Opinione

E shajnë Aurela Bashën si Haxhi Qamili gruan e Princ Vidit - Nga Ndriçim Kulla

Dikur shumë vite më parë, kur djali i madh i Edi Ramës lëngonte në një   nga spitalet  amerikane prej sëmundjes delikate  që e kishte zënë dhe Edi Rama si prind luftonte me të gjitha mjetet për ta mbajtur në jetë djalin e tij Grigorin, në opinionin publik shqiptar  pati debate që mua  për ato momente mu dukën jo të përtshtatshme, se ku i gjeti tërë ato para kryebashkiaku Tiranës për ta mjekuar  të birin në një spital shumë të shtrenjtë  në Amerikë. Pikërisht, në ato momente në gazetën “Panorama”, unë u jam kundërvënë këtyre opinioneve, duke mbrojtur aktin prindëror të Edi Ramës, për të shpëtuar djalin nga kthetrat e vdekjes. Madje e kam quajtur këtë akt si një nga gjërat më njerëzore që ka bërë në jetë. Ndërsa për punën e gjetjes së parave meqënëse ishte person që administronte të ardhurat publike të një kryeqyteti mund të gjendej rasti i përshtatshëm të diskutohej. Kjo ishte etike dhe njerëzore.

Ndërsa sot Edi Rama, si njeri pa skupuj që është. me njerëzit e sponsorizuar prej tij për të prishur sadopak imazhin publik të Lulzim Bashës shajnë Aurela Bashën si Haxhi Qamili gruan e Princ Vidit.

Jam i vetëdijshëm se krahasimi nuk është tamam i saktë sepse gruaja e Princ Vidit ishte gjermane, ndërsa gruaja e Lulzim Bashës, zonja Aurela Basha është shqiptare. Por ngjashmëria ka të bëjë me faktin se, si asnjëherë më parë në historinë e shtetit shqiptar që nga viti 1914 kur haxhiqamilistët shanin “kaurkën nemcelije” (gjermane), Princeshën Sofia, gruan e Princ Vidit, kryetarit të shtetit shqiptar të emëruar nga fuqitë e mëdha, një tjetër zonjë, grua e një politikani është bërë objekt i sharjeve dhe shpifjeve mediatike. Është fjala për Aurela Bashën, gruan e kryetarit të opozitës Lulzim Basha.

Kundër zonjës Aurela Basha është ngritur një furtunë propagandistike sikur ajo tanimë është bërë holandeze dhe këtu vjen ndonjëherë sa për t’u dukur në krah të burrit të saj për nevoja të imazhit politik të këtij të fundit. Madje më të zellshmit e shpifarakëve qeveritarë shkojnë deri në ekstrem duke thënë se edhe vetë Lulzim Basha jeton në Holandë, por vjen herë pas here në Shqipëri si turist politik për të bërë opozitarin.

Haxhi Qamili së paku kishte burrërinë që akuzat ndaj gruas së kundërshtarit të tij t’i bënte së pari vetë me gojën e tij dhe pastaj ato i përsërisnin ndjekësit e tij. Kryeministri Rama njeriu i cili qëndron pas fushatës së shpifjeve kundër gruas së rivalit të tij politik nuk ka kurajën që t’i bëjë vetë akuzat i pari, por hedh gurin dhe fsheh dorën. Ose më saktë hedh baltën dhe fsheh dorën por megjithatë dora i mbetet e përlyer me baltën që i ka hedhur gruas së rivalit politik, Lulzim Bashës. 

Edi Rama me këtë sillet si Enver Hoxha i cili vuri trumbetuesit e tij që të shanin gruan hungareze të Mbretit Zog, ndërsa vetë me gojën e tij nuk e bëri këtë gjë. Me sa duket Enver Hoxha u vetëfrenua për shkak se nuk donte të imitonte deri këtu Haxhi Qamilin ndonëse këtë obskurantist e shpalli lider përparimtar të kryengritjes fshatare. Kështu që Enver Hoxha hidhte gurin dhe fshihte dorën, megjithëse çdo njeri e kishte të qartë se në regjimin e tij nuk mund të shahej publikisht asnjë personazh historik pa lejen e tij.

Partia Socialiste duket se e trashëgoi nga Enver Hoxha traditën e sharjes së gruas së kundërshtarit politik. Kështu, ndaj gruas së Sali Berishës u bënë shpifje dhe sharje të pafundme sikur ajo e kishte nënën serbe dhe i kishte dajët në Beograd me detyra të larta shtetërore.

Të gjitha shpifjet ndaj Aurela Bashës nuk do të kishin asnjë rëndësi dhe nuk do të merrja mundimin të shkruaja për këtë temë, sikur e gjithë kjo fushatë shpifjesh të ishte tregues i diçkaje tjetër më të rëndë se prekja e dinjitetit të Aurela Bashës dhe familjes së liderit të opozitës, në përgjithësi.

Ajo gjë që më shqetëson më tepër është mentaliteti i sharësve të Aurela Bashës të cilët imitojnë të njëjtin mentalitet si të Haxhi Qamilit dhe të Enver Hoxhës për të sharë gruan e kundërshtarit politik. Dhe ç’është më e keqja këto sulme zbulojnë një mentalitet të trashëguar anti-europian. Nuk është e rastësishme që të tre, Haxhi Qamili, Enver Hoxha dhe Edi Rama kanë sulmuar tre gra të kundërshtarëve politikë nga të cilat dy ishin europiane, gruaja e Princ Vidit dhe gruaja e Zogut, ndërsa e treta akuzohet se është bërë holandeze!

Urrejtja ndaj Aurela Bashës vjen me sa duket jo vetëm nga fakti se ajo është gruaja e liderit të opozitës por edhe sepse ajo ka njëfarë lidhje me Holandën, si gjysma e shqiptarëve që kanë udhëtuar dhe kanë jetuar në Perëndim. Dhe Holanda është vendi që e ka gjykuar më rreptë qeverisjen e “Rilindjes” në Shqipëri për dështimin në arritjen e kritereve për integrimin europian të Shqipërisë. Prandaj e kanë me Holandën, edhe më shumë se me Aurela Bashën. Ashtu siç e kishte edhe Haxhi Qamili me Holandën sepse nga ajo kishin ardhur në kohën e tij    oficerët holandezë që punonin për organizimin e ushtrisë dhe të policisë shqiptare.

Ata që qëndrojnë pas sharësve ndryshojnë vetëm në një gjë nga Haxhi Qamili. Gratë dhe fëmijët e tyre jo vetëm që udhëtojnë nëpër botë parreshtur me paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit, por edhe gratë dhe fëmijët e tyre jetojnë në luks për pjesën më të madhe të vitit jashtë Shqipërisë.

Sulmi ndaj Aurela Bashës tregon se sa të dëshpëruar janë ata që i organizojnë këto fushata shpifjesh. Dhe janë të dëshpëruar se kanë kuptuar që në 25 Prill populli do t’i ndëshkojë me votë dhe do të humbin pushtetin që u siguron grave dhe fëmijëve të tyre ato privilegje për të cilat akuzojnë gruan dhe fëmijët e Lulzim Bashës.

©Ndriçim Kulla