Opinione

Sekti shqiptar Rama “festoi” 30 vjetorin e PSSH - Nga Kastriot Islami

1. Sekti shqiptar, zgjatim i Establishmentit Global

Ky është një shkrim që po e pasuroj me fakte të reja sepse ka shumë shqiptarë, por më shumë të huaj, që nuk e kanë lexuar historinë e këtij SEKTI shqiptar, që po rritet edhe si zgjatim i Establishmentit Global. Dhe që të mbahet mënd nga sa më shumë vetë, duhet shkruar e rishkruar, duhet thënë e stërthënë, duhet bërë me dije që PSSH, tanimë prej 16 vjetësh është veçse sektare. Aq më tepër që në mbi 50 përqind të jetës së saj 30 vjeçare, ka qënë e dominuar nga filozofia e sektit, nga praktikat dhe metodat  sektare, është drejtuar nga oligarkë sektarë, shtresa kryesore e sektit që pasurohet vetëm për vehte duke i mashtruar  me lloj lloj metodash e “thërrimesh” socialistët e ndershëm që çdo ditë veçse  varfërohen po ashtu si edhe të gjithë shqiptarët, apo duke i kërcënuar/frikësuar me gogolë apo kriminelë e trafikantë që përbëjnë një shtresë po ashtu të rëndësishme të sektit.

Jam i sigurtë që anëtarët e kupolës së këtij sekti do të mërziten, revoltohen e nevrikosen me shkrimin e kësaj të VËRTETË; dhe me shumë gjasa do të japin urdhër për të më sulmuar, gjë që vetëm më motivon edhe më shumë duke iu rikujtuar këtyre “qelbësirave servile” historinë e djegies në turrën e druve të Xhordano Brunos, i cili u ekzektua vetëm se mbrojti, i vetëm, të vërtetën e “rrotullimt të Tokës rreth Diellit” që sot nuk e vë më në diskutim askush... Do të vijë dita që të “vërtetën” për sektin mafioz shqiptar jo vetëm do ta besojnë por edhe do të dalin ta mbrojnë të gjithë shqiptarët, përfshi edhe vetë socialistët e madje edhe ish-socialistët, duke mos përjashtuar as disa nga sektarët e korruptuar e të inkriminuar, që sot i vënë flakën të VËRTETËS...

2. Sekti i korruptuar dhe kriminal

Rilindja është një organizim SEKTAR. Rilindja s’është ideologjikisht socialiste. Ajo s’është klasikisht politike. Ajo s’përfaqson interesat e qytetarëve dhe të publikut. Rilindja është përfaqësuese e interesave të një grupi të ngushtë individësh në “partinë” dhe qeveritë e dalë prej saj, përmes interesave të korrupsionit, të lidhjeve me krimin e kriminelët e trafiqet e trafikantët, duke aplikuar të gjithë metodat sektare dhe mënyrat perverse të mashtrimit e gënjeshtrave.

Rilindja s’është transparente sepse bazohet në demagogji, mashtrim, gënjeshtra. Rilindja është arrogante, cinike, fyese, banale. Qeverisja e Rilindjes s’është qeverisje demokratike përderisa drejtohet nga një kupolë oligarkike, kriminale e klienteliste që përfaqëson vetëm interesat e një pakice. Sekti ndihet në publik i qetë pasi ka grabitur mandatet, kontrollon drejtësinë e ka marrë përsipër të eleminojë apo të kthejë në fasadë opozitën. Por një pjesë periferike e sektit ndjehet shumë e frikësuar se mund të “bëhet kurban” në këmbim të mbajtjes së pushtetit dhe shkatërrimit të opozitës përmes tëheqjes së saj në bashkëqeverisje...

3. Shtresat kryesore të Sektit Rama

Shtresa e “trashëgimtarëve dhe pinjollëve”: Konkretisht bëhet fjalë për rikthim të trashëgimisë së kaluar të praktikave autoritare e veseve negative autoritare, fillimisht më qartë e më tej në mënyrë më të maskuar, përmes zotërimit të disa posteve kyçe e të larta drejtuese nga individë të lidhur ngushtë me ish-regjimin, më konkretisht nga ish-përfaqësues të lartë e të mesëm (ndoshta të paimplikuar dikur drejtëpërdrejt në “mëkatet” e ish-regjimit) të nomeklaturës puniste, dhe vendosje në pozicione të rëndësishme drejtuese të pinjollëve direktë apo nipave të ish-nomeklaturës shumë të lartë të rregjimit të kaluar.

Përmes këtij përbërësi, SEKTI ka synuar të ruajë dhe forcojë strukturën e përfaqësimit të ngritur për 50 vite para vendosjes së demokracisë që mbi të gjitha do të shërbente edhe për “rilindjen” e praktikave e sjelljeve autoritare, por në forma të reja moderne e “bashkëkohore” dhe të maskuara me veshjet e drejtuesve autoritarë lindore. Me ndryshimet qeveritare në mandatin e dytë, por me shumë gjasa edhe në mandatin e tretë, ky përbërës do të vijojë të ruhet me fanatizëm, ndonëse i maskuar në ekstrem, madje duke bërë sikur ndonjë prej tyre edhe po goditet për korrupsion (thjesht për të fituar më shumë besim apo për shkak të “kontradiktave të brëndshme në gjirin e sektit”…).

Shtresa e “interesave oligarkike e banditeske”: në aspektin ekonomik e financiar, bëhet fjalë për strukturimin e interesave oligarkike dhe ngritjen e një klientele individësh të pasur e “të fortë”, deri me rekorde kriminale, nga politika, biznesi dhe media. Ky përbërës garanton lidhjen e Sektit me krimin e kriminelët, me trafiqet e trafikanët dhe me biznesmenët e manjatët. Ky përbëres do t’i duhej SEKTIT për të garantuar sponsorizimin financiar dhe garantuar prioritetin pasuror e financiar ndaj kundështarëve të brëndshëm e të jashtëm, por edhe për të pasur në veprim në çdo moment “shtetin paralel” të të fortëve që veprojnë për të blerë votat, kërcënuar votuesit dhe frikësuar kundërshtarët politikë e ekonomikë.

Në mandatin e tretë, është marrë orientimi që ky përbërës të maskohet në ekstrem sepse jo vetëm e “pengon ligji i dekriminalizimit” por edhe socialistët e ndershëm kanë filluar të reagojnë ndaj tyre. Ky maskim po sofistikohet edhe me mbështetjen e Establishmentit Global, duke zëvëndësuar “individët me rekorde kriminale” me të afërm të tyre, kryesisht fëmijë e familjarë të tyre, por edhe duke i “detyruar” të grumbullohen në parti jashtë Sektit sepse kështu Sekti lirohet nga përgjegjësia e angazhimit të tyre direkt në grabitjen e votave e kërcënimin e zgjedhësve...

Shtresa e perversëve: në aspektin e etiketës/reklamës, por mbi të gjitha në funksion të krijimit të një “rezervuari” për furnizimin e qeverisë e të administratës publike me burime njerzore janë përdorur shumë individë atipikë, veçanërisht perversë të “trajnuar” nga Establishmenti Global.  Ky përbërës i ka shërbyer SEKTIT për tu shfaqur “modern e bashkëkohor” në sytë e ndërkombëtarëve e të rinjve dhe për t’iu shitur atyre me prirje liberale e “ekstravagante e kontemporane”.

Anëtarë të kësaj shtrese, gjatë mandatit të dytë janë promovuar gradualisht duke zotëruar postet drejtuese të Rilindjes, edhe në nivelin qëndror të qeverisë, edhe në drejtimin e bashkive kryesore të vendit. Në mandatin e tretë, numri i tyre do të shtohet dhe ndërkohë do të përgatiten për të zotëruar një përqindje të rritur të pushtetit qëndror e vendor Kjo shtresë është përdorur për ti dhënë ngjyrën e “modernes” edhe Rilindjes edhe qeverisë së saj…ndonëse disa prej tyre janë “nipa-pinjollë” apo “nipa/pinjollë-oligarkë, pra janë prej më besnikëvë të shtresës së parë...

4. Grupet kryesore të Sektit Rama

Politikanë të korruptuar me pasuri të dyshimta që kontrollojnë Rilindjen, Kuvendin, institucionet kryesore kushtetuese ose në përgjithësi shtetin, biznesin privat, median, gjyqsorin, shoqërinë civile etj., që kanë rritur pasurinë e tyre disa herë gjatë dy mandateve. Në mandatin e tretë, disa nga këta politikanë-oligarkë, periferikë të sektit, do të margjinalizohen, duke u lënë të lirë të gëzojnë/shijojnë pasurinë e grabitur por duke iu krijuar qytetarëve përshtypjen se ata po largohen si të korruptuar, thjesht e vetëm si alibi ndaj goditjes/shkatërrimit të opozitës...

Biznesmenë të pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe/ose klienteliste me leje ndërtimi, përmes privatizimit të aseteve publike, me pronat e fondet publike, përmes koncesioneve e PPP-ve në lidhje të ngushtë klienteliste, korruptive e shpesh kriminale me politikanët-oligarkë;

Përfaqësues klientelistë të medias, apo siç quhen ndryshe Manjatë të medias, aktivë në politikë, që kanë ngritur perandoritë e tyre mediatike apo janë pasuruar përmes bizneseve përfituese të pronave e fondeve publike dhe përmes lidhjeve klienteliste me politikanët-oligarkë;

Ish-zyrtarë të lartë, të pasuruar nga përfitimet në poste lukrative të tilla si agjensitë e privatizimit, dogana, tatime, prokurori, sistem gjyqsor, polici, etj.; një pjesë e të cilëve pas vitit 2005 me themelimin e Rilindjes, dhe gjatë dy mandateve të para, janë bërë deputetë, kryetarë të bashkive, drejtues në poste kyçe të administratës publike, përfitues kryesorë të fondeve publike, koncensioneve e PPP-ve.

Individë me rekorde kriminale, të konsideruar si "material" lidhës i amalgamës oligarkike, që kanë kryer krime të tmerrshme në vëndet perëndimore. Pas vitit 2005 e në vijim një pjesë e madhe e tyre janë bërë deputetë, kryetar të bashkive dhe drejtues në poste kyçe të administratës publike.

5. Degjenerimi, kalbëzimi dhe shporrja e Sektit

A do t’i vijë fundi i këtij Sekti, i cili në formën e tij më të organizuar është prezent prej vitit 2005 dhe shumë aktiv në politikën shqiptare prej dy mandatesh në drejtimin e qeverisjes së vendit? Në mandatin e tretë, ky Sekt, edhe me mbështetjen e Establishmentit Global, do të jetë edhe më i rrezikshëm. Ai me shumë gjasa do të shporret nga qytetarët shqiptarë pa pasur asnjë shans të largohet normalisht, siç ka ndodhur me të gjitha qeverisjet e mëparshme. Sepse shumica e qytetarëve, të pashpresë e të dëshpëruar, nuk do të mund të gjente qetësi pa ndëshkimin e drejtuesve kryesorë të këtij sekti dhe pa konfiskimin e të gjithë të pasurive të grabitura prej tyre.

Me grabitjen e mandatit të tretë, kanë filluar të shfaqen disa shenja minimale “shprese”, për largimin e disa anëtarëve të kupolës së Sektit; por duhet pritur për të parë nëse personat e “larguar nga postet drejtuese të kupolës” si të korruptuar apo për “rekorde kriminale”, do të përballen realisht në procese të vërteta gjyqsore apo dosjet e tyre korruptive e lidhjet me krimin e organizuar do të gjykohen realisht nga SPAK e BKH. Shqiptarët, në shumicë, janë ende skeptikë, mosbesues dhe pa shpresë derisa të goditet realisht “Koka e Sektit”, sepse çdo veprim tjetër iu duket “lojë”.

“Koka e këtij Sekti” ka drejtuar në mënyrë korruptive e klienteliste prej 11 vjetësh Bashkinë e Tiranës, prej 16 vjetësh PSSH dhe sapo ka grabitur mandatin e tretë qeverisës. Në realitet, nëse gjatë kohëve të fundit po dalin në pah lidhjet e Sektit me Establishmentin Global, për të cilat ka pasur më parë shumë dyshime, drejtuesi i Sektit është në realitet “sekseri” i tij.

Rilindja do të mbahet mënd në 16 vjetorin e saj apo në 30-vjetorin e PSSH si grupimi më i rrezikshëm dhe më i urryer në këto 30 vjet, për anihilimin e të cilit apo të çdo mbetje a metastaze të tij do të duhet shumë kohë. Për më tepër që ky Sekt, i mbështetur nga Establishmenti Global s’ka hezituar të komprometojë ndonjë zyrtar të lartë të Brukselit apo dhe ndonjë përfaqësues të rëndësishëm në Tiranë, që kanë heshtur dhe heshtin për të gjithë bëmet e marrëzitë e këtij Sekti dhe janë përpjekur të sheqerosin raportet e gjëndjes së mjerueshme e të padurueshme të shqiptarëve nga keqqeverisja e tij.

©Kastriot Islami