Pandeli Majko i jep çmim Pandeli Majkos - Nga Elida Buçpapaj

Mësohet se, në një gala qeveritare në Tiranë, Pandeli Majko i ka ndarë çmim portalit homonim të Ministrisë të Diasporës, domethënë portalit Pandeli Majko. Nuk ishte e papritur. Për shërbim besnik ndaj qeverisë, kishte shumë mundësi që të ishte dora vetë kryeministri i Shqipërisë ta nderonte portalin Pandeli Majko me “Shqiponjën e Artë” apo me titullin “Ambasador i Kombit”.
Por duket kryeministri i Shqipërisë moniste ka qenë i zënë në ndonjë gala të nivelit superior duke i ndarë nderet më të larta ish-zëdhënëses së tij, ish-zëdhënëses së PS dhe ish-drejtoreshës së ATSH që sapo e gradoi në krye të AMA-s, si dhe ish-varëses së tij të o tempora o mores, kur ishte kryetar bashkie që sapo e emëroi drejtore të ATSH. Apo mund të ketë qenë i zënë me emërimin e një ish-drejtoreshe nga seria e ish-drejtoreshave në krye të RTSH.
Sulltani me shallvare dhe atlete që kontrollon çdo qelizë të shtetit, deri tek mizat që hyjnë nëpër WC-të e kryeministrisë mund të ishte vetë ai që ta kishte nderuar portalin në menaxhimin e ish-drejtoreshave të Pandeli Majkos.
Portali i Pandeli Majkos, ministrit të përçarjes së diasporës, në antitezë të plotë me fjalën e lirë dhe lirinë e shtypit të lirë në një gala qeveritare kremtoi me çmim burgosjen e fjalës së lirë.
Ka katër vjet që vazhdon kjo maskaradë, që famëkeqi kryeministër duke e ditur se diaspora është burimi nga mund t’i vijë përmbysja, kërkon ta kthejë në një çiflig të tij, duke mbjellë informalitet, duke shpërdorur para publike dhe krijuar rrjetin e eskortave, rrjetin e njerëzve që i shërbejnë interesave të tyre dhe interesave të tij njëkohësisht, pra rrjetin e klientëve!
Prandaj i gradon me tituj e çmime sejmenët e tij, kryeministri i pasur i Shqipërisë më të varfër të Europës, ku pensionistët vdesin për çdo ditë me nga 150 Euro në muaj, ku krimi i organizuar është themeli i shtetit monist, që i le kokat e kombit dhe poetët të papunë.
Sulltani i Surelit e fantazon diasporën një “copy paste” e Shqipërisë moniste, fantazon që në çdo shtet të Europës dhe botës të instalojë sistemin e ish-zëdhënëseve të tij, të llojit të drejtoreshave të AMA-s, të ATSH-së, të Belinda Ballukëve, që pastaj despoti të bëhet i përjetshëm.
Përveç rrjetit të shoqatave fantazma me 4-5 anëtarë, satrapit i duhej edhe një portal për të shplarë trutë e diasporës, portal rrumpallë, pa gazetarë, pa autorë, me amatorë që s’kanë idenë se nga bie gazetaria, me huazime lart e poshtë, me tekste mjerane të mbushura me gabime ortografike, me redaktorë që nuk dinë të redaktojnë, me korrektorë që nuk njohim asnjë rregull të drejtëshkrimit, por të gjithë me rroga, nën drejtimin e një ish-drejtoreshe jo të Edi Ramës, por të Pandeli Majkos.
Këto skalione të përçudnimit të sistemit demokratik me tentakula deri në diasporë shkelin dhe përdhunojnë shenjtërinë e fjalës të lirë. Ky është motivacioni që Pandeli Majko i ndau çmim portalit me emrin e tij homonim, për përçudnim të lirisë të shprehjes.
Sepse është e qartë si drita e diellit: ky portal shkeli pavarësinë e patjetërsueshme të pushtetit të katërt duke shpërdorur paratë e taksapaguesve zviceranë për të shplarë trutë e shqiptarëve.
A do ta përdorë këtë çmim Pandeli Majko për t’u rrëmbyer taksapaguesve zviceranë pare të tjera për trushplarje?
Një gjë është e qartë, që, nëse taksapaguesit zviceranë do ta dinë se djersa e tyre keqpërdoret kësisoj, natyrisht, nuk do ta lejojnë kurrë që portali Majko të përfitojë asnjë rap!/ Voal.ch
©Elida Buçpapaj, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)