Opinione

Nganjëherë është më lehtë t’i biesh direkt nga Kina - Nga Hajdar Muneka

Unë nuk bëj pjesë në grupin e atyre personave që nuk e duan vaksinën kineze. Për më tepër, nuk jam kundër asnjë vaksine që është në treg e që shpëton jetë njerëzish. Madje ndjehem i keqardhur që atij grupi i janë bashkuar edhe shumë intelektualë që nuk e kanë haberin e vaksinës, përfshirë edhe disa mjekë, çuditërisht. Besoj se disa e bëjnë nga injoranca e padija, të tjerë bëjnë politikë. Politikë cinike me jetën e njerëzve!

I kam vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për të siguruar vaksina për qytetarët e saj. Jam i sigurtë se në ato që thotë kryeministri për vështirësitë e sigurimit të tyre ka të vërteta. Pasi sot ka vende shumë më të fuqishme se Shqipëria që akoma janë larg sigurimit të saj. E besoj Edi Ramën kur tregon historitë e tij me princin arab apo edhe kur, për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se vaksina kineze është e mirë, tregon se si atë e ka përdorur i gjithë oborri mbretëror i Emirateve.

Por, sa të lodhet kaq shumë me këto shpjegime, mendoj se kryeministri shqiptar do ta kishte më të lehtë t’i binte nga Kina. Sepse, në këtë rast, Kina është shumë më afër se çdo vend arab, madje më afër se edhe Turqia, e cila ka marrë përsipër furnizimin e Shqipërisë me vaksina kineze. Kryeministri do të ishte lehtësisht i besueshëm po t’i referohej direkt Kinës. Të thoshte se ajo është ndër vendet e para që e ka mposhtur këtë flamë botërore. Për shkak të masave drastike parandaluese të qeverisë kineze, por edhe falë kësaj vaksine, e cila ka kaluar provën e suksesit tek një miliardë kinezë.

Shqiptarët po vaksinohen. Shpresoj që ky proces të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe turqit ta mbajnë fjalën e dhënë. Pasi efekti i vaksinës është i plotë kur merret edhe doza e dytë e saj. Dhe kjo ka afate të përcaktuara. Kapërcimi i tyre e bën të pavlefshme. Nuk dua të dyshoj në mundësitë e realizimit të këtij premtimi. Se, në të kundërt, e gjithë kjo eufori e tanishme, do të kthehej në një zemërim të papërballueshëm popullor. Shqiptarët mund të falin shumëçka, por jo deri tek jeta e tyre.

Pa dyshuar në aftësitë e qeverisë për ta siguruar të gjithë kontingjentin e nevojshëm të vaksinave, gjithë këto ditë më ka munduar një pyetje: Pse vaksinat kineze të mos i merrnim direkt nga Kina? Përveç të tjerave kjo do të shuante edhe shumë hamendje e trillime që po qarkullojnë në tregun mediatik e atë të kefeneve. Pastaj ky nuk është një proces që kryhet një herë e mbaron punë për gjithë jetën. Vaksinat do merren rregullisht çdo vit. Vetëm një vend i fuqishëm si Kina mund ta sigurojë furnizimin e pandërprerë dhe afatgjatë të saj.

Por ka edhe një arsye tjetër, shumë më të rëndësishme. Ky ishte një rast i volitshëm për qeverinë shqiptare që t’i jepte Kinës edhe një mesazh dëshire për bashkëpunim. Do të ishte një akt i rëndësishëm diplomatik, më shumë se sa tregtar. Dihet se me vaksinat të gjithë po bëjnë politikë. Duke filluar nga SHBA, BE, Britania e Madhe, Rusia, por edhe Kina. Edhe brenda Shqipërisë me këtë çështje politikë po bëhet. Të gjitha palët duan ta përdorin atë si kalë beteje për të fituar zgjedhjet. Çfarë e keqe do t’i vinte Shqipërisë dhe sikur dikush këtë bashkëpunim me Kinën ta konsideronte lëvizje gjeopolitike? Po pse, bashkëpunimi me Turqinë a nuk është lëvizje e ngjashme?

Në kushtet kur marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë e Kinës janë në nivele mjaft të ulëta, kur investimet kineze në Shqipëri jo vetëm që nuk po rriten, por po tkurren dita ditës (kujtojmë largimin e investitorëve të aeroportit të Rinasit), qeveria shqiptare kishte mundësinë të vendoste një urë të re komunikimi me qeverinë kineze. Para disa kohësh, kur u pyet nga gazetarët shqiptarë nëse ishte e gatshme të ndihmonte në drejtim të furnizimit me vaksina, ambasada kineze në Tiranë u përgjigj se, nëse qeveria shqiptare do të kërkojë një gjë të tillë, ajo është e gatshme ta lidhë atë me autoritetet përgjegjëse kineze. Me sa duket asaj nuk i ka shkuar ndonjëherë një kërkesë e tillë.

Me sa i njoh unë kinezët, ata do të tregoheshim edhe më bujarë se turqit në këtë drejtim. Jo vetëm duke dhuruar një pjesë të tyre, por edhe në çmim e në korrektësinë e dërgesave. Duhet të kemi parasysh se popullsia e gjithë Shqipërisë është më e vogël se e një rajoni të Pekinit. Por, përtej kësaj, do të hapej rruga edhe për shumë investime në fusha të tjera. Niveli i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona nuk mund të matet nga sasia e mjaltit të Moravës apo sherebelit që shkojnë drejt Kinës. Kjo e fundit është sot gjigand ekonomik ku i ka drejtuar sytë e gjithë bota. Investimet kineze janë të pranishme në projekte infrastrukturore e energjetike në të gjithë globin.

Është koha kur edhe ne të ç’ngurtësohemi. Shembujt i kemi rreth e rrotull. Pak më tutje është edhe Bashkimi Europian, i cili ka marrëdhënie të konsoliduara me Kinën. Gjermania është më e dalluara në atë drejtim.

Ky ishte edhe momenti i duhur për t’i dhënë një sinjal tjetër Europës, e cila duhet pranuar se ka dështuar në drejtim të vaksinimit të popullsisë. Edi Rama e ka bërë atë sa herë ka dashur. Pse mos ta bënte edhe kësaj here?

*Autori është ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kinë