Opinione

Edi Rama, kandidati i preferuar i Vuçiçit dhe Putinit - Nga Agim Aliçkaj

Edi Rama është fatkeqësi kombëtare. Vota për ndryshim në Shqipëri e forcon kombin shqiptar dhe miqësinë me SHBA

Të gjithë ata që ja duan të mirën kombit shqiptar e kanë një porosi për popullin e Shqipërisë sot: VOTONI PËR NDRYSHIM!

Këtë e bëri të qartë edhe Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim me deklaratën e saj: “Nëse doni ndryshim votoni për ndryshim, nëse doni kriminelë votoni për kriminelë”. Ndryshimet janë të domosdoshme në çdo vend demokratik, që qeverisja të bëhet më e mirë dhe të punohet në interes të popullit dhe kombit. Nuk duhet dhënë më shumë se dy mandate asnjë partie, përveç nëse ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Periudha tetëvjeçare e sundimit njëpartiak të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste paraqet periudhën më të errët të zhvillimit të shtetit shqiptar pas ardhjes së demokracisë. Korrupsion, krim ekonomik, pasurim i paligjshëm i një klase të privilegjuar dhe varfërim i shtresave të gjëra popullore. Potencialet ekonomike të Shqipërisë nuk janë shfrytëzuar as për së afërmi. Bashkëpunimi ekonomik me Dardaninë (Kosovën) dhe trojet e tjera etnike shqiptare ishte minimal. Në planin ndërkombëtar nuk është shënuar asnjë arritje e rëndësishme për shtetin shqiptar, veçse largim nga Unioni Evropian. Fatbardhësisht, dështuan përpjekjet Rama-Vuçiq-Thaçi për krijimin e të ashtuquajturës zonë “Mini-Shengen” apo Serbi të Madhe.

Arroganca dhe sjelljet e pahijshme të Edi Ramës e kalojnë çdo kufi të mirësjelljes së një lideri politik. Urrejtja përçmuese e tij për bashkëkombasit e Dardanisë dhe trojeve të tjera etnike është e papranueshme. Është e pakuptueshme si mund të zgjidhet të qeverisë shtetin shqiptar një antishqiptar. Ngritja e tij brenda partisë socialiste deri te pozita e kryeministrit të Shqipërisë është një fatkeqësi kombëtare.

Përulja e vazhdueshme e Edi Ramës ndaj armikut të kombit shqiptar, shovenistit Vuçiç është e turpshme. Bisedimet e tij të fshehta dhe të hapta me të dhe Thaçin për ndarjen e Kosovës paraqesin tradhëti kombëtare. I gjori ai, ndoshta mendon se “Vuçiç e do shumë” dhe si “internacionalist” që është i ndihmon për tu bërë “i rëndësishëm”. Nuk e kupton fare se ai e përdor si paçavër për të fshirë pluhur, në planet e tij të errëta për ta nënshtruar kombin shqiptar.

Pas përdorimit dhe shtrydhjes së mirë e hedh në pleh bashkë me Baton Stanishiqin. Nuk e ka lexuar historinë për ta kuptuar se shovenistët serbë, duke të përqafuar, ta futin thikën në shpinë. Nuk e kupton se shovenistët serbë e urrejnë atë dhe Batonin njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë, pa marrë parasysh territorin, besimin fetar apo qëndrimin politik të tyre. Arsyeja e shfaqjes së urrejtjes më të hapët dhe më të madhe ndaj shqiptarëve të Dardanisë dhe të Luginës është e thjeshtë, ata janë pengesa e parë në arritjen e qëllimeve të tyre, grabitjen e mëtejshme të tokave shqiptare.

Populli i Dardanisë më 14 Shkurt e dha provimin e pjekurisë, mençurisë dhe demokracisë, votoi për ndryshime në mënyrë të organizuar dhe madhështore. Votoi për kandidatë të pakorruptuar, të aftë e të guximshëm, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. U bë shembull për shtetet e tjera të Evropës Juglindore se si mund të mbahen zgjedhjet e lira, se si mund të rrëzohet në mënyrë demokratike klasa e korruptuar. Duhet shpresuar dhe besuar se populli i Shqipërisë do ta bëjë të njëjtën gjë më 25 Prill. Kjo mund të arrihet vetëm me votimin e Aleancës për Ndryshim të Partisë Demokratike me në krye z. Lulzim Basha.

Dëgjohet shpesh se Basha është i pavendosur apo tepër i sjellshëm dhe ka gabime. Gabimi më i madh i PD-së të udhëhequr nga Basha ishte djegia e mandateve. Bojkotimi i Parlamentit është akt jodemokratik i cili e destabilizon shtetin dhe ia bën të mundur kundërshtarit të veprojë sipas dëshirës, pa u trazuar fare. Mendoj dhe besoj se Basha dhe PD kanë mësuar nga gabimet dhe kanë bërë ndryshimet e nevojshme për ta udhëhequr shtetin shqiptar në drejtimin e duhur. Asnjë politikan apo parti nuk janë të përsosur dhe të pagabueshëm por në këtë rast, z. Lulzim Basha me përvojën dhe aftësitë e tij është më i mirë se Rama, e thënë popullorçe, sa prej Shkupit deri në Shkodër.

Gjatë ditëve të fundit, në media të ndryshme vërshuan kritikat e kuazi politikanëve dhe (ba)analistëve të shumtë kundër Kryeministrit të Dardanisë  z.Albin Kurti, për vizitën e tij në Shqipëri në përkrahje të kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje të Shqipërisë, jashtë detyrave të tij të punës, si dhe për kinse “përzierje në punët e brëndshme të Shqipërisë”. Shihet se nuk i kuptojnë aftësitë e tij për të bërë shumë gjëra në të njëjten kohë, krahas punëve tjera jashtë detyrës së Kryeministrit. Në të vërtetë, ai e zëvendësoi atë kohë me punë gjatë gjithë fundjavës.

Po ashtu nuk e kanë të qartë se përkrahja e kandidatëve të partive apo çështjeve të rëndësishme në shtetin amë është e drejtë dhe detyrë e çdo shqiptari ngado qoftë, pa marrë parasysh pozitën e tij. Shqipëria është nëna jonë, pra edhe nëna e Albinit. Shumë më pak kritika pati kundër ndërhyrjes së vërtetë, shumë të rrezikshme në punët e brëndshme të Shqipërisë nga Kryeministrit i Maqedonisë Zaev, në përkrahje të Ramës. Dëshiroj të shtoj se, si shumë bashkëkombas të tjerë nga të gjitha trojet tona, mendoj se Rama është kandidati i preferuar edhe i Vuçiçit dhe i Putinit.

Edhe unë, si shqiptar i Dardanisë së shumëvuajtur antike, i cili filloi ta donte nënën Shqipëri me zemër që nga momenti që diti për vete, dëshiroj që të “përzihem në punët e brendshme të Nënës Shqipëri”. Me kënaqësi të veçantë dhe shpresë të madhe, i ftoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që kanë të drejtë vote, të votojnë për ndryshim dhe jo për kriminelë. Të votojnë për Aleancën e PD-së për ndryshime dhe tre kandidatët e pavarur të OJQ-së Vetëvendosje.

Dëshiroj ta veçoj me emër, kandidatin me numër 33 të PD-së, Korab Lita. Vlerat atdhetare të tij dhe të mbarë familjes Lita të zbritur në Kamëz nga Kalaja e Dodës heroike, janë admiruese. Ai qëndroi i vetëm opozitë e PS-së në mandatin e fundit të Parlamentit të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për sa më shumë politikanë si ai, të aftë, të pakorruptuar dhe sypatrembur.

Mërgata shqiptare ka luajtur një rol shumë të rëndësishem në zhvillimet politike të Shqipërisë, që nga koha e Nolit dhe Konicës. Përpjekjet politike për ta ndarë dhe izoluar atë, janë të dëmshme dhe antikombëtare. Mbjellja e urrejtjes dhe përçarjes në mes të mërgatës dhe vendlindjes iu shërben drejtpërdrejt interesave të armiqve tanë. Mundësimi i votimit më të lehtë dhe më praktik të diasporës është detyrë me rëndësi shtetërore dhe kombëtare. Në këtë pikë dështuan me qëllim, qeverisjet dhe disa parti politike në të dyja shtetet tona.

Mërgata e Dardanisë, me gjithë vështirësitë, ia arriti qëllimit që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, me telefonata, votime me postë dhe udhëtime të përcjellura në mënyrë madhështore me muzikë, me defa e tupana. Ishte impresionuese. Këtë duhet ta bëjë edhe mërgata e Shqipërisë. Një pjesë e madhe jeton në Greqi dhe Itali, gjë e cila e bën udhëtimin me qëllim të votimit në atdhe më të lehtë. Të tjerët është mirë t’i marrin në telefon familjet e veta dhe të gjithë miqtë e shokët për t’i lutur që të votojnë për ndryshime. Po kështu, edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, që nga trojet tona etnike e deri te mërgata më e largët, duhet “të përzihen në punët e brendshme” të Nënës Shqipëri, t’i marrin në telefon shokët dhe mitë e tyre atje dhe t’i lusin të votojnë për ndryshime.

Ardhmëria e sigurt e kombit shqiptar është e lidhur ngushtë dhe në mënyrë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë daton që nga koha e Presidentit Wilson dhe vazhdon me Presidentët Clinton, Bush dhe Biden. Interesat strategjike të kombit shqiptar dhe atij amerikan janë të përbashkëta, ndalimi dhe kontrolli i hegjemonizmit ruso-serb në Evropë.

Afrimi i qeverisë së Edi Ramës me shtetet si Serbia, Rusia, Greqia dhe Turqia është kundër interesave shqiptare dhe amerikane. Administrata e Presidentit Biden nuk mund të ketë respekt as përkrahje për një qeveri e cila e rrjep popullin e vet, e dobëson kombin shqiptar, dhe ia mundëson shteteve shoveniste diktatoriale të Serbisë dhe Rusisë dominimin e Evropës Juglindore me dalje në detin Adriatik. Prandaj, vota për ndryshim në Shqipëri e forcon kombin shqiptar, si dhe aleancën me Amerikën dhe shtetet demokratike të Unionit Evropian.         

Nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë folklor as hobi. Janë nevoja jetësore të pazavendësueshme, të cilat e bëjnë të mundur ekzistencën e një kombi. Bashkimi kombëtar e bën kombin më të fortë dhe më të rëndësishëm në mesin e kombeve të tjera botërore. Frika e disa politikanëve, veç për ta përmendur bashkimin si një gjë normale dhe të mundëshme është turpëruese. Lejimi i propagandës shoveniste serbe për ta barazuar projektin e tyre qindvjeçar për “Serbi të Madhe”, me dëshirën e kombit shqiptar për bashkim duke e quajtur ate projekt kinse për “Shqipëri të Madhe”, paraqet një idiotizëm politik të klasit të parë.

Si mund të barazohet një projekt kriminal i studiuar dhe i përgatitur mirë, i cili parasheh në detaje zhdukjen e popullit shqiptar  dhe grabitjen e tokave të tij, i jetësuar me luftra mizore dhe represion, me vrasjen dhe ndjekjen e qindra-mijëra civilëve nga tokat stërgjyshore deri te Molla e Kuqe te Nishi, Toplica, fshatra dhe qytete të tjera shqiptare, me një dëshirë legjtime të një kombi për të jetuar i lirë dhe i bashkuar?

Kombi shqiptar nuk është as i vogël as i parëndësishem siç tentojnë ta paraqesin armiqtë tanë dhe disa politikanë të korruptuar e të shitur, apo qyqanë dhe dembelë të vendeve tona. Edhe pse i përçarë dhe i ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete nga Fuqitë e Mëdha të influencuara nga Rusia, por edhe me fajin e tradhëtarëve dhe pjellës së keqe përbrënda, ka arritur të mbijetojë në saje të përpjekjeve dhe flijimit të mijëra patriotëve dhe heronjve kombëtarë.

Shembuj të fundit madhështorë janë rezistenca paqësore e udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe lufta e lavdishme e UÇK-së me komandantin legjendar Adem Jashari. Kërcënimet e disa liderëve shovinistë serbë për kinse përdorim të forcës kundër republikës së Dardanisë, janë sa dëshpëruese ashtu edhe qesharake. Me ndërhyrjen e NATO-s në Dardani, luftrat në Evropë kanë përfunduar. Edhe po të ishte e mundur një luftë tjetër në mes të shqiptarëve dhe serbëve, Serbia do të humbte prapë me turp. Nuk ka forcë në botë që mund ta shuajë dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në tokat e veta mijëra vjeçare.

*Autori është anëtar i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.