Opinione

Kush do ta fitojë “luftën civile” brenda demokratëve? - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Pamjet e turpshme të ofruara sot nga “lufta civile” e dy rrymave brenda PD-së, ku njëra palë kishte marrë masa shtesë me blindime dyersh, gaz lotësjellës dhe Gazin e sekretariatit që kishte mobilizuar edhe trupat e “mbrojtjes së godinës” dhe nga ana tjetër militantë “paqësorë” që me vare e matrapik shqyenin portat, bënë xhiron e botës duke hyrë në histori si partia e parë që përleshet për selinë.

Turp për një masë të madhe votuesish rreth 600 mijë (pas firove të vjedhjes së votës) ky demostrim i panevojshëm. Turp për Lulzimin që betejën me regjimin e ka zëvendësuar me betejën për vulën, duke u mbrojtur nga policia e Ramës që deri dje i mbyti me gaz në protestat e katër viteve.

Kurse sot Lulzimi u ka marrë hua edhe gazin për t’ia vërvitur turinjve demokratëve. Basha sot mbajti selinë duke zvogëluar në masë përkrahësit dhe këtu nuk flas vetëm për anëtarët e PD-së.

Njësoj i humbur doli nga kjo përplasje edhe Berisha. Idetë dhe lëvizja mjaft pozitive e tij për demokratizimin e PD-së, sot morën një goditje të rëndë para opinionit publik. I frustruar nga arroganca e Bashës që u mbyllte dyert deputetëve të “Komisionit të Rithemelimit” të dalë me shumicën e votës së demokratëve, Berisha ra në kurthin e Bashës.

Një lider që pretendon të reformojë dhe demokratizojë partinë, nuk mund të përdorë forma të luftës guerile për marrjen e selisë, edhe pse Basha qëndron në atë seli si uzurpues. Partia nuk është as vula dhe as selia, por përkrahja që ke nga votuesit. Situata është kaq tragji-komike, sa që sot kemi dy personazhe, njëri në Qeveri e tjetri në Opozitë, që nuk kanë asnjë fije morali që të qëndrojnë në karriget e tyre.

Një kryetar qeverie, që grabiti votat me gjithë instancat e shtetit përfshirë edhe SPAK dhe ushtrinë e patronazhistëve dhe një kryetar opozite, që shiti të gjitha kauzat duke pranuar në heshtje rezultatin e zgjedhjeve të manipuluar pa bërë as edhe një protestë të vetme.

Beteja mes vetes e demokratëve vetëm po forcon regjimin. Shqiptarëve sot u duhet një opozitë e fortë që të ngrejë zërin për të drejtat e tyre. Kur të gjitha pushtetet nga qeveria deri te media, madje edhe SPAK janë shndërruar në kamikazë të një njeriu të vetëm, këtë boshllëk galopant duhet të përpiqet ta mbushë opozita. Pasi edhe drejtësia e kulluar SPAK shërbeu si kamardare shpëtimi për Ramën kur hetimin për patronazhistët e zhvendosi te Lapsi i medias, duke i lënë patronazhistët e Ramës të vidhnin me laps. Ju kujtoj këtu se një hetim i FBI në USA për përdorimin e email-it zyrtar, e fundosi Hillary Clinton në zgjedhje.

Opozita jonë, në vend të luftës me regjimin, ka zgjedhur “luftën civile” mes vetes. Por, opozita dhe Partia Demokratike është përtej Berishës dhe Bashës. Asnjëri prej tyre sot nuk e ka më legjitimitetin të drejtojë opozitën. Bashës dhe Berishës u duhet të bëjnë një hap mbrapa për t’i hapur rrugën demokratizimit dhe zgjedhjeve të reja në PD.

Burri i urtë i PD-së Besnik Mustafaj, deklaroi disa ditë më parë se si anëtar i komisionit të përzgjedhjes së kanditatëve për deputet, ka parë mbi 500 CV shumë të denja për të drejtuar PD-në. Figura të ndershme si deputeti Tomor Alizoti, apo të rinj të kompletuar si Akil Kraja dhe Belind Këlliçi, mund të ishin fare mirë liderët që i duhen sot opozitës.

©Ilir Gjini

Foto: Reuters