Opinione

Demokracia, e pa rrezikuar nga nacionalizmi - Nga Faruk Myrtaj

Natyrisht që pas përmbysjes së diktaturave ideologjike, në Lindje të Evropës ekziston rreziku i vendosjes së diktaturave nacionaliste. Ky është një paralajmërim për tërë vendet ish-komuniste-socialiste, padyshim edhe për Shqipërinë.

Duke qenë tejet origjinal në arsyetimet e tij, jo për shkak se është një individ i pasuruar pas rrëzimit të imperatorisë komuniste sovjetike, por për shkak të të vështruarit ftohtë të gjërave, George Soros arrin në përfundime tepër afatgjata. Ai duhet kuptuar në thelbin e tij. Duke mos u nxituar në përfundime të shpejta “pas leximit sipërfaqësor të shënimeve të tij”.

Soros tërheq vëmendjen se nuk e gjen të arsyeshme etiketimin e “rrëzimit të komunizmit, si fitore të Botës së Lirë”. Komunizmi në të vërtetë rrëzoi veten. Bota e Lirë vetëm se shkurtoi kohën e regjimit edhe në Shqipëri. Ajo që Soros quan “gjendje normale të gjërave” (kur opinionet janë të diverguara nga realiteti), mund të lexohet e tillë edhe për raportet e shoqërisë së hapur me nacionalizmin.

Demokracia, padyshim i hap telashe nacionalizmit dhe, akoma më tepër, mundësisë në potencë të diktaturave nacionaliste.

Duke qenë i mendimit se një rrezik i paralajmëruar nga Soros, për “rastin Shqipëri” jo vetëm nuk është i mundur por as edhe me perspektivë, e gjej të udhës të shtoj se prania e “më shumë fermenti nacionalist” do ta ushqente demokracinë dhe zhvendosjen e Shqipërisë drejt Evropës, drejt Shoqërisë së Hapur.

Qoftë edhe në mungesë të një ndihme të fuqishme nga jashtë, në Shqipëri, edhe për jo pak kohë, nacionalizmi do të jetë “fillestar”. Në një periudhë kohe relativisht të gjatë, por jo shumë të gjatë, Shqipëria do duhej të ratifikonte vlerat e saj kombëtare. Nuk kam parasysh këtu thjesht përparimet drejt bashkimit kombëtar. Kjo do të ndryshonte pak-o-gjë. Nuk kam parasysh gjithashtu forcimin strukturor të shtetit shqiptar, i cili gjithnjë do të jetë sadopak i sabotuar nga përpjekjet e fqinjëve, të cilët edhe më tej do të mbeten shumë të interesuar për të pasur një Shqipëri të dobët.

Madje, në këtë kahje, do të dëshirohej që shqiptarët paskëtaj të bëjnë ç’është e mundur “t’i shpëtojnë historisë”. Në kuptimin të mos presin të veprojnë një kohë më pas se të tjerët dhe asnjëherë për të fituar kohën e humbur. S’ka asgjë që nuk ndryshohet me evolucion, por këtë mund ta bëjnë vetëm individët dhe shoqëritë e komunitetet që kanë qëllime të përcaktuara.

Në përfytyrimin e shqiptarëve është akoma e gjallë “tavolina e rrumbullakët” (por e shtypur në polin e saj) e ish-Byrosë Politike, në krye të saj, gjatë sëmundjes dhe pas vdekjes së tij, rrinte bosh, ogurzezë, karrikja e Atij, Enver Hoxhës. Rrëzimi i diktaturës së tij është provë e sigurt se shqiptarët nuk do të duronin asnjë variant të përafërt të saj; është provë tjetër, gjithashtu, se nacionalizmi nuk duhet kthyer më në slogan, se Shqipëria nuk është Çatia e Botës, por një shtet e komb evropian i saj, që meriton jo më shumë se të tjerët por, pa asnjë mëdyshje, jo më pak se ta.

Shqiptarët, me ikjen e tyre të detyruar “e hapën” dhe e lanë “përgjithnjë hapur” Shqipërinë përballë Evropës.

Është një lloj detyre e Evropës, që pretendon zgjerimin e vet, të përdorë këto dyer të hapura. Nuk do të ishte mirë për shqiptarët, dhe popujt e tjerë të Lindjes, të ndjenin dorën e Evropës vetëm në raste emergjencash. Evropa nuk është e panjohur për Lindjen, ndonëse ëndrra padyshim ka qenë më e bukur. Evropa herë pas here nuk mund ta fshehë të shkuarën e vet, kur më shumë se një të tretën e botës e përdorte si koloni. Franca kujdeset më shumë tani për Algjerinë, por nuk do të tringëllojë mirë kur, më vonë, t’i thuhet Ballkanit se “dikur, ne, evropianët, kemi pasur të privilegjuarit tanë aty...!” Ka kohë që arkivat evropiane, me “dokumentet e botuara për herë të parë”, i kanë kthjelluar mjaftueshëm popujt.

Këta të fundit e dinë tashmë se në Evropë nuk shkohet nëpërmjet Harkut të Triumfit. Për në Evropë shkohet duke bërë përpjekje të madhërishme për të mbetur ai që je. Edhe kjo, vetëm në rastet nëse më parë “Je diçka”. Në Evropë mund të imponohesh vetëm me kulturë kombëtare me vlerat e tua, në Evropë mund të pritesh vetëm nëse ke shkak të mbash kokën lart. Kombet e Lindjes do duhet të paguajnë “haraçin” e tyre për të shkuar në Evropë: Rusët do të mjaftonin si shembull. Perëndimi nuk mund të “falë” shumë tolerancë ndaj nacionalizmit rus, që aq shumë i hapi. “Normaliteti ekscentrik” i Zhirinovskit nuk duhet marrë thjesht si kapriçio e normalitetit njerëzor.

Shqiptarët janë larg tërë këtyre pandehmave, shqiptarët kanë piketa të afërta: Të Ribëjnë Kombin. Ata nuk janë mësuar të kërcënojnë e s’mund të kërcënojnë askënd. Por askurrkush nuk duhet t’i pengojë në të drejtën e tyre për të bërë vendin, shtetin dhe kombin e tyre.

Gjithnjë duke pasur parasysh se nga Të Tjerët nuk duhet pritur më shumë se nga Vetja. Dhe, merret vesh, për këtë nuk duhen kërkuar prova dhe arsye.

(Marrë nga “Përse druhemi nga nacionalizmi”, 1995, botoi “Dardania”)

©Faruk Myrtaj