Opinione

Ja pse më zhgënjeu Lulzim Basha - Nga Hajro Çini

Nuk do të kisha dashur kurrë të bëja këtë shkrim, por nuk mund të rrija pa e shkruar, më shumë për naivitetin tim politik se sa për pafytyrësinë, paburrërinë dhe pabesinë e Bashës.

Mua nuk më ka zhgënjyer ndonjë politikan, sepse unë e di se politika është një fushë me shumë të papritura, është aktivitet që i shkon shumë për shtat fjalës kurtizane dhe nuk kam shumë pritshmëri nga aktorët e saj.

Bëjnë përjashtim Dr. Rugova dhe Dr. Berisha, të dy vizionarë, të dy Burra Shteti, që i sollën kombit tonë pavarësinë e Kosovës, njohjen e saj ndërkombëtare, futjen në NATO e shumë gjëra të tjera, që i dhanë frymëmarrje dhe dinjitet shqiptarëve.

Asnjëherë nuk kam pasur besim tek drejtuesit e PPSH (PS apo “Rilindjes”) sepse nga ata që iu nënshtruan Beogradit që më 1941, që as sot nuk janë shkëputur nga ai akt antikombëtar, nuk mund të pritet absolutisht asgjë.

Të gjithë ish-nënkryetarët e PD nga Neritan Ceka e deri tek këta të fundit, me përjashtim të Edi Palokës, kanë treguar se kanë qënë të vegjël, materialistë, egoistë dhe se e kanë parë PD vetëm për përfitime personale dhe jo rrallë edhe kanë punuar kundër saj. Më i tipiku dhe më i ulëti në këtë drejtim ka qënë Bamir Topi. Hugo-i krijoi një personazh tek “Njeriu që Qesh”, Barkilfedro. Ai urrente dhe e luftonte deri në vdekje cilindo që i bënte atij nder. Veterineri Topi tregoi se fantazia e Hygoit mund të materializohej, paradoksalisht, edhe në një etni që tradicionalisht e ka konsideruar Besën si një virtut.

Pse i ka ndodhur kjo PD-së?

Shpesh është akuzuar, padrejtësisht, Dr. Berisha. Në fakt është “Njeriu i Ri” që PPSH krijoi ndër vite, i çveshur nga morali, nderi, integriteti etj. Asnjëri nuk arriti, në asnjë kohë, edhe në kohën kur ishin në zenit të PD-së, të më krijonte ndonjë besim, prandaj më e shumta që ndjeva për ta ishte neveria.

Ai që më ka zhgënjyer totalisht, është Lulzim Basha, sepse duke besuar tek Zoti, Dr. Berisha dhe tek Gjermania, ndërtova një farë miqësie. Gjatë bisedave me të, krijova pritshmërinë se ai do të dërgonte stafetën e progresit të binomit Berisha-Rugova shumë më përpara. Ai e kishte rrugën shumë më të hapur se dy të parët, të cilët e filluan nga hiçi dhe arritën të pamenduarën. Ai gëzonte përkrahjen e Dr. Berishës, dhe prej kësaj përkrahje edhe Partinë Demokratike, ai gëzonte përkrahjen e kujdesshme të Gjermanisë dhe në fillim edhe atë Amerikane.

Të gjitha këtyre përkrahjeve ai i vuri dinamitin, pjesërisht nga karakteri i tij pervers, pjesërisht nga logjika e tij e dobët dhe entuziazmi i tij i pajustifikuar dhe i çastit si dhe nga babëzia e tij, e cila duket se ka marrë vrullin nga Marrëveshja e fshehtë, e zymtë dhe shkatërruese e 17 Majit 2017.

Unë nuk e kam besuar, deri në fund të Gushtit, që Basha ishte i kapur keqas nga Rama. Kam luftuar në krah të tij kundër të gjithë atyre që e akuzonin për lidhje me Ramën si dhe plotësues i makabritetit të Ramës në uzurpimin e të gjithë pushteteve, veç Presidencës.

Ajo marrëveshje është aq hermetike sa askush, veç çiftit Rama-Basha, (dhe ndoshta Soros, sipas Ndokës) nuk e di se si është e vërteta. Duke qënë pa asnjë lloj transparence, pa asnjë informacion dhe duke parë efektet shkatërruese që ajo solli çdokush ka të drejtë të dyshojë.

Filozofi i madh Italian Gianbattista Vico shprehet:

“Kur mëndjen njerëzore e mbulon padija... thashethemet marrin dhenë... gjërat e panjohura stërzmadhohen... Sa herë që njeriu arrin të krijojë një ide për gjërat e largëta dhe të panjohura, atëhere ai fillon t'i gjykojë duke i krahasuar me gjëra që i njeh mirë ose i ka pranë”.

Dhe Basha është legjendar për të grumbulluar rreth vetes furtunën. Pse?

E para se, dukshëm, i mungon mënçuria për t’i paraprirë situates. E dyta, as thellohet dhe as nxjerr mësime. E treta i ka arritur shumë gjëra, bile të mëdha, pa asnjë mund dhe asnjë meritë, thjesht me një buzëqeshje hipokrite dhe servilizëm të plotë, dhe kur gjërat fitohen pa ndonjë meritë të madhe, edhe të ikin nga duart kur ndeshesh me realitetin.

Basha kishte rastin e artë të krijonte marrëdhënie parimore me USA, por i dëmtoi ato me aktivitetin e tij tinzar dhe pa transparencë. Kishte mundësinë që të kishte Gjermaninë në krahun e tij. Gjermania, ndryshe nga shumë shtete perëndimore, e ka të qartë rëndësinë e mbarëvajtjes së kombit shqiptar për vetë kombin, por edhe më gjërë, veçanërisht në një Ballkan të trazuar nga shovinizmi serb dhe mbështetje që ai ka nga Rusia. Pavarësisht nga ngjyrat politike të partive në pushtet, Gjermania ka qënë gjithnjë konsekuente.

Ishte Gjermania, në bashkëpunim me USA, që bëri një operacion model pastrimi të skenës politike në Kosovë. Krimi i Organizuar është sot i arrestuar në Hagë, ndërsa koka e korrupsionit, Isa Mustafa, i është kthyer jetës “akademike” jashtë politikës (larg buxhetit të shtetit). Po ashtu edhe të korruptuarit e tjerë, që pësuan një zvogëlim drastik në parlamentin e Kosovës. Por Gjermania e arriti këtë sukses shembullor vetëm pasi ajo gjeti bashkëpuntorë luajalë, të ndershëm dhe parimorë tek Osmani-Kurti- Konjufca- Gërvalla.

Po të kishte qënë Basha i ndershëm, i mënçur, parimor dhe i qëndrueshëm, ai mund të arrinte atë që politika kosovare arriti brënda pak muajsh. Por Basha është viktimë e paqëndrueshmërisë së tij, karakterit të tij pervers, tinzarllëkut dhe skuthllëkut që e karakterizon qartësisht. Basha është etaloni i paskrupullsisë. Dhe Gjermania u zhgënjye thellësisht me të.

Nën dritën e ngjarjeve të fundit, kur Dr. Berisha e theu heshtjen dhe kur Gjermania ka hequr dorë nga Basha, del në dritën e diellit se i gjithë aktiviteti i Bashës këta tetë vjet, paska qënë t’i siguronte një uzurpim të lehtë të të gjithë shtyllave të shtetit Narko-Qeverisë dhe Krimi të Organizuar. Djegia e mandateve, si dhe përzgjedhja e fund-listës me ata që pamë pas djegjes së mandateve, që e bëri tragjik-komik përfaqësimin e popullit, paska qënë një akt, në vazhdim të asaj që u vendos më 17 Maj 2017. Bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit dhe mosregistrimi në ato të 13 Tetorit, ishte vazhdim i ujdisë Basha-Rama. Shtyrja, në shkelje të Kushtetutës, e aktivitetit shkatërrues të KPK dhe KPA, është vazhdim i ujdisë.  

Ai mund të ketë rritur pasurinë e tij edhe duke qënë në opozitë, sepse Rama, për të siguruar pushtet, është i gatshëm të lëvrojë miliona euro, siç edhe bën, por Basha duhet të kuptonte se paraja e krimit është e dënueshme nga Zoti, dhe se ai do të ndeshet për këtë punë edhe në gjykimin e tij në ditën e gjyqit të fundit, por deri atëherë, Basha po ndeshet me vetminë e tij më të tmerrshme.

U mundua më kot së bashku me ca nudistë të pamoral, dhe me anë të Sorosit, që situatën, e pa menduar mirë, që krijoi Sekretari i Departamentit të Shpifjes, (që dikur quhej i Shtetit) Blinken bashkë me Reeker, Palmer dhe Yuri Kim, Guvernatorja e vetëshpallur, në shkelje të ligjeve ndërkombëtare, të sovranitetit të Shqipërisë si dhe të neneve 41 dhe 42 të Konventës së Vjenës, ta shfrytëzonte (në mos që ka qënë që në fillim pjesë e konspiracionit) që të hiqte një herë e përgjithmonë nga politika Dr. Berishën.

Por, çuditërisht, edhe pse pranë Dr. Berishës, ai nuk paska arritur kurrë që ta kuptojë se me çfarë Anteu kishte të bënte. Ai duhej të kishte kuptuar se shërbeu si ministër i tij në disa ministri, se Dr. Berisha është 100% i ndershëm dhe i pakapshëm. Nuk ka absolutisht asnjë njeri deri më sot, që Dr. Berisha t’i ketë kërkuar ndonjë nder apo favor. Edhe kur kishte në zyrën e tij Presidentin Bush Jr. ai me shumë dinjitet, mënçuri dhe inteligjencë arriti ta bindë, vetëm logjikisht, dhe jo për favor, që ai të mbështeste Pavarësinë e Kosovës.

Vetëm qënia pranë tij si Ministër duhej të kishte qënë e mjaftueshme, për një njeri inteligjent, se Dr. Berisha është gjigand i nderit dhe integritetit. Por Basha dukshëm është një skuth dhe tinzar që nuk njeh asnjë vlerë apo virtut.

Asnjëherë nuk ishte shpallur njeri non-grata nga USA pa fakte, dhe për rrjedhim, askush nuk reagoi aq burrërisht dhe ndershmërisht sa reagoi Dr. Berisha. Askush nuk ka guxuar, deri më sot, të hedhë në gjyq ndërkombëtar një Sekretar Shteti Amerikan Shteti, veç Dr. Berishës. Dhe ai e bëri këtë sepse ishte dhe është me moral dhe integritet të pacënueshëm. Sa më shumë lartësohet çdo ditë Dr. Berisha, aq më shumë i shtohen problemet Blinkenit, i cili po i shmanget, si skuth, Kongresit Amerikan, që po kërkon fakte. Por Blinken, me gjithë idiotsinë e tij, edhe nuk i vë shumë faj, sepse, ai nuk mund ta imagjinonte se bota ka akoma njerëz për të cilët nderi dhe integriteti janë vlera të padiskutueshme dhe se ka akoma njerëz që për ato vlera jetojnë. Por Bashës nuk i justifikohet kjo idiotsi. Ai duhej ta dinte energjinë e pashtershme të Dr. Berishës, vlerat e tij brilante dhe të pacënueshme.

Basha është shumë fatkeq, dhe kjo 100% për faj të tij.

Aq lehtë sa gëzoi përkrahjen e Dr. Berishës, aq lehtë sa mori drejtimin e PD-së, po aq padinjitetshëm edhe po i humb të gjitha në më pak se disa javë. Ai nuk mund të justifikohet, siç mundet Bamir Topi, me gdhëndjen e “Njeriut të Ri” sepse ai nuk e përjetoi atë kohë makabër, por babëzia, pabesia, mungesa e plotë e nderit, mungesa e plotë e burrërisë, e bëjnë Bashën shumë më të ndyrë se Juda Iskarioti i fillimit të erës së re, shumë më të zi dhe shumë më mosmirënjohës se Barkilfedro dhe shumë më kriminel dhe të pashpirt se Tenardie, perzonazhi tjetër negativ i Hugo-it.

© Hajro Çini