Opinione

Amerika nuk është gogoli i izolimit - Nga Ilir Levonja

Dëgjova në një studio një argument nopran, mbi izolimin e Partisë Demokratike nga Amerika, nëse nuk përjashtohej Berisha. Argumentuesi arrinte deri aty sa ''kërcënonte'' deri me ngrirje të Thesarit të Shqipërisë a sanksione të tjera ekonomike. Po ua them që në fillim, janë argumenta skuthësh që nxjerrin Amerikën për të shmanguar jo më dështimin klasik të të ashtuqujtuarit opozitë e Bashës, por vdekjen e saj.

Berisha nuk është qeveri që bën ligje, nuk është antiamerikan, nuk është Perëndim, nuk është qeveria e re e talebanëve që po vrasin njëri-tjetrin për një karrike ministri. I kemi stërthënë mëkatet e tij, madje jemi një shpurë e mirë ku bëj pjesë edhe unë, por që jemi mallkuar e sharë me libër shtëpie nga ushtria mikroskopike e Bashës.

Mëkati i fundit i Berishës qe pikërisht heshtja, nga degradimi i forumeve të Partisë Demokratike, kur Basha manipulonte hapur çdo garë zgjedhore, për të forcuar kultin e tij. Madje e ka mbështetur atë edhe pse dështoi në 3 palë zgjedhje, duke prodhuar me dhjetra miniparti, kur koha kërkonte një kompromis të gjerë, me qëllim fuqizimin e forumeve dhe votës së çdo anëtari.

 Ndaj sot Berisha ka të drejtën e Zotit të bëjë atë që po bën duke kërkuar ringjalljen e këtyre mekanizmave demokratike. Qoftë kjo ndjesë e sinqertë deri aty sa PD të vendoset në shina duke pasur një lidership të ri, madje sanksionim të fortë të kushtit të qarkullimit, deri me kufizim mandati.

Skuthët e ushtrisë së Bashës ashtu sikur edhe të Ramës, kanë filluar një fushatë se medemek Berisha po e bënë këtë për të marrë kreun e Partisë Demokratike. Është një fuqi motorike aq sa sot çështja Berisha po dominon 99% të syve të shqiptarëve duke ia hequr vëmendjen dhe mërzitur vetë qillotaxhiun Edi Rama. Në fakt duhet të indinjohen, jo më për Berishën, por për vdekjen e votës brenda forumeve, sepse nga këtu fillon ngërçi i stanjacionit të reformave të mirëfillta në Shqipëri.

Askush tjetër veç Berishës nuk ka mundësinë ta frenojë këtë theqafje të demokracisë. Ndofta karizma politike si një nga liderët e parë, ndofta geni, a raca e politikanit, që aq shumë u ndje në opozitën 8-vjeçare të një njeriu apatik të cilin nuk e voton as gruaja e vet. Të një lloj lideri të çuditshëm, i cili bash në valën e pakënaqësive sociale, shkonte me pushime.

Do mbahet mend për batutën kur bash protestuesve me sytë plot lot nga gazi helmues, ky, u tha, do shihemi në Shtator. Nga Shkurti i 2019, e deri tek protesta e fundit, në fillim të këtij viti, kur policia vrau një të ri në Tiranë, Klodian Rasha, kurrë nuk iu bashkangjit frymës sociale. Të mos harrojmë, studentët, prishjen e Teatrit Kombëtar etj. Pa përmendur përgjimet në zgjedhjet lokale të Dibrës (2016) a të ashtuqujturën Dosja 184. Nga ana tjetër faktin e borxhit publik aktual, në raport me vitin 2013. Janë një material i lakmueshëm për çdo opozitar real, por asesi për skuthër si Lulzim Basha.

Rama sot është njëriu më me fat në rruzullin tokësor. Ka të drejtën e Zotit t'i ofrojë Lulit deri gjysmën e qeverisë. T'i bëjë një shtatore përpara selisë së “Rilindjes” së tij. Nuk ka ku ta gjejë një thesar të tillë. Ndaj studiot gërthasin me preteksin se ''gogoli'' Amerikë do izolojë Partinë Demokratike, do bllokojë Thesarin a ku di unë.

Së pari duhet të kuptojmë një gjë, po Shqipërisë çfarë i duhet? Pastaj të ofrojmë ''gogolin'' Amerikë. Shqipërisë i duhet urgjentisht shpërbërja e kultit të individit. Në Amerikë sot nuk njeh kush, se cili është apo cila është lider i të Majtës apo i të Djathtës. Pasi ka njohje të fortë forca politike, forumet brenda tyre dhe vota. Në Shqipëri kanë përkrahur gjithmonë individin, jo proçesin.

Sot partiçka e Bashës është një kavje e asaj të Ramës, ndaj dhe borxhi publik ka kapur kulmin. Në raport me Perëndimin, në Shqipëri jo rastësisht pagat më të larta, siguracionet etj., ofrohen vetëm nga shteti dhe jo investitori publik. Eshtë kjo arsyeja që shteti konsiderohet një mburojë e sigurtë dhe forcat politike janë dominante duke përdorur njerëzit për një vend pune, por edhe me tenderimet publike. Në vendet perëndimore ndodh e kundërta.

Nuk bëjnë asgjë tjetër, por ju vënë në gjumë, kur u thonë, se, nuk na lë Amerika. Do na izolojë Amerika etj. Amerika nuk është ai gogoli që ua ofronim dikur fëmijëve për t'i vënë në gjumë. Asesi. Jepini rrugë proçesit se shumë shpejt do merrni rezultatin e duhur!

©Ilir Levonja - Florida, SHBA