Opinione

Kosova, Izraeli, thyerja e bllokadës diplomatike serbo-ruse dhe një kujtesë për Tiranën - Nga Shaban Murati

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në 1 Shkurt 2021 nuk është thjesht akti pozitiv i njohjes zyrtare midis dy shteteve, por ka një domethënie më të gjerë diplomatike dhe rajonale. Është një sukses i rëndësishëm diplomatik i shtetit të Kosovës, i cili thyen bllokadën e egër që Serbia dhe Rusia i kishin vendosur procesit të njohjeve diplomatike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Shteti më i fundit, që kishte njohur Kosovën, ishte Barbados në 15 Shkurt 2018 dhe tani pas një ngrirje tre vjeçare kemi Izraelin, i cili bëhet shteti i 117, që ka njohur Kosovën. Thyerja e kësaj bllokade të egër diplomatike serbo-ruse ka një rëndësi të veçantë, sepse sinjalizon një kthesë të rëndësishme në procesin e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Thyerja e bllokadës diplomatike serbo-ruse kundër Kosovës është një shuplakë e fortë ndaj strategjisë dhe taktikave sabotuese dhe diversioniste të Serbisë dhe të Rusisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndaj vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit u prit me shqetësim të madh në Beograd dhe në Moskë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi në 1 Shkurt se Serbia është e pakënaqur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës dhe kërcënoi Izraelin se kjo do të influencojë negativisht në marrëdhëniet e Serbisë me shtetin hebre.

Shqetësimi i presidentit serb buron nga fakti se thyerja e bllokadës diplomatike serbo-ruse kundër procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës përbën një dështim për diplomacinë antishqiptare të Serbisë dhe të Rusisë.

Së pari, duhet thënë se akti zyrtar i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nuk u bë rastësisht menjëherë pas inaugurimit në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të ri Xho Bajden, megjithëse de facto ishte lajmëruar qysh në marrëveshjet e Uashingtonit të 4 Shtatorit 2020 të SHBA me Kosovën dhe me Serbinë.

Realizimi i këtij akti në 1 Shkurt 2021 dëshmon vazhdimësinë e politikës dhe të angazhimit të SHBA në Ballkan. Ai sinjalizon një kthesë apo një impuls të ri në gjithë procesin e stabilizimit të situatës në Ballkan për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke.

Ngjarja e 1 Shkurtit konfirmon rolin e pazëvendësueshëm primar që SHBA kanë dhe duhet të kenë në procesin e stabilizimit dhe demokratizimit të Ballkanit. Gjëja kryesore, që duhet pasur parasysh nga të gjithë, është se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit është meritë, produkt dhe vendim i SHBA, shteti mbrojtës i lirisë dhe i pavarësisë së popujve dhe flamurtari i çlirimit dhe i pavarësisë së Kosovës.

Vetë presidenti serb e pranoi në 1 Shkurt se “Ne nuk donim që Izraeli ta ndërmerrte këtë hap, por Izraeli zgjodhi që Amerika për të është më e rëndësishme”. Aq i hutuar është Vuçiç nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit sa që harron se ai vetë ka deklaruar në Uashington në 4 Shtator 2020 se “nëse Izraeli dhe Prishtina bien dakord të njohin njeri-tjetrin, mirë”.

Ishte Amerika ajo që vendosi në marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë të 4 Shtatorit nenin e njohjes së Kosovës nga Izraeli dhe është Amerika ajo që i dha fund hezitimit të paqartë trembëdhjetë vjeçar izraelit për njohjen e Kosovës. Sepse, siç deklaroi edhe Ambasada amerikane në Prishtinë në përshëndetjen e saj në 1 Shkurt për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit: “Kur partnerët tanë janë të bashkuar, SHBA është më e fortë”.

Serbia është e shqetësuar, sepse e sheh që nuk mund të zgjasë në pafundësi në vendrrotullimet e saj diplomatike bizantine në dialogun e stërzgjatur midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.

Është e shqetësuar edhe Rusia, e cila e sheh se po i afrohet fundit intriga e saj diplomatike për ta mbajtur të pazgjidhur dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si një konflikt të ngrirë për ndërhyrjen e vazhdueshme ruse në Ballkan.

Paralajmërimi i madh i qeverisë së re amerikane për hyrjen në procesin e zgjidhjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve me njohjen reciproke, erdhi në datën 28 Janar 2021, kur stacioni zyrtar radiofonik amerikan “Radio Europa e Lirë” publikoi deklaratën e Departamentit të shtetit lidhur me dialogun Serbi-Kosovë: “Siç ka thënë presidenti Bajden, një zgjidhje e plotë, që çon në njohje reciproke, në ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të të dy vendeve”. Është qëndrimi zyrtar i qeverisë së re amerikane, që sinjalizon ritme dhe angazhime të reja për t’i dhënë fund bllokadës së gjatë diplomatike dhe politike të Serbisë ndaj Kosovës dhe mbylljen e diplomacisë së kalendave greke, të ndjekur në dialogun Serbi-Kosovë nga BE.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit ka rëndësi të veçantë, sepse neutralizon dhe zhvleftëson tezat dhe argumentet diplomatike të disa shteteve, që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Kjo mund të ndodhë me disa shtete në Amerikën Latine, në Afrikë dhe në Azi, që nuk e kanë njohur Kosovën, por ku Izraeli ka ndikime të llojeve të ndryshme dhe të cilat tani mund të kenë efekt në vijën e rishikimit të qëndrimeve të tyre.

Kjo mund të ndodhë edhe me pesë shtetet e BE, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e pavarur të Kosovës dhe të cilat tani ndjehen më të paargumentuar në mbrojtjen e këtij pozicioni përballë faktit që Izraeli vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Mendoj se Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro do të jenë më të dobët tani në justifikimin e qëndrimeve të tyre për mosnjohjen e Kosovës.

Tronditjen zyrtare të Serbisë dhe të Rusisë nga thyerja e bllokadës së tyre diplomatike ndaj Kosovës e dëshmon sidomos përpjekja absurde e tyre për të keqinterpretuar në plan fetar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit.

Presidenti i Serbisë Vuçiç mori pozën e mbrojtësit të shteteve myslimane dhe deklaroi në 1 Shkurt se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës asnjë shtet mysliman nuk do të kërkojë ta njohë Kosovën, duke bërë sikur nuk e di që Izraelin e njohin dhjetëra shtete myslimane. Përtej paragjykimit fetar të presidentit serb ndaj Kosovës dhe ndaj Izraelit, kemi ligësinë bizantine të një prirje diplomatike për të futur përçarje dhe armiqësi midis Kosovës dhe shteteve me shumicë myslimane, të cilat e kanë njohur ose nuk e kanë njohur Kosovën.

Këtij avazi i mëshuan të gjitha mediat ruse për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Madje portali “eadaily.ru” arrinte në 1 Shkurt deri atje sa krijonte insinuata duke shkruar që “Kosova deri tani nuk e ka njohur Izraelin, sepse shumica myslimane e saj ishte kundër”.

As Serbinë dhe as Rusinë nuk i ha malli për shtetet dhe popujt myslimanë të botës, kur të dyja brenda shteteve të tyre i kanë vrarë dhe masakruar popujt myslimanë. Taktika diplomatike e Serbisë dhe e Rusisë synon të fusë përçarje dhe të nxisë shtetet me shumicë myslimane kundër Kosovës dhe kundër Izraelit.

Nuk ka gjë më idiote se sa të shohësh apo të interpretosh me sy fetar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis shteteve. Në këtë frymë serbo-ruse ranë dhe disa media e portale në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat nuk dihet se për çfarë arsyesh e interpretuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit me një ekzaltim anti-mysliman njësoj si Serbia dhe Rusia.

Thelbi i intrigës diplomatiko-propagandistike serbo-ruse është që ta mbajnë konfliktin Serbi-Kosovë si pretekst për të ngritur tensionet në Ballkan dhe për të shtrirë ndikimin serb dhe rus në rajon. Kaq të dalldisur janë në këtë drejtim, sa që portali proqeveritar rus “regnum.ru” në 29 Janar 2021 dilte me titullin me tone histerike luftënxitëse: “Serbia duhet të shpallë pushtimin e Kosovës dhe të presë kushtet për kthimin e saj”.

Thyerja e bllokadës diplomatike serbo-ruse në arenën ndërkombëtare me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit duhet të shërbejë si shkundje e madhe për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilat për fat të keq sikur ishin familjarizuar me atë bllokadë. Shqipëria dhe Kosova duhet të kapin momentin për një ofensivë të re diplomatike për të rivitalizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të zgjohen dhe të rilexojnë detyrën e tyre kushtetuese, diplomatike dhe kombëtare për t’u kërkuar shteteve të tjera njohjen e Kosovës.

Nuk është në nderin e qeverisë dhe të diplomacisë së Shqipërisë që ka harruar në takimet dhe në bisedimet zyrtare t’u kërkojë Greqisë dhe Rumanisë, me të cilat Shqipëria ka edhe Traktate Miqësie, që të njohin Kosovën, por duhet t’ua kërkojë gjitha shteteve me të cilat ka marrëdhënie diplomatike dhe që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit është një moment i favorshëm diplomatik për të avancuar në arenën ndërkombëtare interesat e Kosovës, të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

©DITA