Opinione

Rishkrim i Historisë së Shqipërisë? - Nga Afrim Krasniqi

Historia është shkruar e rishkruar disa herë dhe gjithnjë do të jetë në rishkrim/plotësim. Ka pasur 3-4 vëllime dhe botime periodike, disa me natyrë ideologjike (përpara 1990) dhe më vonë, me prurje më profesionale (pas 1990).

Gjatë tranzicionit ka pasur së paku 2 produkte të mëdha kërkimore dhe botime mbi të njëjtën temë.

Së fundi, Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) ka në proces botimi vëllimin e fundit “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, ndërkohë që Akademia e Shkencave sapo ka lajmëruar për një projekt të ri botimi më të përmbledhur. Ka gjithashtu autorë të veçantë apo bashkautorë, shqiptarë e të huaj, që kanë publikime mbi të njëjtën temë dhe për të njëjtat periudha.

Libra të njëjtë? Jo, në trajtimet historike gjithnjë ka dokumente të reja dhe mund e duhet të ketë edhe këndvështrime të reja, pasqyrim të botimeve të reja nga kërkues shkencorë shqiptarë e të huaj, akses në arkivat e shteteve të ndryshme dhe këndvështrime pluraliste mbi ngjarje, data e zhvillime historike të periudhave të ndryshme kohore.

A mund të ketë një tekst të vetëm zyrtar? A mund të ketë një model të vetëm referimi? Jo. Në një shoqëri të lirë cilido është i lirë të lexojë e të vlerësojë botimet që e bindin më shumë në aspektin profesional dhe përmbajtësor. Siç ne bëjmë me librat që kemi në bibliotekat tona. Blejmë e zgjedhim ata që na pëlqejnë ose na interesojnë më shumë, citojmë ata që na bindin dhe rekomandojmë ata që kanë vlera shkencore dhe referimi.

Ndaj nuk e shoh me shqetësim nismën e re për një tekst tjetër të historisë, as pikëpamjet kontroverse të disa autorëve të prirur për show mediatik, as futjen jokorrekte të qeverisë në proces preferencial për t’i dhënë mbështetje financiare e mediatike një institucioni që mban fjalime dhe jo institucionit përgjegjës që ka bërë/bën punën kërkimore. Mirë që një herë në një dekadë vjen ndonjë ditë që jepen ca para për libra dhe jo gjithnjë vetëm për PPP, fushata e beton!

Në fund të fundit, Shqipëria është ende në tranzicion dhe një model hibrid demokracie, ndaj si gjithçka tjetër, edhe mendimi shkencor, kërkimi shkencor, studimet, metodologjitë, burokracitë, preferencat, produktet, sistemi i meritës dhe vlerat, etj, janë e mbeten gjithashtu reflektim e produkt i tranzicionit.

Ndaj, le të mbështesim parimisht çdo ide libri e librash studimore për të parë produktin e saj final, le të shkruajmë/shkruajnë, le të lexojmë/të lexohemi, le të mësohen/mësohemi me diversitetin dhe mbi të gjitha, le të ndihmojmë të mbetemi shoqëri më e hapur dhe më pluraliste në mendim, në shkrim, në lexim dhe në reflektim!

©Afrim Krasniqi