Opinione

14 Shkurti 2021 i ndan dy epoka në Kosovë - Nga Xhafer Shatri

Xhafer Shatri - Zvicër

Përbërja e parisë, siç u thonin të moçmit tanë elitave, është shumë e rëndësishme për fatin e një vendi dhe një kombi. Për të ardhmen e tyre sidomos.

Vendet dhe popujt e vegjël, gjatë gjithë historisë, janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me përpjekjet e atyre që kanë interesa gjeopolitike aty, me qëllim që t'ua imponojnë elitat sipas interesave dhe kutit të tyre.

Për t'u konstatuar kjo e vërtetë, nuk ka shëmbull më të mirë se Kosova. Mjafton të analizohen sjelljet, mendësia dhe veprimet e parisë tonë në Kosovën e pasluftës. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe harbimi krejt shlirshëm i hamshorëve të UNMIK-ut etj., në një vend dhe mbi një popull evopian.

Kjo ka mundur të bëhet vetëm falë parisë së sajuar sipas nevojave të atyre që Kosovën mëtonin ta bënin kështu siç është: shtet në rrugë për të dështuar. Per këtë rrëzbitje e shtetrrënim, "merita" kryesore i takon Hashim Thaçit e më vonë edhe argatit të tij, Isa Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë.

Nëse i referohemi të djeshmes, mund të konstatohet se këta shtetrrënues, me mendësinë dhe veprimet e tyre përgjasojnë shumë me dy politikanë që, më 1989, ia imponuan Kosovës Kushtetutën e tankeve dhe, bashkë me Serbinë, ia suprimuan asaj autonominë. Pra me Rrahman Morinën dhe Ali Shukriun.

Në dy zgjedhjet e parafundit nacionale, tandemi Thaçi&Mustafa arriti, fare lehtë, ta shpërfytyrojë vullnetin e popullit të Kosovës, duke mos lejuar që fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, të qeverisë vendin. Në këto veprime diversioniste ata kishin mbështetjen absolute të Serbisë. Sepse vetëm kështu mund të realizohej projekti për ndarjen e Kosovës: “Marrëveshjet” që nënshkroi Thaçi me Daçiqin, më 2013 dhe Mustafa me Vuçiqin, më 2015, kishin për qëllim përvijimin e copëtimit të Kosovës.

Këto lojëra të rrezikshme, më në fund i kuptoi elektorati dhe, më 14 Shkurt 2021, ua dha partive shtetrrënuese dënimin që meritonin. Më së keqi e pësoi LDK-ja, sepse uzurpuesit e saj, duke luftuar me të gjitha mjetet frymën shtetndërtuese që përfaqësonte e përfaqëson Vjosa Osmani, e humbën betejën me të, por edhe zgjedhjet e, me to, edhe pozitat e tyre.

Ardhja në krye të LDK-së e një ekipi të ri drejtues e shpëtoi këtë parti nga shpartallimi i saj i plotë e i pashmangshëm.

Se si e ka trajtuar Isa Mustafa LDK-në, prej që ishte katapultuar në krye të saj e dëshmon një shëmbull që flet vetë dhe thotë gjithçka: për 11 vjet sa e sundoi këtë subjekt, pseudoakademiku, nuk e kishte berë madje as regjistrimin e anëtarësisë së LDK-së... gjë që do të ishte e paimagjinueshme edhe për një OJQ që mbron të drejtat e iriqëve.

3.

14 Shkurti, përmes një procesi zgjedhor i solli Kosovës një elitë të re politike, jo vetëm për nga mosha por në të gjitha pikëpamjet: përgatitja intelektuale, mendësia, guximi dhe, sidomos vendosmëria për ta shpëtuar Kosovën nga kthetrat e një mafie politike të strukturuar mirë dhe me mbështetjetje të fuqishme nga jashtë. Në radhë të parë nga Serbia.

Albin Kurti dhe ekipi i tij (Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi etj...), nuk erdhën në pushtet me uzurpim partish e lëvizjesh, as përmes komplotesh të përgjakshme, por përmes një lufte të gjatë e të vështirë politike duke pasur përballë kundërshtarë të fuqishëm e të rrezikshëm.

Lëvizja Vetëvendosje ka merita historike sepse:

- e ka mbajtur gjallë, e me shumë sakrifica, idealizmin e Kosovës, i cili gjatë viteve tetëdhjetë e nëndhjetë e ka mahnitur botën;

- ka kundërshuar vendosmërisht veprimet arbitrare e anti-Kosovë të mujsharëve të UNMIK-ut;

- gjatë bisedimeve të Vjenës ishte i vetmi subjekt politik që kundërshtoi përpjekjet për kantonzimin e Kosovës (jo pak herë disa pjesëtarë të delegacionit të Kosovës, të zënë ngushtë nga Serbia dhe ndërkombëtarët, i drejtoheshin VV-së: aman kundërshtoni se e kemi punën keq...).

- që në përpjekjet e para të Serbisë dhe të parisë së Kosovës për copëtimin e vendit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar me të gjitha mjetet e mundshme këtë projekt antishqiptar.

E them, pa hamendje, se mos të ishte reagimi i vendosur i VV-së, qoftë edhe duke përdorur gazin lotsjellës në Parlament, tandemi Thaçi&Mustafa do t'ia impononin Kuvendit miratimin e Marrëveshjes së 25 Gushtit 2015 të nënshkruar nga Isa Mustafa dhe A. Vuçiqi.  Ua përkujtoi lexuesve se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se; përmes kësaj marrëveshjeje antishqiptare, Isa Mustafa (e Hashim Thaçi, i pranishëm aty gjatë nënshkrimit) kishin shkelur Kushtetutën hiç më pak se 25 herë.

Vjosa Osmani është personaliteti kryesor i LDK-së që ka mbrojtur vendosmërisht identitetin shtetformues të Lidhjes. Ajo:

- ka kundërshtuar uzurpuesit e këtij subjekti politik duke u imponuar si lidere e mirëfilltë e saj;

- ka denoncuar publikisht kthimin e LDK-së në një patericë të Hashim Thaçit;

- ka kundërshtuar zgjedhjen e Hashim Thaçit president i Kosovës, e vetëdijshme se ky mafioz që kishte shkelur nëpër kufoma, nuk duhej lejuar kurrsesi që të ulet në kolltukun e shefit të shtetit;

- ka kundërshtuar zëshëm e si askush tjetër shkeljen, nga Isa Musta e ndihmësit e tij, të vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 6 Tetorit të vitit 2019;

Një rrugëtim të ngjashëm politik kishte edhe krahu i saj i djathtë, Donika Gërvalla. Ajo prej fillimit ka denoncuar dhe demaskuar Isa Mustafën si argat të prontomafias dhe uzurpues i LDK-së.

Më kujtohet si sot, dhe nuk do ta harroj kurrë ditën e 25 Majit 2016, kur horrat e Isa Mustafës jo vetëm nuk e lejuan Donikën të marrë pjesë në Kuvendin e LDK-së, ani se ishte kryetare legjitime e Degës për Gjermani, por, për turpin e pafalshëm të Lidhjes, për turpin e Kosovës e të shqiptarëve, në një indiferencë të plotë, e tërhoqën zvarrë, vajzën e Heroit të Kombit, Jusuf Gërvalla, e cila kishte bërë më shumë për LDK-në dhe për Kosovën se krejt Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i asaj kohe i Lidhjes Demokratike.

5.

Koalicioni Vetëvendosje-Guxo, është një subjekt në të cilin kanë mbështetur shpresat e tyre pjesa dërrmuese e popullit të Kosovës dhe e shqiptarëve, kudo që janë. Sepse ardhja legjitime e këtij koalicioni në pushtet i shpartalloi elitat e korruptuara dhe shërbestarët e Serbisë. Mjafton një shëmbull i thjeshtë që i zhvesh cullak partitë e haraçit: Për Glauk Konjufcën votuan 67 deputetë, ndërsa për bedelin e Vuçiqit në Kosovë, Sllavko Simiq votuan 91 deputetë!?

Mbetet të shohim se çka do të ndodhë gjatë votimit për Vjosa Osmanin. Aty do të ndahet shapi nga sheqeri. Por besoj se partia e SHIK-ut dhe Agim Veliu me ndonjë mistrec tjetër e dijnë mirë se çka do t'i gjejë nëse i dalin përballë vullnetit të popullit të Kosovës. Do ta rrezikojnë seriozisht edhe pragun, e lëre më të mund ta pengojnë Vjosa Osmanin për të cilën votuan mbi 300 mijë qytetarë.

Me përmbylljen e këtij harku zgjedhor Kosova do të ketë Presidente e Qeveri që udhëhiqen nga njerëz parimorë e me integritet, nga personalitete të dëshmuara që do të bëjnë të pamundurën për ta bërë Kosovën shtet evropian në të gjitha kuptimet e kësaj fjale.

Epoka e shtetrrënuesve, e vrasësve për karrige dhe e tregtarëve me kufijtë e Kosovës përfundoi, ashtu siç meritonte: me faqe të zezë!

Tani fillon epoka e shtetndërtuesve, e njerëzve që kanë ideale, e njerëzve atdhetarë, e njerëzve me integritet e kod moral!

Urime Kosovë! Urime shqiptarë kudo që jeni!

©Xhafer Shatri