Opinione

Minishengen apo Serboshengen? - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut*

Rama luan në karten, çdo çudi zgjat vetëm tre ditë, kurse shqiptarët luajë me kartën “Minishengeni” nuk më prish punë mua. Andaj Minishengeni i nisur nga Rama dhe Vuçiçi as që bëri stend by për rishikim për shkak të mospërputhjeve të frikshme dhe të arsyeshme brendashqiptare, pasi Rama në Shkup e nënshkroi marëveshjen për “Minishengenin”, apo “Serboshengenin” dhe tani është i bindur në sloganin e cituar serb. Këtë e dinë edhe më mirë Ali Ahmeti, i cili është partneri më i mirë shqiptar në këtë histori rrugëtimi të Ramës, pasi i dha prokurën Zaevit që edhe në emër të tij e shqiptarëve të Maqedonisë të nënshkruajë këtë akte kontravers.

Miq të dashur, institucioni i kryeministrit është i nderuar, është përgjegjësi kombëtare, veçmas në Ballkanin e trazuar dje, sot, të shpresojmë jo edhe nesër, andaj apostrofimin e kryeministrit shqiptar nuk e bëj me vullnet. Historia politike na mëson se shumica e politikanëve të tranzicionit manipulojnë me demokracitë e brishta, manipulojnë me mjerimin, vuajtjen dhe varfërinë e qytetarëve. Andaj, Ali Ahmeti pothuajse më shumë se njëzet vjet është në pushtet, kurse Rama dhe Vuçiçi njëjtë me dallimin: Ahmeti është i kënaqur me përfitime të vogla që i “falin” të fortët e VMRO-së dhe LSDM-së, kurse Rama dhe Vuçiçi janë realisht më të fortët e Ballkanit që manipulojnë edhe demokracinë në vëndet e tyre, duke bërë autoritarin edhe me funksionet e shtetit dhe institucionet e tij.

Miq të dashur, fjala e rastit e Ramës në Shkup u përcoll me duartrokitje. Siç duket, ky miratim nuk ishte nga shqiptarët. Si ish-zëvëndëskryeministër dhe ministër që kam qënë në Maqedoni, sinqerisht do shqetësohesha nga kjo duartrokitje, jo për shkak të mungesës së guximit, por për shkak të vox populi, vox dei. Kjo duartrokitje i atribuohet edhe Ahmetit dhe ministrave të tij që u radhiten në forumin e Shkupit dhe që Zaevit i dhanë rolin e aktorit të mirë në teatrin e “Minishengenit”.

Në diskursin e stilit të tij Rama pati edhe batuta të papërshtatshme, por siç duket i tërë diskursi   ishte vetëm uverturë për ta sulmuar Kurtin dhe Kosovën. Sikur e tërë kjo ti thuhej Kurtit në Tiranë apo Prishtinë do kuptohej drejt dhe vëllazërisht. Mendoj se për diskurs të këtillë nuk ishte as vëndi, as koha e duhur. Nëse Albini sulmo “Minishengenin” si ide mes shteteve respektive, këtë nuk e bëri personale. Prandaj vlerësimet e Ramës ishin të rënda, të pamatura për liderët e shkëlqyer të Kosovës dhe vetë Kosovën. Vlerësimi se ata jetojnë me të kaluarën dhe historinë, është më së pakti cinizëm, mosnjohje e realitetit, për të mos thënë më shumë.

Brengosja për këtë që ndodhi në Shkup është e frikshme për kah pasojat e mundshme në dy drejtime: Së pari, për kah goditja e shtetsisë së Kosovës; Së dyti për kah margjinalizimi i skajshëm i ekonomisë shqiptare e cila edhe kështu siç është sot në raportin import-eksport me Serbinë është tejet, tejet e disfavorshme. Ky hendek i thellë nuk mbulohet me ton të sjellshëm politik dhe diplomatik.

Pse kjo brengë gjithëshqiptare?

Semantika e shqetësimit është shumëdimensionale por të veçojmë:

-Minishengeni po ndodh pas vendimit mohues të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të hapur konferencat e para ndërqeveritare integruese me BE; Vetvetiu është kjo indikacion;

-Minishengeni po ndodh pas qeverisë Kurti 2 i cili shprehimisht është deklaruar kundër tij;

-Minishengeni po ndodh pas një agjende të ngjeshur dhe intensive të faktorit ndërkombëtar (SHBA dhe BE) për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe agjendës intensive ndërkombëtare të krerëve politik të Kosovës (Osmanit, Kurtit, Gërvalla).

-Duke analizuar logjikisht, “Minishengeni” ballkanik me apo pa dashje e defaktorizon dhe defokuson Kosovën karshi dialogut me Serbinë;

-Minishengeni fshin historinë e dhimbshme shqiptare nga serbomëdhenjtë, bile duke mos shprehur as kërkimfaljen morale për gjenocidin e fundit, për  krimet makabër të luftës, për të pagjeturit, për më shumë se 20 mijë femra të dhunuara mizorisht dhe armiqësisht;

Dhe pas të gjithë këtyre katrahurave shtrohet dilema: Si është e mundur Kosovës t’i bëhet ofertë për union me Serbinë gjersa Kushtetuta e po këtij vendi taksativisht definon teritorin e shtetit të Kosovës si territor të Serbisë? Vallë, bashkëngjitja e Kosovës “Minishengenit” nuk është në fakt lejekalimi i Serbisë për të hyrë në Bashkimin Europian? Mendoj se po, sepse lejekalimin për në NATO e merr nga Rusia.

Rama në Shkup tejkaloi kornizën diplomatike edhe për një detaj tjetër të rëndësishëm kur në paraqitjen solemne qortoi Malin e Zi dhe Bosnjën. Kjo, sepse harroi historin edhe në këtë rast. Gjersa Mali i Zi mezi i shpëtoi destabilizimit nga fuqitë proruse dhe proserbe para pranimit të tij në NATO, në Bosnjë funksionon edhe më tej “Srpska Rebublika” si krijesa më e shëmtuar në Europë, me implikime të rrezikshme për Ballkanin e më gjërë, si shtet-kukull që  bashkfrymon me Serbinë.

Dhe në fund, përtej të gjithë katrahurave, falja e krimit nuk është garanci për të përjetësuar paqen. Prandaj, shoqëritë moderne i kanë legjitimuar procedurat e dënimit të krimeve të luftës, apo shkeljen e rregullave të saj, për çka as Serbia nuk duhet të jetë përjashtim.

©Xhevdet Nasufi

*Autori ka qenë zevendëskryeministër, minister i Drejtësisë dhe minister i Pushtetit Lokal i Republikës të Maqedonisë së Veriut.