Diplomacia ruse ka projektuar një Ballkan Perëndimor si shtet unik sipas modelit të Rusisë - Nga Shaban Murati
Nuk u kuptua në fillim përse autoritetet qeveritare serbe i dhanë një profil aq të lartë shtetëror vizitës dhe bisedimeve në 18 Qershor në Beograd të Zëvendësministrit të Jashtëm rus, Aleksander Grushko, i cili zyrtarisht shkoi për konsultime politike rutinë me homologët e ministrisë së Jashtme serbe. Diplomatit të lartë rus iu rezervuan bisedime me Presidentin Vuçiç, me Kryetarin e Parlamentit Daçiç, me Ministrin e Jashtëm Selakoviç dhe me Patriarkun e Kishës Ortodokse serbe. As Ministri i Jashtëm rus Lavrov dhe as Presidenti rus Putin nuk kanë kë të takojnë më tepër në Beograd. Nuk u kuptua menjëherë ekzaltimi protokollar dhe diplomatik serb as nga fjalimet e Ministrit të Jashtëm serb për “vendin vëlla rus” dhe as nga fjalimi i Zëvendësministrit të Jashtëm rus “për partneritetin strategjik ruso-serb” në konferencën e përbashkët të shtypit në Beograd.
Kuriozitetin e qarqeve diplomatike në kryeqytetin serb për enigmat e profilit të lartë të bisedimeve të Grushkos e shoi vetë Zëvendësministri i Jashtëm rus, i cili zbuloi një projekt të ri rus për Ballkanin, duke folur në 18 Qershor në Beograd në intervistën e dhënë organit proqeveritar rus të specializuar për Ballkanin “balkanist.ru”. Kjo media ruse njofton me pompozitet qysh në titull në 18 Qershor:
“Zëvendësministri i Jashtëm rus: Rusia duhet të bëhet për Ballkanin modeli i botës shumëkombëshe”. Pastaj vetë Grushko zbërthen konkretisht projektin e ri diplomatik rus, që Ballkani të bëhet si Rusia: “Rusia është entitet kompleks, është modeli i botës shumëkombëshe. Nëse flasim për Ballkanin Ne nisemi nga ajo që tabloja përfundimtare e asaj gjendje, që Ne do të dëshironim në këtë rajon në shumë drejtime, duhet t’i ngjajë asaj që u zhvillua në Federatën Ruse”.
Me një fjalë, projekti i ri diplomatik i Ministrisë së Jashtme Ruse është që Ballkani i ardhshëm të ndërtohet si një shtet shumëkombësh si Rusia dhe kjo të jetë tabloja apo harta përfundimtare e ndërtimit të tij. Natyrisht projekti i ri rus destinohet për Ballkanin Perëndimor, sepse as nuk mund të ëndërrohet që Turqia, Greqia apo Kroacia do të hyjnë në një shtet unik të projektuar nga Rusia. Është hera e parë që diplomacia ruse del në një nivel të lartë diplomatik dhe propozon që Ballkani të ndërtohet si shteti shumëkombësh i Federatës Ruse.
Diplomacia ruse ka qenë vazhdimisht për dhjetra vjet në favor të një Federate Ballkanike të drejtuar nga Serbia dhe të varur nga Rusia. Por është hera e parë që diplomacia ruse servir për Ballkanin modelin i një shteti unik federativ si Rusia. Është me interes të analizohet se si dhe përse Moska del tani me këtë projekt futurist të diplomacisë së saj. Dhe është akoma më interesant entuziazmi infantil, që ka ngjallur ky projekt rus në qarqet e larta qeveritare serbe, të cilët e pritën Zëvendësministrin e Jashtëm rus si profet.
E thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë projekti i ri rus që Ballkani të ndërtohet si një shtet unik, federativ dhe shumëkombësh si Rusia, është një përpjekje e re e Rusisë për ta joshur Serbinë në ëndrrat e saj hegjemoniste për sundimin e Ballkanit. Moska është trembur shumë se Serbia nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë presionit në rritje të SHBA, të Gjermanisë dhe të Perëndimit për të njohur Kosovën. Njohja e shtetit të Kosovës nga Beogradi do të krijonte situatën, ku Serbia nuk do të ketë më nevojë strategjike për veton ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB për bllokimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës së pavarur.
Në kohën kur vetë presidenti serb Vuçiç e pranoi publikisht shtrëngimin e lakut në qafën e tij dhe deklaroi se në bisedimet e fundit të 15 Qershorit 2021 me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e ka ndjerë veten më ngushtë se sa gjatë dhjetë vite të bisedimeve Serbi-Kosovë në Bruksel, Moska nxitohet që t’i japë zemër, duke i ofruar projektin fantazmagorik të një Ballkani shtet unik, federativ dhe shumëkombësh si Rusia. Zëvendësministri i Jashtëm rus nuk i sqaroi detajet apo rrugët e realizimit të projektit, por kuptohet se ky Ballkan shtet unik shumëkombësh planifikohet që të drejtohet nga Serbia. Ndaj dhe u shpall në Beograd.
Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të jenë në Federatën e ardhshme Serbe si Dagestani apo Çeçenia në Federatën Ruse. Projekti i ri rus mbështetet në arketipin e Jugosllavisë Federative, ku sundoi dhe drejtoi Serbia shtetin unik federativ dhe shumëkombësh. Ndaj duket Presidenti serb pas bisedimeve me Grushkon, deklaroi në 18 Qershor se “ishte një takim i shkëlqyer. Miku njihet në fatkeqësi”. Vështirë të vesh bast se sa do ta shpëtojë të mbyturin diplomatik, President serb, kjo fije kashte diplomatike, që i ofron Moska tani.
Rrethana e dytë, që duket e nxiti këtë projekt diplomatik rus të Ballkanit Perëndimor si një shtet unik federativ dhe shumëkombësh, është përpjekja ruse për t’i dhënë një frymëmarrje artificiale projektit politik të Presidentit serb Vuçiç për të ashtuquajturin “Mini-Shengen”. Projekti serb i një minialeance ballkaniko-perëndimore me emrin “Mini-Shengen” të drejtuar nga Serbia, pësoi fiasko shpejt, njëlloj si projekti i mëparshëm serbo-malazez i “Ballkan 6” i vitit 2013. BE nuk ia zuri një herë me gojë emrin “Mini-Shengenit” gjatë dy viteve. “Mini-Shengeni” i Serbisë, ashtu siç e ka deklaruar botërisht Presidenti Vuçiç dhe siç e ka lexuar e gjithë bota diplomatike, me përjashtim të Tiranës profane, e cila ende flenë me ëndrrat e 1946, është rikrijimi i Jugosllavisë plus Shqipërinë.
Duke parë se projekti i aleancës së shteteve ballkaniko-perëndimore, të drejtuar nga Beogradi dështoi, Rusia i ofrohet tani Presidentit serb me projektin më futurist që Ballkani Perëndimor i “Mini-Shengenit” as formalisht të mos jetë federatë shtetesh, por të krijohet si shtet unik federativ dhe shumëkombësh. Moska e di nga përvoja e saj historike se udhëheqësit ballkanikë mund t’i rresh kollaj me projekte të sundimit mbi shtetet dhe popujt e tjerë.
Në komunikatën e MPJ të Rusisë për bisedimet e Zëvendësministrit të Jashtëm rus në Beograd publikuar në 18 Qershor në faqen zyrtare të asaj ministrie, pasi bëhet e ditur se palët diskutuan problemet e rajonit, theksohet se “për problemin e Kosovës u nënvizua domosdoshmëria e respektimit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale dhe interesat e Serbisë”. Rusia i ofron Serbisë në pjatë Kosovën si hap të parë dhe pastaj gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në fakt dorovitja ruse me Kosovën nuk është gjë e re, sepse diplomacia ruse ka disa vite që propagandon të drejtën koloniale të Serbisë për Kosovën. Sidomos muajt e fundit diplomacia ruse po e amplifikon në të gjitha forumet ndërkombëtare tezën e të drejtës së Serbisë për Kosovën si pjesë të saj. Obsesioni strategjik diplomatik rus është që të sfumohet në një farë mënyre realiteti i ri dhe momenti i zbritur diplomatik ndërkombëtar se ka ardhur dhe ka kaluar madje koha, që Serbia të pranojë dhe ta njohë zyrtarisht realitetin politik dhe gjeopolitik me emrin Kosovë.
Nuk mund të mos shkaktojë habi qëndrimi jo serioz dhe angazhimi antihistorik i diplomacisë ruse në mbrojtje të së drejtës koloniale të Serbisë kur qëndrimi i saj zyrtar ka qenë se Kosova nuk do të kthehet kurrë më nën Serbi. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov në nëntor të vitit 2005 ka nënshkruar me pesë ministra të tjerë të Jashtëm perëndimorë “Parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, në të cilin u miratua unanimisht në nenin 6 se: “Kosova nuk kthehet më në situatën e para marsit 1999. Nuk do të ketë ndryshim në territorin e tanishëm të Kosovës, jo ndarje të Kosovës dhe jo bashkim të Kosovës me ndonjë shtet apo pjesë të një shteti tjetër”.
Në “Deklaratën e Grupit të Kontaktit për Kosovën” në 31 Janar 2006 në Londër, të nënshkruar me homologët perëndimorë, Ministri i jashtëm rus Lavrov konfirmon përsëri se “Parimet drejtuese të Grupit të Kontaktit të Nëntorit 2005 bëjnë të qartë se nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para 1999, jo ndarje të Kosovës dhe jo bashkim të Kosovës me një shtet apo pjesë të një shteti tjetër”. Pra në disa aktmarrëveshje ndërkombëtare të të gjashtë fuqive të mëdha diplomatike Moska pranon dhe firmos se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë.
Është i njëjti drejtues i diplomacisë ruse edhe sot e kësaj dite, Sergej Lavrov, dhe është vërtet zhgënjyese si një shtet i madh dhe diplomaci me aq përvojë mund të katandiset të shkelë brutalisht angazhimet e tij ndërkombëtare, që i ka nënshkruar. Dhe ka qenë i njëjti president i Rusisë, që është edhe sot e kësaj dite, Vladimir Putin, kur Moka nënshkroi dokumentet ndërkombëtare që Kosova nuk do të kthehet kurrë më nën Serbi.
Po kështu ka harruar diplomacia ruse edhe aktin tjetër historik të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në Korrik 2010 me kërkesë të OKB shqyrtoi dhe vendosi që pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me Rezolutën e famshme 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, rezolutë që citohet sot si ungjill nga diplomacia ruse tre herë në ditë për të pretenduar kthimin e Kosovës nën Serbi. Dhe askush nuk i përmend Rusisë se me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 15 Dhjetor 2004 Serbisë nuk i takon asnjë referencë ndaj rezolutës dhe dokumenteve të OKB, sepse Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB në atë kohë.
Ajo që është e paimagjinueshme është fakti se si diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve nuk ia kanë kujtuar asnjëherë diplomacisë ruse dhe asaj serbe se Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, që është akoma në atë post, ka pranuar zyrtarisht që Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë. Mirë se ministrat e jashtëm dhe kryeministrat në të dy shtetet shqiptare janë rastësi e politikës dhe e zgjedhjeve dhe nuk kanë asnjë lidhje me memorien diplomatike shtetërore, por është e papranueshme që ministritë e Jashtme të të dy shteteve nuk i mbushin dosjet dhe fjalimet e titullarëve me memorien diplomatike rajonale dhe ndërkombëtare, e cila flet me dokumente dhe akte ndërkombëtare në favor të pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Heshtja idiote shqiptare në arenën ndërkombëtare për Kosovën inkurajon Rusinë të dalë me projekte diplomatike, që shkelin mbi firmën e Ministrit të Jashtëm rus dhe kërkojnë t’i kthejnë Serbisë koloninë e Kosovës, por edhe të shkojë më tej duke i ofruar Serbisë gjithë Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Rusia tregohet kaq bujare, sepse duke projektuar një Ballkan Perëndimor si shtet unik federativ të drejtuar nga Serbia, faktikisht ky shtet unik ballkanik do të jetë nën hegjemoninë ruse, do të kemi një Rusi ballkanike apo një Ballkan rus.
Oferta e re gjeopolitike ruse po i bëhet Serbisë, por ajo në thelbin e saj është ambicja e vjetër afatgjatë e Rusisë për të kontrolluar detin Adriatik. Jo rastësisht oferta është përqendruar në Ballkanin Perëndimor, e vetmja pjesë e gadishullit që nuk ka asnjë shtet anëtar të BE. Në vend të integrimit euroatlantik Moska ofron integrimin alla ballkanik në një shtet unik federativ të drejtuar nga shteti më i fuqishëm ushtarak i Ballkanit Perëndimor, Serbia. Serbia është e vetmja aleate strategjike e Rusisë në Ballkan dhe i vetmi shtet ballkanik anëtar i organizatës ekonomike ruse me emrin “Unioni Ekonomik Euroaziatik” dhe gjithashtu i vetmi shtet ballkanik vëzhgues në organizatën ushtarake ndërkombëtare ruse “CSTO”.
Jo rastësisht projekti rus është përqendruar në unifikimin e ri nëpërmjet boshtit ortodoks, ku tre shtete Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë ortodokse dhe entiteti artificial i quajtur “Serpska Republika” në Bosnje-Hercegovinë është ortodoks. Duke projektuar shtetin e ri unik federativ ballkanik me ngjyrë dhe me dominim ortodoks Rusia synon një bllok të fortë antiatlantik dhe antiperëndimor në Ballkan si një kështjellë e influencës së saj në rajon dhe në detet, që e lagin atë.
Nuk shkoi kot zëvendësshefi i diplomacisë ruse Grushko në 18 Qershor në Patriarkanën Ortodokse serbe në Beograd për bisedime me Patriarkun Porfirije. Përfaqësuesi i lartë i Ministrisë së Jashtme ruse, sipas vetë deklaratës së tij në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të kishës serbe, vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse Serbe, “që është i një rëndësie speciale” në veprimin e politikës dhe rolit të Federatës Ruse në Ballkan.
Shpikja e re diplomatike ruse e një Ballkani Perëndimor si shtet unik mbi modelin e Rusisë ka pamjen e një fantashkence diplomatike, por e cila në fund të fundit shpreh ëndrrat perandorake në sirtarin e Kremlinit,i cili nuk heq dorë nga ambicia për të pasur dalje në detin Adriatik dhe këtë ëndërr mund ta realizojë nëse modelon një shtet unik federativ ballkaniko-perëndimor sipas modelit të Rusisë Federative.
Burimi: DITA