Opinione

Kush është Maksud Kadëna, Rama apo Berisha? - Nga Sebastian Zonja

Sebastian Zonja

Liderët e 20 vendeve më të industrializuara në botë ishin së bashku këtë fundjavë në Romë për samitin e G20-ës. Në këto momente, në këtë fotografi, ata janë duke përshëndetur mrekullinë ekonomike që ka arritur Shqipëria nën qeverisjen Berisha - Rama 20 vjetët e fundit. Ata nuk e marrin parasysh shkatërrimin e shtetit në vitin 1997 dhe firmat piramidale, sepse ai model ekonomik dhe shtetar nuk rezultoi aq i suksesshëm sa pritej. 

Bota nuk është veç fondacion siç e dinë të mëngjërit e Partisë. Bota është edhe punë, ndershmëri, lodhje, konkurencë, barazi etj.

Maksud Kadëna rishpiku veten pas vitit 1997 me parimin e thjeshtë: Kur prodhimi është i njëjtë gjatë gjithë dekadës, ekonomia rritet nëse shqiptarët largohen.

Pra, nëse që nga viti 1998 deri më sot kemi 150 mijë vetë në administratë dhe një buxhet 5 miliard dollarësh, problemi është si t’i shpërndajmë këto para, jo si t’i shtojmë.

Për shembull, zgjidhja “Maksud Kadëna” është e thjeshtë: Nëse sot ke 2 lekë dhe nesër të ikën një shok në emigracion, ti merr 2 lekëshin e atij, plus paratë që sjell nga Londra. Kësisoj, ekonomia lëviz dhe ka rritje.  

Modelin e këtij suksesi të paparë po e studiojnë rast pas rasti për ta ndjekur gjermanët dhe britanikët. Ata duan të na heqin nga këmbët Maksud Kadënat që kemi rrotull e t’i marrin për vete. Gjë që s’ka për të ndodhur kurrë! Kurrëëëëë! 

Secili prej këtyre vendeve, në historinë e gjatë të botës, ka qenë Perandori, ka qenë deçiziv në momente të caktuara historike, ka themeluar rendin gjeopolitik sipas përfytyrimit të vet.

Aty mungojnë dy liderë që u lidhën në mënyrë virtuale me samitin, Putini i Rusisë dhe Shi Xhin Pingu i Kinës. Por ata që ndriçojnë qiellin e mëngjesit janë dy yjet e skenës, Berisha dhe Rama. Njëri është lider ballkanik, tjetri ka takuar gjithë presidentët amerikanë që janë gjallë.

Temat që u trajtuan në samit ishin të larmishme. Klima, armët bërthamore, pandemia dhe taksat e korporatave. Secili prej këtyre vendeve është lider në njërën prej këtyre fushave, por vetëm Amerika i zotëron të treja, fuqinë ushtarake, teknologjike dhe diplomatike. Ndaj, sot ajo është superfuqi që garon me Kinën. Të tjerat janë fuqi rajonale.

Por ajo që duhet thënë është se Berisha i ka takuar të gjithë presidentët amerikanë gjallë, ndërsa Rama sapo takoi ministrin e Jashtëm kinez.

Në fund, pasi lexon këto lajme, kupton se në Shqipëri s’kemi ende trena për të lëvizur nëpër qytete, lëre pastaj nëpër Ballkan; s’ka asnjë filial të gjigantëve teknologjikë Facebook, Google…; s’kemi ushtri të rangut të NATO-s; dhe, për më tepër, s’ka kërkim shkencor në thuajse asnjë fushë që të na bëjë krenarë.

Por ajo që ka rëndësi dhe vlen të theksohet është se Berisha ka takuar gjithë presidentët amerikanë, ndërsa Rama do hedhë dy satelitë në hapësirë.  

Si përfundim, sa të rrëzojë Berisha Ramën nga pushteti dhe t’ia nxjerrë të gjitha në shesh - lidhjet me Sorosin, agjentët e Sorosit në terren, skemën e Sorosit për Shqipërinë, llogaritë bankare të Ramës, vjedhjet në krye të Bashkisë, lidhjet me krimin, vjedhjet si Kryeministër, llogaritë offshore, investimet nëpër botë, offshoret nëpër ishuj … Të gjitha këto janë gati në një dosje masive për të ndërtuar një megaproces si ai në Itali në vitet ’90, “Manni pulite”.

Pastaj, pasi të heqim pengesën kryesore, Edvin Kristaq Ramën, që s’na ka lënë të demokratizohemi dhe të bëhemi liderë botërorë në teknologji, ushtri dhe gjeostrategji, do të shpaloset platforma për rithemelimin e PD-së që do të sjellë brenda dy vjetësh zgjidhjen e problemeve vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.  Deri më tani Berishën për rithemelimin e PD-së e ka penguar Basha. Pengesa e tij ka qenë aq deçizive sa nuk lejonte asnjë ndryshim brenda dhe e kishte bërë Berishën zap. Për të dal nga kjo tutelë Berisha nisi edhe "Foltoren".

Deri atëherë kur të vijë Berisha në PD, jashtë tutelës së Bashës dhe hijes së tij të rëndë, duhet t’i mbajmë gishtat e kryqëzuar që të mos ikin shqiptarët në emigracion, se do ngelemi pa fjalimet e liderëve e lavdishëm që çojnë Partinë nga fitorja në fitore. Fatkeqësisht, popullin jo!

Rroftë Maksud Kadëna!

P.S. Sudja ishte e para që falimentoi në fund të vitit 1996, duke krijuar një efekt domino në të gjithë sistemin e 24 firmave piramidale që u krijuan në atë kohë. Falimentimi i Sudes nxiti edhe protestat e para në vitin 1997. Më 16 Nëntor 1996 ajo zgjati kokën nga dritarja e pallatit, përpara të cilit prisnin mijëra njerëz, dhe me megafon në dore tha: “Nuk kam më pará".

Sudes dhe të tjerëve, shqiptarët u besuan 1.2 miliard dollarë!

©Sebastian Zonja