Opinione

Reforma e munguar e drejtësisë penale - Nga Ylli Manjani

Jam (kam qenë gjithmonë në fakt) për një Kod Penal të ri. Jam në fakt jo thjesht për një kod të ri që maskon më bukur budallëqet e kodit aktual. Jo! Jam për një koncept krejt tjetër të Kodit Penal.

Një koncept që në fakt synon të transformojë të gjithë drejtësinë penale në vend, e cila megjithë ndërhyrjet ligjore prap në thelb mbetet brenda konceptit bolshevik. Bolshevikët kriminalizuan shoqërinë duke shtuar sanksionet penale thuajse për çdo gjë. D.m.th. duke u treguar burgun njerëzve si kur vrasin, ashtu edhe kur flasin.

Ne kemi nevojë për një Kod Penal që të izolojë personat e rrezikshëm, por dhe të ndëshkojë me eficensë disa sjellje që dëmtojnë publikun dhe individin. Në fund të fundit për këtë punë u shpik drejtësia penale, pra për të izoluar të rrezikshmit e shoqërisë. Për të shmangur vetgjyqësinë.

Burgu nuk është zgjidhja, por mjeti i fundit për shumë prej sjelljeve të parregullta që dëmtojnë shoqërinë. Ndërsa për vrasësit, grabitësit, terroristët, trafikantët e dhunuesit në tërësi burgu është mjet i parë i fundit dhe i vetëm.

Kjo është baza e konceptit penal që personalisht dëshiroj të adoptojmë.

Janë shumë sjellje të njerëzve që kriminalizohen krejt pa vend. Pa sens. Pa logjikë.  Fjala vjen të mbash armë pa leje dënohesh sa një vrasës. Ose të vjedhësh apo grabisësh dënohesh më pak se sa kur shkel rregullat e një tenderi apo të qarkullimit rrugor. 

Kodi ynë penal ka jo thjesht paradokse, por koncepte represive që jo vetëm nuk e ndihmojnë shoqërinë të ndahet prej të keqes, por e zhysin atë gjithnjë e më keq në veprimtari gjithnjë e më masive të paligjshme. Po barazove në trajtim si përdoruesin e drogës ashtu edhe shitësin e saj, apo këtë të fundit me trafikantin, pa dyshim që shoqëria kriminalizohet. Ndërkohë droga vetëm shtohet.

Pra drejtësia penale nuk është eficente e as ajo që duhet.

Jam për denime të rrepta me burg ndaj personave që marrin jetë apo rrezikojnë jetën e shëndetin e të tjerëve.  Por nuk jam për të mbyllur në burg persona që u dhëmb më shumë një dënim tjetër. Një konfiskim pasurie, gjobë e majme e ndalim i kryerjes së detyrave publike, mbyllja e detyrueshme në një institucion shëndetësor apo paraqitje në vende riedukimi janë mjete shumë më efektive se burgu.

D.m.th. që të jem më konkret, mbajtja e një arme zjarri duhet të sjellë si pasojë direkt marrjen e armës dhe dënimin me burg jo më shumë se 90 ditë. Ditët e burgut duhet të jenë të konvertueshme me para si alternativë. Nuk futen njeriu në burg me vite pse mban një armë, aq më tepër kur shteti i shpërndau vetë ato.

Ose kush nget një mjet motorrik pa leje drejtimi duhet ti konfiskohet mjeti dhe të ngarkohet me gjobë. Mospagimi i gjobës konvertohet në ditë burgimi. Por nuk futet njeriu direkt në burg vetëm përse ngau një mjet. Tjetër gjë kur shkakton dëm. Atëhere përgjigjet dhe për dëmin.

Një pareli nuk ka përse të futet në burg, por thjesht i merren paratë. Nëse i ka bërë dëm shoqërisë dëmi janë paratë që ka vënë.

Një zyrtar publik dënohem më fort nëse i konfiskohet pasuria dhe ndalohet të punojë në shtet, sesa me show arrestimesh.

E kështu me radhë mund të përmend shembuj pa fund.

Puna është se Kodi ynë penal dhe drejtësia penale ka kapur ekstremitet në dënime, por eficensën e ka të ulët. Shumë të ulët madje.

Ndaj duhet rivendosur autoriteti i drejtësisë penale me dënime efiçente jo thjesht burg-burg-burg.

Por një Kod i tillë penal do të kërkonte padyshim një kod kundravajtjesh administrative të mirë, një organizim eficent të institucioneve, një procedurë të re penale dhe disa institucione të tjera komplementare.

Pra një reformë totale, që kurrë nuk u bë…

*Shëmbujt që kam përdorur nuk janë qëllim në vetvete por thjesht për të ilustruar idenë.

©Ylli Manjani