Opinione

Mjerimi i zgjidhjes që ofron Yuri Kim - Nga Red Varaku

Është e qartë që Yuri Kim nuk e ka një dokument që vërteton korrupsionin e Berishës, sepse nëse do ta kishte, do mjaftonte të publikonte një provë të thjeshtë dhe debati sot ishte mbyllur.

Nuk ka nevojë të përdorë “të gjitha instrumentet” mjafton një dokument dhe e shpëton debatin publik nga një çështje që nuk ka asnjë lidhje me krizën aktuale ku ndodhet vendi, sepse Berisha ka tetë vjet që është një deputet i thjeshtë në opozitë.

Për të nxjerrë në pah hipokrizinë e saj, Berisha nuk pretendoi asgjë më pak se sa do pretendonte çdo individ normal në pozitat kur i kërkohet përmes diktatit të largohet nga politika, transparencë.

Është pikërisht mungesa e transparencës, që e ka kthyer këtë konflikt në një konflikt që po dominon skenën politike shqiptare duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik në një çështje periferike që nuk ka asnjë peshë në zgjidhjen e krizës aktuale.

Tashmë askush nuk flet më për korrupsionin e papërmbajtshëm sipas DASH, masakrën zgjedhore sipas OSBE/ODHIR apo për bllokimin e integrimit në BE që në fakt është edhe një sinjal për izolimin e Shqipërisë nga BE.

Por për çfarë i duhet ky konflikt me Berishën ambasadores Yuri Kim në momentin kur Shqipëria rrezikon të futet në një vorbull destabiliteti politik për shkak të masakrës zgjedhore?

Ka disa arsye që lidhen me dështimet e saj si ambasadore, por thelbi mbetet fakti që ajo po e përdor këtë konflikt me Berishën, si alibi për të bllokuar rrotacionin dhe për të mbajtur në pushtet me dhunë Ramën, për arsye që tashmë të gjithë i kemi të qarta.

Arsye që lidhen me dëshirën e sinqertë të faktorit ndërkombëtar për të mbyllur një konflikt të ngrirë që mund të degradojë në pëplasje ushtarake.

Arsye që prodhuan edhe ndryshimin e qëndrimit amerikan për Ballkanin Perëndimor, ku tashmë Beogradi nuk konsiderohet më një faktor destabiliteti, por konsiderohet partneri më i rëndësishëm i amerikanëve në rajon, pasojë kjo e pabesisë së Ramës ndaj Kosovës dhe e sharlatanizmit të tij në politikën e Jashtme.

Qëndrim që erdhi menjëherë pas marrëveshjes së firmosur në Washington, ku Beogradit iu dha eksluzivisht shfrytëzimi ekonomik i pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet projektit Minischengen.

Qëndrim i cili prodhoi edhe urdhërin egzekutiv të Biden për Ballkanin Perëndimor, i cili në thelb është vetëm një mjet ndëshkimi për cilindo që kundërshton këtë qëndrim të ri dhe këtë qasje ndryshe të SHBA-ve në rajon ku binomi Vuçiç-Rama ka rol integral.

Përmes evokimit të këtij qëndrimi ajo synon të demoralizojë kundërshtarët dhe të blindojë Ramën në pushtet pavarësisht legjitimitetit të tij, si pjesë e pazëvendësueshme e binomit pa të cilin është i pamundur realizimi i Marrëveshjes së firmosur në Washington.

Por, me sa duket ajo harron parimin elementar të demokracisë që kjo mund të realizohet vetëm përmes një qeverie legjitime dhe kurrsesi përmes diktatit.

Nëse një qeveri i ka vjedhur zgjedhjet, provuar kjo dhe nga raporti OSBE/ODHIR, nuk ka fuqi të angazhohet në projekte të tilla, sepse nuk ka legjitimitet të firmosë në emër të popullit, se populli nuk e ka votuar.

E provuan këtë në Kosovë përmes një qeverie ilegjitime, që nuk përfaqësonte vullnetin e popullit, dhe dështuan. Parlamenti i Kosovës vendosi të hedhë poshtë rezolutën që miraton zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit.

Dështuan sepse marrëveshje të tilla duhet të përfaqësojnë vullnetin e popullit, përndryshe mbeten gjithmonë të brishta dhe të paimplementueshme.

Tani po e provojnë edhe në Shqipëri me të njëjtën formë.

Përmes bllokimit të rrotacionit me dhunë dhe një qeverie ilegjitime, e cila është kapur në flagrancë nga OSBE/ODHIR duke trafikuar vullnetin e popullit, duan të izolojnë dhe t’i bëjnë presion Kosovës  përmes marrëveshjes me Beogradin.

Nuk do ia dalin!

Por edhe nëse ia dalin të bëjnë diçka formalisht, produkti i këtij formaliteti që vjen përmes diktatit dhe jo vullnetit popullor, do digjet si flakë kashte dhe do rrëzohet menjëherë bashkë me rrëzimin e kësaj qeverie.

©Red Varaku