Opinione

(N)gjelat e mediave dhe politikës - Nga Vangjush Saro

Në çdo temë, thirret për të dhënë “viston” avokat Spartak Ngjela. Nuk ka studio televizioni që ai të mos shpalosë idetë e tij, kulturën e tij, kompetencat e tij… në të gjitha fushat. Me të vërtetë që disa intelektualë kësi, tash janë bërë komikë. Flet për amerikanët, flet për historinë, flet për muzikën, flet për Miss-et, llomotit vend e pa vend për politikën, hidhet sa andej kandej me gojën plot, a thua është Zeusi. Së fundi - nuk kishte si të mungonte e të mos e shfrytëzonte rastin për t’u treguar “atdhetar” - ai foli një copë herë të gjatë edhe për rastin “Bregoviç”.

Personalisht, më duken demagogji këto festivale birre e rakie, por biznesi ka punën e vet… Nga ana tjetër, unë e di që të gjithë konspiracionistët shqiptarë e kosovarë janë turrur të kuptojnë pse ai këngëtari dhe banda e tij janë ftuar të këndojnë në Festën e Birrës në Korçë. Jam i një mendjeje, ndoshta ka një gjë që nuk shkon. Por shikoni si prevalojnë punët, si ngre krye kapadaillëku shqiptar, patriotizmi fals…

Nuk e njoh, thotë “avokat” Ngjela. (Për këngëtarin dhe bandën e tij.) Domethënë nuk e ka parë as filmin “Shtëpi për t’u varur” (apo “Koha e romëve”) Çfarë tregon me këtë? Injorancën e vet, përderisa bëhet fjalë për një krijim të vlerësuar në juri e festivale serioze. Dhe flet me një siguri e fodullëk të tillë, që të bën të mendosh se ky njeri është thjesht një llafazan… Për më keq, vazhdon me fyerje ndaj muzikës serbe. Ç’lidhje kanë shijet e tij me rastin në fjalë? Përse ngatërrohen njerëzit kështu? Si mund të flasësh veresie për gjëra të tilla? Çdo popull ka jetën e vet, historinë, kulturën dhe artin e vet. Kush po të merr dorën çfarë do e çfarë nuk do ti?

Është e përhershme, e vazhdueshme dhe thjesht fyese përfshirja e këtyre njerëzve në çdo temë, a thua japin direktiva (si njëherë e një kohë). Këta janë fiksuar te madhështia, si të ishin të sëmurë. Të përpiqesh të marrësh “pikë” në çdo rast dhe me çdo mjet e mënyrë, edhe duke denigruar të tjerët, kjo është thjesht provincializëm, prapambetje.

©Vangjush Saro