Opinione

Radarët e drogës dhe institucionet më të larta si bashkëpunëtorë - Nga Dritan Goxhaj

Para 5 ditëve, SPAK-u, me skenar të autoriteteve italiane të Antidrogës, kreu një megaoperacion për arrestimin e një sërë individëve me dhe pa detyra në institucionet qeverisëse të Republikës së Shqipërisë, për trafik ndërkombëtar droge. Gjatë përgjimeve që dolën rezultoi se këta trafikantë me mburojë qeveritare paguanin me para policinë që ajo ndër të tjera të fikte edhe radarin që ajo posedon për kontrollin e hapësirës detare.

Vetëm ky informacion më nxiti kureshtjen dhe pyetjen ndaj vetes në radhë të parë: Po radarët e ushtrisë për kontrollin e hapësirës detare sa i kanë paguar që të fiken?

E bëj këtë pyetje sepse në vitin 2008, shteti Shqiptar bëri një investim madhor në ushtri duke marrë radarë modernë për kontrollin e hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë nga kompania amerikane Locheed Martin, e cila edhe i instaloi dhe i mirëmbante këta radarë.

Me vënien e këtyre radarëve shteti bëri në këtë mënyrë dublikimin e sistemeve të radarëve detarë në dy lokacione të rëndësishëm, në Durrës dhe në Vlorë, pa përmendur këtu edhe radarët e vetë kapitenerisë së këtyre porteve që mund të llogariten si triplikim i kontrollit të kësaj hapësire detare.

Duke qënë se kemi më e pakta duplikim të radarëve në kontrollin e kësaj hapësire dhe rezulton tashti se radarët e policisë qënkan fikur për një periudhë 40 minutëshe sa herë që niseshin skafet, po radarët e ushtrisë kush i ka fikur?

Pavarësisht se SPAK do të duhej të bënte seriozisht investigimin  e kësaj afere, por duke qënë se SPAK është kthyer në një trupë teatrore e cila vetëm vë në skenë iskenime kryesisht me autorë të huaj, siç janë rastet që vijnë nga prokuroritë e vendeve të Evropës, ose qëllon që vë në skenë edhe inskenime me skenar partie, atëherë i mbetej medias, asaj pjese që e cilëson veten investigative, që t’i shkonte në fund këtij investigimi.

Dhe kjo është shumë e thjeshtë.

Duke qënë se bëhet llaf për trafik droge nga viti 2014 deri në fund të viti 2017 atëherë sot do të duhet që media të pyeste ose të pyesë, me radhë sipas rëndësisë së detyrës Presidentin e Republikës, Ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë (Agjencia e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes).

Le ta shpjegojmë pak në mënyrë kronologjike që të kuptojmë dhe sqarojmë miqtë por edhe armiqtë që qeveria ka funksionuar si një grup i strukturuar kriminal në trafikun e drogës.

Në kohën që ka ndodhur ky trafik, në fillim ka qënë President Bujar Nishani. Tashti Bujari, përveç nismës për të bërë transparencë në PD e për të “demokratizuar” Partinë Demokratike, duhet të bëjë edhe pak transparencë për punën e tij si President. Dhe në lidhje me këtë trafik droge të zbuluar, duhet të na thotë ky si President i Republikës a ka marrë gjë raport nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ose nga Ministria e Mbrojtjes ose nga Agjencia e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes ose nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë, mbi fikjen e radarëve të ushtrisë në Vlorë?

Nëse ka marrë, atëherë çfarë ka bërë ai, pasi kjo ka të bëjë me çështje të sigurisë kombëtare!

Po të njëjtës pyetje duhet t’i përgjigjet edhe Ilir Meta, mbasi na betohet shpesh se mbron vetëm Kushtetuën.

Pas kësaj duhet pyetur ish-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, a ka marrë ajo raport nga Shefi i Shtabit dhe nga Shefi i Agjencisë së  Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes për fikjen e radarëve në Vlorë dhe a ka raportuar për këtë Presidentin dhe Kryeministrin sipas ligjit?

Pas Mimi Kodhelit duhet pyetur Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror në periudhën 2014 -2017, a ka marrë informacion ky shërbim për fikjen e këtyre radarëve dhe a ka raportuar pranë Presidentit dhe Kryeministrit ashtu si e detyron ligji?

E njëja pyetje i duhet bërë edhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në fillim Jeronim Bazos dhe pastaj Bardhyl Kollçakut, pasi këtu qëndron edhe ironia më e madhe e kësaj meseleje.

Bardhyl Kollçaku ka qënë drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes që nga 2014 deri në 2017 kur ky u propozua nga Rama si Shef Shtabi në vend të Jeronim Bazos dhe tashti si duket për ta shpërblyer për heshtjen e radarëve, Rama e bëri deputet në këtë legjislaturën e tretë.

Pra, të gjithë këta persona me përjashtim të Presidentit, kanë detyrë që të raportojnë edhe tek Kryeministri.

Atëherë logjikisht i bie që nëse këta kanë raportuar dhe Kryeministri nuk ka marrë asnjë masë, ky i fundit qartësisht ka marrë rolin e Noriegës së Panamasë në Shqipëri. Por në rast së këta funksionarë nuk kanë raportuar, atëherë i bie që nuk kanë kryer detyrën dhe kanë bërë bashkëpunëtorin në këtë trafik ndërkombëtar të drogës, sëbashku me presidentët.

Duke qënë se atëherë shpesh në media ka dalë problemi i fikjes së radarëve, i bie që Kryeministri ashtu edhe si Presidenti e kanë marrë raportin.

Ndaj tashti duhet secili prej tyre të sqarojnë pozicionin e tij në këtë mesele. Në rast se të gjithë heshtin atëherë ne kemi në qeverisje dhe opozitë një bandë kriminale që përveç krimeve të kollares së bardhë merret edhe me trafik ndërkombëtar droge, duke e kthyer Shqipërinë në Panamanë e Evropës.

P.S. Lus të gjithë ish-oficerët që sot janë militantë, të verbër dhe jo të verbër, të partisë mëmë të sektit të “Rilindjes”, që këto pyetje të sipërcituara, t’ia bëjnë në radhë të parë vetes si ish-profesionistë, e pastaj edhe liderit suprem të sektit ku bëjnë pjesë. Ndoshta do arrijnë ta kuptojnë se në cilën kënetë po vegjetojnë…

©Dritan Goxhaj