Opinione

Përse jam sot me Jozefina Topallin! - Nga Elida Buçpapaj

Fillimisht kam qenë përkrahësja e Jozefina Topallit, nisur nga prejardhja, familja dhe vuajtjet e saj personale gjatë diktaturës.

Jam kthyer një nga kritiket më të ashpra të Jozefina Topallit, për mënyrën se si bëri politikë, duke u kthyer në alter ego apo hije e Doktorit, në vend që të zhvillonte profilin e saj, të mbante pranë shtresën e vuajtur nga vinte, e cila votonte për PD.

Kur do të duhej që të dorëzonte partinë, më 2013, Berisha në njërin krah kishte Jozefina Topallin, Nr.2 të PD dhe në tjerin krah Lulzim Bashën. Berisha zgjodhi Bashën, ndërsa Basha e shporri krahun e djathtë të Berishës nga politika. Lulzim Basha krijoi tarafin e tij dhe largoi rrethin e Berishës.

Metodologji e ashpër, reminishenca nga sistemi i egër diktatorial, pa rregulla, pa lojë "free and fair", pa garë të ndershme, vetëm dëshmi besnikërie ndaj Njëshit!

Prej 2013 që kur mori frenat e Partisë Demokratike në dorë, Lulzim Basha ka imituar Sali Berishën, e ka kopjuar, si nxënësit tapë topi, që kopjojnë ata më të zellshmit e klasës, pa patur formatin dhe potencialin e tij, pa patur kauza, ideale, duke iu ëmbëlsuar lluksi si politikan surrogato!

Berisha nëse krijon sot një parti hyn menjëherë në Parlament, ndërsa një parti me markën Lulzim Basha nuk fiton asnjë ulëse në kuvend.

Elektorati i Partisë Demokratike e ka mbështetur Lulzim Bashën, me që Sali Berisha e ka mbështetur Lulzim Bashën.

Të gjitha prapësitë që i bënte Lulzim Basha gjatë këtyre tetë viteve u vinte emrin e “plakut”, dmth të Sali Berishës. Natyrisht Sali Berisha ka mëkatet dhe kusuret e veta, sepse i ka larguar të gjithë personalitetet pranë PD në shkëmbim të racës më të ulët të politikanëve që prodhoi vetë dhe që më në fund prej tyre e pësoi vetë.

Lulzim Basha për 8 vjet si politikan me profil juristi do të duhej që të paktën t’i jepte Shqipërisë një sistem zgjedhor si të Kosovës me përfaqësim proporcional me lista të hapura. Lulzim Basha është përgjegjësi kryesor që i la dorë të lirë diktatorit Edvin Rama të ndryshonte kodin zgjedhor dhe nga ky arbitraritet të përfitonte deputetë, ndërsa votat e Sovranit për opozitën të digjeshin.

Por bëma më e fundit e Lulzim Bashës, shitja që i bëri Sali Berishës, e ka deligjitimuar përfundimisht si politikan dhe si njeri. Sepse ka marrë vendime si oligark apo monark me pushtet absolut duke eleminuar demokracinë minimaliste dhe institucionet brënda partisë në një sistem pluralist.  Themeli që e mbante Lulzim Bashën ishte Sali Berisha. Kur vetë Lulzim Basha rrëzoi themelin e tij, atëherë ai është vetërrëzuar!

Prandaj jam me Jozefinën që thotë shprehimisht: Demokratë nxirreni nga zyra Lulzim Bashën, dhe përjashtojeni nga Partia Demokratike!

S’ka alternativë tjetër!

© Elida Buçpapaj VOAL