Opinione

ISHËT e PD që e duan partinë si profiterë&klientë - Nga Elida Buçpapaj

Fill pas rezultatit paraprak nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur janë të gjitha indiciet se Edi Rama i ka shpërdorur të gjitha pushtetet plus rrugët e pista për përvetësuar mandatin e tretë duke asgjësuar votën e lirë, ka nisur një fushatë e egër kundër Lulzim Bashës nga ishët e PD-së.

Ishëve nuk u bëhet vonë as për demokracinë, as për Shqipërinë, as për lirinë, por thjesht llogarisin vetëm xhepin e tyre. Prandaj humbi PD në zgjedhjet e 2013.

Disa ditë më parë u nda nga kjo jetë Hasan Halili, ish ministër i Bujqësisë i qeverisë Meksi. I madh e i vogël, socialistë e demokratë, të të gjithë krahëve, shprehën ngushëllimet dhe simpatinë ndaj tij. E pra ky duhet të jetë modeli i zyrtarit të lartë publik, që ta respektojnë të gjithë, pavarësisht ngjyrave të partisë që përfaqëson, demokracia garë e më të mirëve, jo pushtim i të gjitha pushteteve nga  më i keqi.

Po cilët janë ISHËT?

ISHËT si profil janë përgjithësisht anonimë, profiterë që anojnë nga klientët - në sinonimi. Ish-deputetë, ish-ministra, ish-presidenti, ish-zyrtarët e lartë, deri tek ish-sekretaret, që e shohin politikën si lluks, qejf, por kurrë si sakrificë, si shërbim alla JFK.

Kjo lloj specie gjithmonë është futur në lista pa garë, përfshi edhe vetë Lulzim Basha, por Lulzim Basha ndryshe nga kopeja në fjalë, ka qenë krahu i djathtë i Berishës pikërisht në ato çka i rreshtohen liderit historik të PD si pasuri e patundëshme suksesesh, plus në këtë fushatë zgjedhore Lulzim Basha tregoi një profil serioz dhe ngjalli besim tek elektorati.

Përçudnimi i votës të lirë si krim elektoral nuk e bën humbës Lulzim Bashën, por tregon se rrezik kombëtar është Edi Rama. Në vend që të vihet me shpatulla pas murit përgjegjësi i katrahurës, ISHËT orkestrohen dhe i kthehen Bashës.

Dramaturgu i shquar Tom Stoppard, i nderuar me çmim Oskar për skenarin e “Shakespeare in love”, por i njohur veçanërisht si mbrojtës i të drejtave të njeriut, (në fund të viteve ’70 si anëtar i Amnesty International, shkon në BRSS dhe takohet me Vladimir Bukovsky-in, që asaj kohe ishte i burgosur nga regjimi sovjetik dhe po ashtu udhëton edhe në Pragë për t’u takuar me Vaclav Havelin) thotë se “Demokracia nuk është procesi i votimit, por procesi i numërimit”,

Ndërsa ISHËVE u ka ardhur ora të hakmerren, për përjashtimin nga lista që u ka bërë Lulzim Basha, e shfaqen nëpër mediat e kapura të Edi Ramës  “si kavie” për t’i sanksionuar “fitoren” udhëheqësit të regjimit hibrid që e ka groposur votën e lirë me Ballat, Gjiknurët dhe me ndihmën e nëntokës.

Edi Rama është përgjegjës për shkatërrimin e sistemi zgjedhor, sepse çvlerësoi votën e Sovranit me të gjitha mënyrat antiligjore, plus 83 mijë vota baraz gati me 9 deputetë kanë dalë të pavlefshme.

Edi Rama është përgjegjës i shkatërrimit të procesit zgjedhor që i nxori jashtë loje të gjitha exit poll-et, përfshi edhe të mikut të tij të ngushtë Baton Haxhiut.

Disa nga ISHËT e panë si përfunduan në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Ne e pamë rezultatin e Jozefinës, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit. Po të krijonte parti Bujar Nishani do ta pësonte edhe më keq!

E pra, këta janë ISHËT! Që si thotë populli, duhet ta fusin bishtin në shalë, e jo të dalin nëpër ekranët e njollosur të sulltanit Edi Rama, ku çdo natë përmes dizinformimit dhe demagogjisë i bëhet popullit presion psikologjik, por populli tani ka krijuar imunitet, sepse i njeh shumë mirë, me rrënjë e degë.

Andaj sa herë që dalin, duke përrallisur idotësi dhe pallavra, populli ose i lag ekranet e TV me pështyma, ose i vjen që t’i thyejë, ndërsa ISHËT në këtë kontekst janë vetëm karta të djegura, vendosin vetë të jenë të tillë, dikur profiterë me dashjen e tyre për të vjelë privilegje nga pozicionet e larta zyrtare, sot profiterë pa dashjen e tyre për të vjelë neverinë nga opinioni publik!

©Elida Buçpapaj