Shqipërisë i duhet një kryeministre femër - Nga Alba Kepi
Shqipëria arriti një tjetër "rekord" botëror. Pas titullit si vendi më bamirës në botë që u shpall plot dy javë para mbërritjes së afganit të parë në Rinas, kësaj here titulli shkon për gratë, si vendi më social në politikat gjinore.
12 ministre gra, nuk ia ka arritur t'i zgjedhë asnjë nga ekonomitë më të fuqishme e demokracitë më sociale të botës.
Shqipëria ia arriti edhe pse ka gati një shekull që është në kërkim të zhvillimit si shtet i lirë, demokratik, i drejtë e ligjor.
Matematika nuk është një opinion, por numrat e formulat që e plotësojnë janë që ç'ke me të.
E pas 12 ministreve gra duhet të gjenim 12 motive shprese e besimi për gratë e vajzat shqiptare plot halle.
Mes tyre do jetë ndoshta ajo vajza o gruaja qe e meritoi të jetë ministre për impenjimin e saj në shpëtimin e vajzave e grave shqiptare nga racket i skllaveve të seksit në rrugët shqiptare e ato të botës.
Apo ajo nëna, vajza e gruaja që vullnetarisht ka hapur shtëpi e qëndra mikpritje për gra të dhunuara nga familja e vajza që nuk pranojnë të martohen me zor.
Do të jetë historia e një mësueseje që bënte kilometra e kilometra rrugë në këmbë për t’i mësuar shqipen vogëlushit të ngujuar në një kullë mes maleve shqiptare.
Një nga 12 ministret është zgjedhur për impenjimin politik në propozimin e ligjit që dënon si krim të rëndë dhunën fizike e psikologjike në familje, e nuset minorene.
Largpamësia e aftësia profesionale e të paktën njërës prej tyre ia arriti të krijojë mundësi punësimi e evitimin e emigrimit shokues të grave e të rinjve.
Apo mund të kemi politikanen shqiptare që propozoi ligjin e ngriti në këmbë një territor për të denoncuar metodat mafioze, kërcënimin me vdekje, gjobat që u shpërndahen sipërmarrësve të ndershëm për t'u vjedhur djersën e qytetarëve pronën.
Ndoshta dënoi korrupsionin në qytetin, zonën, institucionin ku ka punuar prej vitesh?
Mes 12 ministreve do jetë patjetër ajo bijë, motër o grua që ka parë tmerret e persekutimit fizik e psikologjik të gulagëve e hakmarrjes komuniste.
O do jetë historia e një sindikalisteje që prej vitesh impenjohet për barazinë e pagës, të drejtat e grave e kushtet e punës në fasoneritë e pronarëve vendas e të huaj që kanë mbushur Shqipërinë?
Përgjigja e historive të tilla bën pa dyshim opinionin e një numri o të një formule që ekuacionit i jep një rezultat të saktë.
Nëse nuk del i tillë apo ka dyshime e vetmja rrugë mbetet prova.
E prova më e mirë do ishte sikur në vend të 12 ministreve të kishim një Kryeministre grua me energji e forcë motivuese që mund t'i bëjë keto histori të vërtta.
Kush e drejtoi Shqipërinë për 8 vite të mjaftohet me drejtimin e partisë së tij si forca politike më e madhe e vendit (për momentin).
Duke e mbyllur ju prezantoj një grua.
Quhet Tina Anselmi, është ministrja e parë grua e zgjedhur në Itali më 1976 e plot 30 vite pasi gratë fituan të drejtën e votës.

Tina Anselmi
E mësoi se ishte zgjedhur ministre ndërsa lante pjatat në një shtëpi-familje të Aksionit Katolik në Romë. Prej 30 vitesh ishte impenjuar në të drejtat civile e vlerat demokratike për të cilat luftoi dhe gjatë Luftës së dytë Botërore.
Një grua me një imazh te fortë publik e që një vit para se të zgjidhej ministre kishte fituar çmimin International Women’s Year në edicionin e parë të tij të shpallur nga OKB.
30 vite para se të bëhej ministre punoi fort për temat sociale, familjen, shëndetësinë e figurën e gruas në sistemin e punësimit. Dhe pse fortësisht katolike impenjohet në referendumin e të drejtës së divorcit e abortit.
E qe ky frut pune, që Aldo Moro e propozoi si ministren e parë në historinë e Republikës Italiane.
E pak vite më vonë mundi t'i shpëtojë një atentati mafioz.
"Mjafton një njeri i vetëm që na qeveris të shantazhuar o i shantazhuar që demokracia të jetë në rrezik", është një shprehje e saj. "E kur gratë impenjohen në beteja, fitoret janë për të gjithë shoqërinë."
Nuk gjë më të shëmtuar kur gratë shajnë gratë përmes bindjeve politike e fetare.
E nuk ka gjë më të mirë kur gratë bëjnë skuadër për një betejë madhore për Shqipërinë.
E rregulli një në një skuadër është e vërteta, barazia e çdo anëtari e mospranimi i qënies viktimë e një numri a objekt zbukurimi.
Një nga fjalët më të lakuara në zgjedhjet e fundit që prodhoi qeverinë e re qe herësi, e që herësi i 12 të japi rezultatin e saktë të skuadrës, Kryeministri shqiptar duhet të jetë femër e prova e 12 do jetë 12.
©Alba Kepi








