Opinione

Anarkia e rrezikshme dhe bizneset abuzive të pandemisë - Nga Ndriçim Kulla

Situata e jashtëzakonshme dhe tejet e rënduar e pandemisë po kërcënon seriozisht jetën e qytetarëve të të gjitha moshave, sepse manaxhimi i pandemisë është larg çdo standardi politik dhe professional dhe sistemi ynë shëndetësor po shfaqet me kapacitete tejet të kufizuara njërëzore realisht të kualifikuara për testimin, monitorimin dhe mjekimin e pacientëve si dhe me kapacitete qesharake laboratorike   teknike për trajtimin e Coronavirusit. Sot shëndeti i çdo qytetari të prekur nga Covid është pothuajse në dorën e Zotit dhe të një rrjeti të agjencive që po transportojnë të sëmurë jashtë vendit, krejtësisht jashtë çdo kontrolli.

Kjo gjëndje është e patolerueshme tani në muajin e 12-të pandemisë. Propaganda false gjatë mbylljes së parë, investimet krejtësisht të pamjaftueshme të bëra edhe gjatë këtyre muajve në paisjen e spitaleve me teknikën e re për trajtimin e Covid, nënvleftësimi i një trajnimi serioz të mjekëve dhe infermierëve, manaxhimi jo transparent dhe jo profesional i gjithë situatës kanë bërë që pandemia të jetë de facto në rrjedhje të lirë dhe jashtë cdo kontrolli real.

Qytetarët janë sot jo vetëm të frikësuar për fatin që mund të ketë çdo njeri që përfundon në spital, por edhe viktima të një anarkie totale për sigurimin e mjeteve të nevojshme për përballjen me këtë virus. Çdo gjë duket jashtë çdo kontrolli shtetëror. Të sëmurëve u këshillohen vend e pavend, pa receta dhe me receta abuzive, analiza dhe teste imazherie më të shtrenjtat në Europë, mjekime shumë të shtrenjta abuzive dhe pa efekt real, por thjesht në interes të biznesit farmaceutik, madje edhe të rrezikshme për shëndetin e të sëmurëve. Po lulëzon tregu i oksigjenit pa cilësinë e oksigjenit sanitar dhe me çmime shumë të larta. Askush nuk i kontrollon. Si është e mundur që të krijohe një anarki e tillë që i ngjan situatave në vendet që janë në luftë?! A ka ky vend inspektoriate shtetërore?

Të gjendur në këtë pasiguri të skajshme për jetën, qytetarët duket se kanë rënë pre edhe të një rrjeti tjetër që po korr fitime jashtëzakonisht të mëdha, pikërisht ai i transportit   të sëmurëve jashtë vendit. Madje ngjan si një rrjet i mirëorganizuar internacional, ku numri i të transportuarve nga Shqipëria krahasohet me Rusinë gati 50 herë më të madhe në popullsi! Shpesh edhe këto transporte jashtë vendit përfundojnë në mënyrë fatale dhe sigurisht këto agjenci nuk i japin llogari askujt. Familjet dhe qytetarë që humbasin njerëzit e tyre, edhe pse kanë shitur shtëpitë për të përballuar kosto jashtëzakonisht të  larta, nuk kanë asnjë shans të përballen, as në rrugë juridike, me këtë rrjet agjencish, sepse janë të braktisur  nga shteti  dhe ky rrjet duket se është në duar shumë të fuqishme!

Ky rrjet agjencish vepron krejtësish në baza private dhe jashtë çdo kontrolli shtetëror. Madje vetë Kryeministri u distancua publikisht nga këto agjenci dhe indirekt u tha qytetarëve: Mos udhëtoni jashtë për tu kuruar, sepse çdo gjë e keni në Shqipëri! Pse e bëri Kryeministri këtë deklaratë? Thjesht për tu shfajësuar dhe secili ta marrë vet përgjegjësinë, në qoftëse vendos të udhëtoj për tu mjekuar jashtë vendit. A mjafton kjo? Jo, aspak. Detyra e qeverisë është të vejë në mbikqyrje këtë biznes dhe jo thjesht të distancohet prej tij! Kush do ti mbrojë qytetarët nga këto rrjete kaq të fuqishme, kur shteti mbyll sytë? Të sëmurë u transportuan midis Francës, Italisë dhe Gjermanisë. Por ky transport ishte i organizuar tërësisht nga shteti.

Si shpjegohet ky lulëzim i bizneseve abuzive të lidhura me Covidin në vendin tonë, biznese që jo vetëm po zhvasin qytetarët, por po dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre, deri edhe me raste fatale! Mos vallë interesat e këtyre bizneseve janë shkaku që përgjatë këtyre 10 muajve nuk u investua seriozisht as për teste, as për pajisje spitalore në spitale të tjera në Tiranë dhe ato rajonale, as për trajnim të mjekëve dhe infermierëve, as për mjekët e familjes, etj. dhe i gjithë sistemi tani po bie në kolaps? Më thjesht akoma ta bëjmë pyetjen: a e kanë kapur ose nënshtruar këto biznese qeverinë dhe gjithë strukturën manaxhuese të shendetsisë? Si ka mundësi që edhe gjatë kësaj periudhe vazhdojnë të paguhen koncensionet në shëndetësi që nuk i shërbejnë përballimit të Covid-19?

A nuk ia vlen që të zgjohen strukturat e shtetit për të hetuar këtë situatë kolapsi të sistemit shendetësor dhe të lulëzimit të bizneseve zhvatëse abuzive në dëm të shëndetit dhe jetës së qytetarëve. KLSH i pari, pastaj SPAK dhe strukturat e krimit ekonomik, madje edhe strukturat e SHISH. Kush mund ti verë në lëvizje këto struktura? Këtë mund ta bëjnë edhe vetë këto struktura?  Nëse jo, atëhere ta kërkojë Opozita, Presidenti i Republikës, por pse jo edhe Shoqëria Civile, edhe grupe qytetare mund të kërkojnë një hetim të thellë dhe të gjithanshëm të kësaj situate anarkie dhe kolapsi. Por një rol të fuqishëm denoncues mund të luajë media. Pse duhet të bëjmë folklor fals për gjendjen e sistemit dhe shërbimin spitalor katastrofal? Pse vetëm disa gazetarë të veçantë e denoncojnë këtë realitet të hidhur? Pse media nuk i denoncon gjithë bizneset abuzive që lidhen me pandeminë, deri tek ky rrjet kaq i fuqishëm i transportit të të sëmurëve për në Turqi dhe vende të tjera?!

Opozita po flet çdo ditë për pandeminë, por ajo duhet të denoncojë më fuqishëm këtë anarki shtetërore dhe të gjitha bizneset abuzive që po shkatërrojnë jo vetëm shëndetin, por edhe jetën e qytetarëve krejtësisht te pambrojtur.

Kjo situatë anarkie i ngjan atyre situatave që krijohen në zonat e luftës. Ajo po e gjunjëzon Shqipërinë dhe duhet denoncuar nga të gjithë sot dhe menjëherë. Nesër do të jetë shumë vonë. Me këte anarki shqiptarët i pret një dramë edhe më shkatërrimtare   pandemie, e cila jo vetëm mund të marrë shumë jetë njërëzish, por edhe mund të shumëfishojë varfërinë e familjeve shqiptare.

©Ndriçim Kulla