.

Një varg rrethanash ekonomike e shoqërore bëjnë që të varfërit dhe të margjinalizuarit t'i kemi të shumtë. Me gjasë ky “bollëk” do vazhdojë edhe për shumë vjet. Si rregull të margjinalizuarit ndihen të dobët, të diskriminuar e të nëpërkëmbur, kanë probleme të theksuara me identitetin, ndaj janë të prirur të identifikohen me grupime radikale, të cilat i perceptojnë si burim force, qëndrueshmërie dhe statusi social.

Përvoja botërore dëshmon se të margjinalizuarit, kur indoktrinohen nga fe fondamentaliste, shndërrohen në masë eksplozive dhe vënë në rrezik jo vetëm bashkëjetesën mes feve, por edhe vetë themelet e shoqërisë.

5.

Parë kështu, prirja për radikalizim salafist ushqehet nga shumë faktorë e shkaqe, që gjenden sa brenda komunitetit mysliman, aq edhe në dukuri mbarëshoqërore si varfëria, margjinalizimi social e kulturor, zhvillimi i pabarabartë dhe lenia ne harresë e zonave rurale etj. etj.

Larmia e shkaqeve presupozon që edhe përpjekjet për të shmangur këtë rrezik duhet të jenë të shumta dhe të llojeve të ndryshme. Nisin nga veprimi i agjencive ligjzbatuese kundër mullahëve që kryejnë veprimtari subersive e rekrutojnë besimtarë për t’i çuar në Siri e gjetkë dhe ngjiten tek lufta kundër varfërisë, politikat e zhvillimit të zonave rurale, krijimi i modeleve dhe autoriteteve bashkëkohore dhe të pranuara gjerë etj.

Prirja e disa aktorëve të ligjerimit publik për të stigmatizuar besimin islam si të prapambetur e regresiv prej natyre, kurse komunitetin mysliman si injorant e obskurantist, jo vetëm që shtrembëron keqas realitetin e gjërave, por shpesh krijon reaksion dhe shërben edhe si nxitëse radikalizimi.

S’do shumë mund të dallosh se në kësi rastesh operohet me teknika esencialiste: tiparet që karakterizojnë një komunitet trashëgohen si esencë e pandryshueshme në shekuj, ndaj myslimani rezulton të jetë gjakatar, prapanik, i paqytetëruar dhe të tjera tipare që Europa i ka zbuluar te hordhitë pushtuese mongole, arabe e osmane. Për ironi të rastit edhe fondamentalistët e sotëm islamikë përdorin të njejtën qasje: përpiqen ta zhveshin islamin nga zhvillimi historik dhe ta katandisin në një bërthamë origjinare, në një esencë të pandryshueshme. Tingëllon sarkastike që edhe intelektualët esencialistë edhe mullahët fondamentalistë përdorin të njëjtën qasje, luftojnë me të njëjtin jatagan.

Në kësi rastesh s’kemi të bëjmë me intelektualë, por me “muxhahedinë” të ekstremit tjetër, me një militantizëm ateist që, si të gjithë ekstremizmat mbetet joproduktiv, madje edhe i dëmshëm. Fjala është për disa “intelektualë”, që s’mbahet mend se kur kanë lexuar librin e fundit, por hyjnë e dalin studiove televizive dhe përsërisin e stërpërsërisin skema esencialiste e raciste që kundërvënë në thikë e në pikë orientin me oksidentin, kristianizmin me islamin, ateistin me besimtarin. I përdorin mekanikisht dhe trashë këto lloj skemash, si të ishin hajmali e duva nga ato të imamëve të vetëshpallur të katundit.

6.

Si të gjitha shoqëritë kemi nevojë të diskutojmë në rrafsh dituror edhe probleme të fesë e të shkencës, të besimit dhe të kërkimit empirik, të qasjes racionale e të asaj shpirtërore. Por është tjetër gjë debati në rrafsh dituror e tjetër gjë përfolja publike, që katandiset në stigmatizim e përjashtim.

Patën jehonë e ngjallën diskutime për shembull vrasjet e fundit terroriste në Francë, të nxitura nga karikaturat e profetit Muhamet. Natyrisht në një shoqëri shekullare, secili ka të drejtën ta thotë në publik opinionin e vet dhe është dëshmi barbarie të vrasësh për opinion e për bindje.

Por është tjetër të diskutosh nëse të lejohet apo jo të blasfemosh publikisht dhe tjetër të analizosh se ç’të mira e ç’të këqija sjellin blasfemi e provokime të tilla. Do shtuar pastaj se për çështje të tilla nuk ka zgjidhje universale, të dhëna një herë e mirë dhe të prera në kallëp për të gjitha kohët e të tëra vendet.

Francezët, a më saktë një elitë e zëshme që krijon opinion, i qasen temës delikate të blasfemive duke u bazuar në disa faktorë si: tradita frënge në ndeshjet e gjata dhe të ashpra për shekullarizim, vragat e periudhës së dikurshme kolonialiste, fuqizimi i politikave populiste sot, problemet e ndërlikuara të integrimit të emigrantëve etj.

Parë kështu nuk na bie të kopjojmë a imitojmë francezët me pikë e me presje. Kur diskutojmë të drejtën për të stigmatizuar besimin e tjetrit, s’duhet të harrojmë se, për arsye të njohura, kombi ynë është ndërtuar mbi parimin e respektit reciprok të feve.

©Çapajev Gjokutaj