Opinione

Mërgata është lokomotiva financiare e Kosovës - Nga Fazli Mazreku

Takimet e organizuara me mërgimtarë nga partitë politike të Kosovës nuk besoj se janë te nevojshme. Mërgimtarët duke jetuar në vendet e zhvilluara perëndimore, pa mëdyshje fitojnë përvoja të reja nga kultura politike, shoqërore dhe ekonomike në ato vende.

Mërgata shqiptare, sidomos ajo kosovare, në gjirin e saj e ka gjeneratën e tretë, e cila është lindur, rritur dhe edukuar në një ambient krejtësisht tjetër, ku ka pak politikë dhe shumë mund e punë për të fituar edukim të lartë apo trajnime profesionale, që mundësojnë garë dhe konkurim në tregun e punës.

Tubimet sporadike me koreografi soc-realiste si të paraluftës, të organizuara nga partitë politike apo insitucionet lokale nuk besoj se do të sjellin ndryshim në pikpamjet e mërgimtarëve se si ata e shohin Kosovën dhe si ata dëshirojnë të shohin ardhmërinë e saj.

Mërgata kosovare nuk ka nevojë për përkdhelje, empati apo për ndonje status sui generis, që e dallon prej popullatës shumicë të Kosovës. Mergata dëshiron që t’i ofrohen shërbime efikase, të thjeshta dhe të realizueshme. Kjo mund të arrihet nëse kryetarët e komunave e rrisin cilësinë, profesionalizmin dhe realizojnë trajtimin e barabartë dhe jo diskriminues ndaj të gjitha palëve, pa marrë parasysh se a njihemi apo jo me zyrtarët e administratës komunale.

Javashllëku, letargjia dhe trajtimi i palëve sipas rrethit miqësor apo fisnor nga ana e zyrtarëve publikë, është shembulli më i dukshëm dhe më i keq që i irriton mërgimtarët dhe krijon mosbesimin e tyre në se ka apo jo vërtet profesionalizëm dhe paaneshmeri në ofrimin e shërbimeve publike.

Kosova e di mirë se sa e rëndësishme është Mërgata me dërgesat e saj dhe shpenzimet që bën gjatë pushimeve të verës në Kosovë dhe në bregdetin shqiptar. Thënë thjesht, Mërgata është lokomotiva financiare e Kosovës, pa të cilën, sot, Kosova do t’i ngjante ndonjë vendi jashtë Europës.

Andaj është detyrë primare e qeverisë së Kosovës që ta ndryshojë që nga themeli qasjen ndaj Mërgatës, duke filluar nga ristrukturimi i Departamentit për Diasporën brenda Ministrisë se Punëve të Jashtme, si edhe riorganizimi brenda ambasadave të Kosovës nëpër botë, sepse Mërgata ka dy mundësi ta ndihmojë Kosovën: përmes investimeve dhe burimeve njerëzore të shkolluara në universitetet më prestigjioze në Europë dhe Amerikën Veriore.

©Fazli Mazreku