Opinione

LDK duhet t’i kërkojë falje Vjosa Osmanit - Nga Artan Abazi

Pas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe rezultatit më të dobët në historikun e LDK, e gjithë kryesia e LDK duhet t’i kërkojë falje Zonjës Vjosa Osmani!

Një ditë para zgjedhjeve, kandidati i LDK për kryeministër, Z. Avdullah Hoti tha se largimi i Vjosa Osmanit, do të kishte zero ndikim në votuesit e LDK. Momentalisht, pa u numëruar votat e diasporës, LDK i ka gjithsej 13.08% dhe ka mundësi që të ulet ky numër edhe më tutje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e shkarkoi Vjosa Osmanin nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë në Qershor të vitit 2020. Vjosa Osmani u shantazhua vazhdimisht dhe një diskurs i vrazhdë politik u përdor ndaj saj, çka iu kthye si bumerang LDK. Sot më 15 Shkurt 2021, Isa Mustafa dha dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe pritet që e tërë kryesia të veprojë njëlloj. Po si është e mundur që pas këtij dështimi total zgjedhor askush nga strukturat e LDK nuk i kërkoi falje Zj. Osmani?

Kryesia e re e LDK duhet që ta thërrasë Vjosa Osmanin, ti kërkojë falje dhe ajo ta udhëheqë LDK. Ky do të ishte i vetmi shpëtim dhe një rigjenerim i LDK që ajo të rikthehet në skenën politike si një faktor i rëndësishëm. Deputët e zgjedhur të LDK duhet po ashtu ta votojnë Vjosën si presidente dhe të mos bëjnë gabimin e Isa Mustafës kur e rrëzoi qeverinë Kurti 1.

Fitorja e koalicioni të Vjosa Osmanit me Lëvizjen Vetevendosje shihet si një referendum i popullit kundër korrupsionit dhe kërkesë për drejtësi, pra ishte një ndëshkim ndaj partive që për 20 vite nuk sollën ndonjë prosperitet dhe zhvillim të vendit. Kjo ishte një votë për ndryshim, pra edhe vetë LDK duhet të ndryshojë dhe të reflektojë nëse dëshiron të mbetet një faktor në elitën politike të Kosovës.

Natyrisht që në secilin vend demokratik, shtetit i nevojitet një opozitë konstruktive, por Kosovës më së shumti i nevojitet një shumicë parlamentare sikur kjo e Vetvendosjes dhe listës së Vjosa Osmanit, që Kosova të përparojë shpejt në luftimin e korrupsionit. Prioritete duhet të jenë edhe punësimi, shëndetësia e arsimi, pastaj duhet të vijnë çështjet e tjera si dialogu me Serbinë. Parneriteti me SHBA dhe presidentin e posa zgjedhur Joe Biden, por edhe me Bashkimin Europian, duhet të forcohet edhe më shumë.

LDK nuk duhet të bëje ndonjë gabim fatal që në kryesinë e re të rizgjedhë njerëz si Lutfi Hazirin apo Agim Veliu. Shansi duhet t’u jepet individëve të aftë politikisht dhe të rinjve si Faton Peci apo Faton Bislimi, politikanë të shkolluar jashtë dhe me përvojë në politikë.

Më e keqja për LDK doli që nuk e fitoi as një të vetme komunë. Po pra, as në vendlindjen e Z. Ibrahim Rugova dhe as në fshatin e Z. Agim Veliu. Kjo ishte përgjigja më e mirë që elektorati i dha LDK.

O sot o kurre! Reflektoni dhe shfrytëzojeni shansin të mbijetoni e ndoshta të riktheheni fuqishëm, aty ku e keni vendin, në elitën politike kosovare.

©Artan Abazi, gazetar freelance - Halifax, NS